Edukimi duhet të përfshijë ndërveprimin
Ndikimi dhe ndryshimi ndodh kur ka ndërveprim. Është shumë e njohur se përzierja dhe afërsia me njerëz mund të ndodhë edhe atëherë kur mungon ndërveprimi. Ju mund të qëndroni me një person të caktuar dhe ta dëgjoni për një gjysmë ore pa u ndikuar prej asgjëje që ai e thotë. Pse? Sepse derisa ai fliste dhe ju e dëgjonit, ju u ndiet i mërzitur, ose ai nuk ishte njeri i besueshëm ose ai thjesht po llomotiste për një temë që nuk e njihte mirë. I tillë është edukimi familjar, anëtarët mund të përzihen shumë, mirëpo do të shihni se fëmijët nuk identifikojnë veten me mendimet e të rriturve, personalitetet ose edukatën e tyre, e lëre më t’u ngjajnë atyre. Pse? Sepse ekzistojnë pengesa shumë të rëndësishme që pengojnë atë ndërveprim dhe për pasojë parandalojnë të ndodh ndikimi.
E them se fëmijët ndjejnë se ata nuk dinë asgjë për gjërat që i rrethojnë. Meqenëse frika lind nga injoranca, ata nxitojnë të mësojnë me tërë fuqinë që e kanë. Për këtë arsye gjejmë një tre vjeçar, i cili i bën prindit dhjetëra pyetje çdo ditë. Nuk ka dyshim se përgjigjet e tyre do të ndikojnë tek ai dhe do ta çojnë atë nga një fazë në tjetrën. Natyra ndryshuese e gjërave dhe e temave mund të jetë shkak i pyetjeve të vazhdueshme.
Fjala ‘ndërveprim’ nënkupton pjesëmarrjen e dy ose më tepër personave në kryerjen e një gjëje. Për rrjedhim, edukimi nuk do të thotë që fëmija vetëm t’u bindet udhëzimeve që vijnë nga prindërit e tyre, por është një aktivitet i dyanshëm. Prindërit gjithashtu kër- kohen të ndërveprojnë me fëmijët e tyre duke i dëgjuar, duke i mëshiruar dhe duke mësuar prej mendimeve të tyre.
Ata duhet ta ndryshojnë metodologjinë në pajtim me çfarëdo që e mësojnë nga akumulimi i përvojës. Përndryshe, ndërveprimi bëhet i mangët dhe kjo sjell ndikim negativ. Do të përpiqen t’i përgjigjes tri pyetjeve këtu:
-Si t’i ndihmojmë një fëmijë të ndërveprojë?
-Në çfarë gjëra ndërvepron fëmija?
-Kur bëhet ndërveprimi i mangët ose kur mund të mos ekzistojë?
Si t’i ndihmojmë fëmijës të ndërveprojë?
1. Një parim themelor është se çdo gjë lind nga një marrëdhënie ge lidhet me të. Kjo do të thotë se fëmijët tanë do të formësohen nga lloji marrëdhënieve që ekzistojnë midis nesh dhe atyre. Ata mësojnë butë sinë, çiltërsinë, mirësjelljen dhe respektin për vlerat dhe parimet nga të jetuarit dhe të ndërvepruarit me anëtarët e familjes, te të cilët i gjen të ngulitura mirë këto cilësi. Kjo e bën të domosdoshme që ne t’i shikoj- më për së afërmi të gjitha llojet e ndërveprimit midis nesh dhe fëmijëve tanë, sepse ky është burim i formimit të tyre mendor dhe shpirtëror.
2. Përgjigju pyetjeve të tij, sepse ai mëson shumë prej tyre. Nëse të pyet në një kohë të papërshtatshme, thuaj: “Nuk mund të bisedojmë tani, mirëpo më vonë kur jemi në tavolinën e bukës, mund të më pyesësh çfarëdo që dëshiron.” Nëse të bën një pyetje të vështirë, përgjigjen e së cilës nuk do ta kuptojë, mos e injoro. Thuaj: “Do ta kuptosh këtë kur të rritesh në të ardhmen.”
Kur fëmija të rritet pak, është mirë ta pyesim se cili është mendimi i tij për gjërat që po pyet. Nëse për shembull ai pyet: “Babi, pse disa njerëz gënjejnë, ju mund t’u përgjigjeni me diçka sikur kjo: “Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Tani më trego se çka mendon ti për këtë.”
Nëse një vajzë e pyet nënën: “Mami, pse shumë njerëz nuk e pëlqejnë këshillën?” Le të përgjigjet nëna duke e pyetur të bijën se çka mendon ajo se është arsyeja, e kështu me radhë.
3. Është një gjë mjaft e mirë të flasim me fëmijët tanë për ëndrrat dhe aspiratat e tyre, si dhe për gjërat që i bezdisin ata. Nëpërmjet kësaj, ne do t’u japim mundësinë të nxjerrim në shesh ëndrrat dhe ndjenjat me një formë logjike, si dhe mundësinë për t’u udhëzuar, inkurajuar dhe mbështetur prej nesh. Qëllimi kryesor për të bërë këtë është që të hapet një rrugë e ndërveprimit me ta.
