Është fakt i gjallë se mendja njerëzore zbulon faktet e ekzistencës në një mënyrë graduale. Fëmija gradualisht e kupton veten. Kjo është një gjë e mirëpritur për ata që janë shumë të interesuar që fëmijët të kthehen në rrugën e drejtë dhe të bëhen individë të suksesshëm.
Me ndryshimin e rrethanave në të cilat rritet fëmija, duke modifikuar gjuhën me të cilën i drejtohemi, ne do ti ndihmojmë të zbulojë veten dhe potencialet e tij dhe sigurisht mund t’i ndihmojmë të ketë më tepër vetëbesim. Atëherë le të elaborojmë këtë me pika më specifike dhe më të rëndësishme që mund ta ndihmojnë fëmijën të heq dorë nga kompleksi i inferioritetit të tij:
1. Të menduarit e baraspeshuar dhe logjik: imazhi për vete i fëmijës formohet si rezultat i shumë bindjeve dhe ideve, të cilat fëmija i merr nga prindërit, vëllai ose motra më e madhe, mësuesit dhe ata me të cilët shoqërohet vazhdimisht. Nga kjo mund të shohim sesa e domosdoshme është që të menduarit logjik të praktikohet në shtëpinë ku rriten fëmijët. Ne mund ta ilustrojmë këtë me disa detaje të tjera:
– Le të pranojë secili se asnjë qenie njerëzore nuk është e përsosur. Do të ishte e mrekullueshme sikur babai të përmendte lëndët në të cilat ka qenë i dobët kur ishte nxënës dhe nëna të përmendte lëndët që kurrë nuk i ka zotëruar. Ky lloj i përkujtimit sigurisht se do të lehtësojë presionin te fëmija dhe ndjenjën se ai ka potencial të dobët.
Çdonjëri i ka pikat e forta dhe të dobëta dhe është detyrë e prindërve të zbulojnë pikat e dobëta dhe të forta të fëmijëve. Nëse për shembull e bija ndihet e dëshpëruar për shkak të trupit të shkurtër ose bukurisë së thjeshtë, le t’ia përmend nëna e saj talentin e saj në vizatim, gjindshmërinë në situatat shoqërore ose mendje-
mprehtësinë.
Një student i universitetit tregon: “Gjatë shkollës fillore kisha një memorie të dobët, kisha vështirësi të memorizoja qoftë edhe një sure të shkurtër. Babai im vuri re këtë dhe vendosi të më tërhiqte nga shkolla pasi të mbaroja shkollën fillore. Ai dëshironte t’i ndihmoja në biznesin e tij. Kur mësuesi i matematikës dëgjoi për këtë ai u dëshpërua shumë, kështu e vizitoi babanë tim në shtëpi dhe i tha: “Biri yt është nxënësi më i mirë që e kam në matematikë dhe ai do të bëhet një mësues i shquar i matematikës ose një inxhinier. Sa i përket kujtesës së dobët, më lërë mua me këtë, unë do të kujdesem.” Në të vërtetë, ai njeri më kushtoi kujdes të madh dhe më inkurajoi në atë mënyrë që e ngriti moralin tim në maksimum. Tani jam student në fakultetin e makinerisë. Falënderimi i takon Allahut.”
“Nuk ka asnjë njeri me vetëbesim të plotë, në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha situatat.” Është normale të ndihesh i fortë në disa situata dhe i dobët në të tjerat. Ky fakt është mirë të diskutohet në familje. Ai do të ngrehë moralin e fëmijëve që kanë kompleksin e inferioritetit, ai do t’u ndihmojë të shohin dobësinë e tyre dhe ndjenjat negative si të natyrshme dhe të rëndomta. Vërtet do të jesh më i qetë kur të ndiesh se çdonjëri i ka frustrimet e tyre dhe nganjëherë nuk janë të sigurt për sukses.