4. Përpiqu të bisedosh me të (të birin/të bijën) për besimet dhe gjërat tona fundametale, për të cilat nuk negociojmë, si dhe për rrezikun që ai/ajo ia ekspozon vetes duke u përpjekur që të dalë tepër shpesh me shokët e tij/shoqet e saj. Është me rëndësi të dëgjohet mendimi i tij/i saj.
5. Ka një numër të vendimeve të vogla të përditshme në të cilat mund t’i lejojmë ata të luajnë një rol si inkurajim për ta që të ndërveprojnë me ne. Për shembull koha për të shtruar bukën, koha për të dalë në piknik dhe ndarja e disa përgjegjësive të shtëpisë.
Disa prindër ruajnë shumë fshehtësi kur flasin me fëmijët e tyre. Edhe pse ne të gjithë pajtohemi që është e pranueshme që fëmijët të mos ekspozohen ndaj të gjitha detajeve, ne gjithashtu duhet të ruhemi që të mos krijojmë te ta frikën për të pyetur për gjëra që lidhen me jetën e tyre.
Për shembull, pyetjet për nivelin dhe pozitën e babait të tyre në një vend të punës, ose rrogën e tij ose madje marrëdhëniet e tij të tendosura me disa të afërm të tij. Është vështirë të përcaktohet një kufi preciz në këtë pikë, mirëpo shumë fëmijë dëgjojnë për disku- timet e moshatarëve të tyre me familjet e tyre për shumë gjëra, që do të konsideroheshin sekrete delikate për prindërit e tyre. Është me rëndësi këtu që fëmija të mos ndihet i huaj ose i pabesueshëm. Ç’është më e rëndësishmja, ai duhet të ndihet se po trajtohet në mënyrë të hapur.
Në çfarë gjëra ndërvepron fëmija?
Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse disa prindër ankohen për devijimin e fëmijës ose kanë zhgënjim për mos realizimin e pritjeve të tyre në shkollë. Ata ankohen se janë të lodhur me dhënien e udhëzimeve, që nuk u binden dhe këshillave te vazhdueshme, të cilat hasin në vesh të shurdhët. Pak e dimë se këshillat dhe udhëzimet tepër të shpeshta nuk janë të mira për fëmijët. Kjo sugjeron se ka një problem, i cili është dobësia ose mungesa e ndërveprimit familjar. Nëse fëmijët do të kishin një natyrë të tillë që do t’i vinin veshin çdo këshille të mirë, atëherë edukimi i fëmijëve do të ishte vërtet puna më e lehtë. Megjithatë, fatkeqësisht e vërteta është e kundërt, meqë fëmijët reagojnë ndaj udhëzimeve, urdhrave dhe këshillave. Ata nuk dallojnë shumë prej të rriturve në këtë aspekt, përveç se të rriturit kanë përvoja të mbledhura nga puna, kanë kryer shkollim më të lartë, janë më të pjekur në ndjenja dhe mendime dhe kanë formuar qëndrime ndaj gjërave që i rrethojnë. Njerëzit më herët e kanë ditur këtë mirë, saqë disa prej tyre kanë thënë: “Nëna e cila nuk ka kryer më tepër se shkollën e mesme mund të arrijë më tepër sukses në edukimin e fëmijëve sesa një nënë që ka marrë diplomë në fakultetin e edukimit! Fëmijët nuk ndërveprojnë me atë që nëna e tyre e di nga idetë, konceptet ose sloganet e edukimit. Ata ndërveprojnë me ata përbërës esencial që e kanë formuar atë (nënën e tyre) si një personalitet të shquar dhe një bartëse të përgjegjësive.
Le të imagjinojmë se si do të përgjigjej një fëmijë ndaj këshillës për të mos gënjyer, që vjen nga një nënë, të cilën e ka dëgjuar duke i gënjyer babait ose fqinjit të tyre. Ose si do t’i përgjigjej një urdhri nga babai për të falur namazin me xhemat ose për të studiuar, ose për të qëndruar më pak para televizorit, kur ai e sheh babanë duke vepruar të kundërtën? Përgjigja është mjaft e njohur dhe nuk kërkon koment të mëtejmë. Këtu e titheksoj atë që e kam thënë më herët për mjedisin familjar dhe të mësuarit nëpërmjet shembujve.