Bëju të qartë të rinjve se suksesi i vërtetë nuk paraqitet gjithmonë në përmbushjen e qëllimeve dhe në arritjen e caqeve. Ai gjithashtu paraqitet në veprimin e asaj që kemi mundësi dhe në veprimin në mënyrën e duhur dhe pastaj në pranimin e caktimit të Zotit. Nganjëherë ndodh që të ketë mirësi në mosarritjen e asaj që e synojmë. Nganjëherë e kundërta e asaj që e synojmë është më e mirë për ne. Dy elemente esenciale të suksesit janë këmbëngulja dhe ndjekja e rrugës së drejtë.
2. Fëmijët tonë kanë nevojë për mbrojtje të moderuar. Mbrojtja e tepërt e fëmijëve është po aq e dëmshme sa edhe dështimi për t’i mbështetur ata dhe për të qenë pranë tyre.
“Për të arritur vetëbesim, fëmija ka nevojë të provojë gjëra të reja, të rrezikojë dhe të rezistojë. Ata janë në nevojë të ballafaqimit me situata sfiduese.”
Prindërit të cilët insistojnë të zgjidhin të gjitha problemet e fëmijës janë vërtet duke u përpjekur ta mbajnë atë si një fëmijë të vogël për kohë sa më të gjatë. Natyrisht se ky është një keqshërbim, sepse fëmija nuk do të zhvillojë ndjenjën e posedimit të potencialit për t’u marrë me gjërat. Po ashtu lënia e fëmijës të vetëm për t’u ballafaquar me të gjitha situatat është po aq e dëmshme, sepse ata mund të bien në gabime të tmerrshme ose mund të ndihen të paaftë në zgjidhjen e problemeve të tyre. Mënyra më e mirë dhe e artë është të lihet fëmija të merret me gjërat dhe t’i rregullojë ato në çdo mënyrë të mund- shme, mirëpo të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë sa herë që kërkohet.
Një baba i suksesshëm thotë: “I kam dy djem, të cilët kanë vetëm një vit diferencë në mes vete. Ata grindeshin vazhdimisht, kështu vendosa për një metodë që të përballesha me këtë vështirësi dhe ajo funksionoi mirë. Kur dëgjoja britmat, dhe njëri prej tyre vinte me ankesë, i ftoja të dytë dhe i urdhëroja të ishin të qetë, pastaj u thosha: “T’i buzëqeshni njëri-tjetrit me një buzëqeshje të vërtetë dhe të ëmbël!” Pastaj shtoja: “Shkoni dhe përpiquni të gjeni një zgjidhje për mosmarrëveshjen tuaj.” Nëse dështonin, u thosha: “Tani secili prej jush të propozojë një zgjidhje dhe kush e jep propozimin më të mirë do të marrë një shpërblim.” Kjo zakonisht funksiononte mirë. Ata garonin të ofronin zgjidhjen më të mirë të mundshme për të fituar shpërblimin. Dy vjet më vonë grindjet e tyre u bën më të buta dhe më të rralla. Ata tani janë djem të rinj të pjekur dhe sa herë që e kujtojnë këtë, qeshin dhe thonë: “Na ke bërë një hile të mirë, edhe ne do ta përdorim me fëmijët tanë!”
3. Fëmija ka nevojë për pranimin e familjes. Në familje fëmija e sheh reflektimin e tij. Për rrjedhim, është e domosdoshme që ai të ndihet normal, i pëlqyer, i vlerësuar dhe i përgatitur për sukses në familje. Kjo mund të elaborohet në disa pika të shkurtra:
Prindërit kanë nevojë t’i japin fëmijës sinjale të ndryshme që tregojnë se ata janë të lumtur që e kanë, se janë mirënjohës ndaj Allahut Fuqiplotë për begatinë e një fëmije të tillë. Sinjalet mund të jenë në formë të fjalëve, në falënderim të Allahut për begatinë e Tij, në përqafime dhe puthje dhe ta bëjnë të ndihet i dashur disa herë në ditë. Kur fëmija dështon në një test, garë ose përpjekje, ai ka nevojë për simpatinë tonë. Në atë rast ne duhet të jemi në anën e tij. Kjo është domethënia e vërtetë e dashurisë së pakushtëzuar. Thuaj fëmijës: “Këtë herë ke dështuar. Nuk ka nevojë të brengosesh! Mirëpo duhet të kujtosh se shumë njerëz kanë dështuar, mirëpo i kanë kompensuar ato me të arritura të mrekullueshme. Unë jam i sigurt se do të veprosh njësoj inshaAllah.”
Nëse vazhdojmë të kritikojmë persona të veçantë, etnitete të caktuara, nacionalitete të caktuara, një profesion të caktuar, ose një fe të caktuar, rezultati do të jetë mbjellja e ndjenjave negative në mendjen e fëmijës. Vetëvlerësimi i tij do të bëhet edhe më i ulët.
“Atëherë sigurohu që të flasësh mirë kur i biri ose e bija është prezent. Tregoji atij ose asaj tregime të suksesit, përmendi pikat e mira të njerëzve në vend të të metave të tyre.”
Kjo është vërtet esenca e Islamit, i cili na kërkon të ndalemi nga përgojimi. Në të njëjtën kohë të biseduarit pozitiv do të hap vetëdijen e fëmijës për potencialin e tij ose të saj.
Është detyrë e prindërve të bëjnë të pamundurën që atmosfera e shtëpisë të jetë e ngrohtë dhe e lumtur sa më tepër që është e mundur. Në këtë përpjekje duhet që bisedat e familjes të sillen rreth meritave të familjes dhe atmosferës së dashurisë që mbretëron në familje. Është ide e mirë për prindërit të kujtojnë njëri-tjetrin për këtë sepse bashkëshortja ose bashkëshorti mund të jenë tepër serioz. Njëri prej tyre mund të jetë melankolik dhe kjo mund të bëj që tubimet e familjes të bëhen depresive dhe mund të bëjnë që fëmija me kompleksin e inferioritetit të ndihet më keq.
4. Fëmija i cili vuan nga ndjenja e inferioritetit do të mbaj mendime që lidhen me problemin e tij dhe do ta intensifikojë atë.
Për t’i ndihmuar fëmijës në këtë gjendje, sugjerojmë këta hapa:
– Ta mësojmë që të përsëris disa shprehje të vetëbesimit, si për shembull: “Allahu më ka dhënë shumë dhe jam i lumtur për këtë”, “Vërtet kam shumë talente, kështu duhet t’i përdor në mënyrën më të mirë”, “Askush nuk mund të më ndal nga sigurimi i të drejtës sime” dhe “Mund të dështoj në përpjekjen time, mirëpo më në fund do të arrij atë që kam synim.”
Efekti i këtyre shprehjeve dhe të ngjashmëve në vetëdije do të dal i thellë, sidomos nëse fëmija e di se çka nënkupton.
Me qëllim që shprehjet e tilla të marrin formën e vetëbesimit dhe të shndërrohen në një realitet të prekshëm, familja duhet të shtyjë fëmijën në shumë situata që i ndihmojnë të zbulojë aftësitë e tij dhe të përfitojë shumë shkathtësi. Fëmija nëpërmjet veprimit dhe pjesëmarrjes e zbulon veten dhe e zbulon realitetin e botës. Ai do të përjetojë vështirësitë e jetës dhe do të has në pengesa që duhet t’i kapërcejë. Tërë kjo do të ngreh vetëbesimin e tij. Kështu sigurohu që fëmija yt i bashkohet disa aktiviteteve në shkollë, në qendra kulturore, në organizime të shëtitjeve dhe kampeve, në klube sportive, e të tjera.
Gjithashtu ekzistojnë vende për mësimin e Kur’anit në qytete dhe fshatra ku fëmija mund të marrë pjesë. Përveç kësaj, fëmija duhet të ngarkohet me disa përgjegjësi rreth shtëpisë. Le të sigurohemi se në të gjitha këto aktivitete fëmija shkon mirë dhe realizon sukses.
Fëmijë të shumtë vuajnë nga mungesa e vetëbesimit dhe është detyrë e jona ti imunizojmë fëmijët tanë kundër saj dhe ti ndihmojmë ata ta kapërcejnë atë nëse tashmë e kanë këtë problem.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”