Çështjet që e dobësojnë ndërveprimin
1. Është shumë me rëndësi të përmendim se ne, prindërit, i takojmë një gjenerate tjetër prej gjeneratës të cilës i takojnë fëmijët tanë. Kjo mjafton në vetvete të shkaktojë probleme në të kuptuarit dhe ndërveprimet brenda familjes. Në përgjithësi është dëshmuar se gjeneratat moderne kanë më shumë prirje ndaj lirisë sesa ndaj kufizimeve dhe traditave. Ndërkaq gjenerata e prindërve, janë më tepër konservativë dhe të vëmendshëm ndaj traditave të vendit. Për rrjedhim, shumë prej asaj që gjenerata e re e konsideron të pranuar shoqërisht, do të konsiderohej e turpshme dhe e papranueshme nga gjenerata më e vjetër. Në këtë aspekt dhe natyrisht aspektet tjera – besoj se Umeti musliman është i bekuar me atë se ligjet e jurisprudencës islame dhe etika islame sigurojnë udhëzime të qarta për çështje të shumta. Është me rëndësi të dimë se shumica e mospajtimeve tona me adole- shentët në mesin e fëmijëve tanë shpejt do të pushojnë së ekzistuari posa ata të bëhen më tepër të pjekur dhe të gëzojnë stabilitet më të madh emocional.
2. Disa prindër e mbivlerësojnë veten dhe kjo i bën arrogantë. Nga pikëpamja e fëmijës duket sikur prindërit gjithmonë kanë të drejtë dhe nuk lënë vend për diskutim ose shqyrtim të çështjeve. Çfarëdo që thonë duhet t’i binden dhe të mos debatohet. Prindërit e tillë nxisin rebelim të vazhdueshëm dhe kjo çon në formimin e përshtypjeve negative të të rinjve për prindërit e tyre. Ajo që në çdo kohë u vjen në mendje është: Ky është mentaliteti i tij.
Ne nuk e vëmë në dyshim faktin se prindërit zakonisht kanë të drejtë. Megjithatë, janë një numër i çështjeve që lidhen me fëmijët dhe për të marrë vendim për to duhet të merren në konsideratë mendimet e tyre. Të shikojmë për shembull caktimin e kohës s grumit. Ndonëse ajo mund të caktohet dhe orari të jetë strikt, duhe të ketë disa përjashtime për shumë, për shembull: t’i lejuar fëmijët të qëndrojne zgjuar me një ndejë e përshtatshme dhe e mirë. Detyrat dhe studimi për test. Ndarja e gëzimit për arritjen e një të dashuri të familjes. Edhe nëse njëri prej nesh ka të drejtë absolute, le t’i jep hapësirë mendimeve kundërshtuese dhe të përpiqet të sqarojë pozicionin e në mënyrë të mjaftueshme për të bindur të rinjtë. Në këtë mënyrë do të mbahet ngrohtësia e komunikimit. 3. Vërtet, prej arsyeve më të rëndomta të dobësimit të marrëdhënieve midis fëmijëve dhe prindërve të tyre janë ndëshkimet e tepërta dhe udhëzimet ose urdhrat e paarsyeshme. Shembuj të këtyre janë:
– Ndëshkimi fizik dhe përdorimi i shpeshtë i tij.
– Krahasimi i fëmijëve me fëmijët e fqinjit, me qëllim që të tregohet paaftësia e tyre.
– Zemërimi i shpeshtë dhe bërtitja kur fëmijët të bëjnë gabime të vogla.
– Këshillimi i tepërt, që krijon përshtypjen se prindi e ka bërë hobi të lëshojë urdhra dhe ndalesa.
-Qortimi i një personi të veçantë në mesin e fëmijëve çdo herë që diçka thyhet ose kur bëhet ndonjë shkelje, ndonëse kryerësi i vërtetë nuk dihet.
Sjellja e këtillë i bën marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve të tyre të tendosura, bën që në vend të dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit, të mbretërojë grindja dhe inati. Për këtë arsye shpesh shohim që prindërit dhe fëmijët janë në dy botë të kundërta.
4. A mund të themi se asgjë më shumë sesa televizori nuk i largon fëmijët nga prindërit e tyre? Mendoj se nuk gabojmë nëse themi Po. Televizori i ka vjedhur fëmijët nga prindërit dhe nga librat e tyre në kohën tonë. Shumica e fëmijëve kalojnë kohë para televizorit gjashtë ose shtatë herë më tepër sesa kalojnë me prindërit e tyre. Nuk duhet të harrojmë t’ia shtojmë kësaj internetin dhe lojërat elektronike. Të gjitha këto zhvillime çojnë në izolim shoqëror dhe argëtim personal larg prindërve. Në këtë mënyrë ne shohim se largësia midis anëtarëve të një familjeje po zmadhohet përkundër faktit se po jetojmë nën kulmin e njëjtë.
Është e domosdoshme të kufizohet ekspozimi i fëmijës ndaj televizorit në nivelin më të ulët të mundshëm. Madje mund të jetë e mençur që të ndalohet ndezja e televizorit në orë të caktuara, pa marrë parasysh çfarë programe ka. Kjo bëhet me qëllim që të krijohet kohë për anëtarët e familjes që të qëndrojnë së bashku, që të gjejnë kohë të studiojnë dhe ta zgjerojnë mendjen e tyre.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Edukimi i fëmijëve”
Prinderimi.com