Nëse keni një fëmijë të moshës shkollore ose një adoleshent, dhe familja juaj është zgjeruar me ardhjen e një bebeje të re, fëmija juaj mund të përjetojë shumë emocione të ndryshme.
Për shembull, fëmija juaj mund të ndihet:
- I emocionuar që ka një bebe të re për t’u përkujdesur, për ta përqafuar dhe për të luajtur me të.
- I zhgënjyer, sepse realiteti i jetës me një bebe mund të jetë ndryshe nga ajo që ai kishte imagjinuar.
- Xheloz, sepse duhet ta ndajë vëmendjen tuaj me beben e re ose sepse bebja qëndron në shtëpi me ju, ndërsa ai shkon në shkollë.
- I mërzitur ose i irrituar, sepse bebja qan shpesh, i prish gjumin, krijon më shumë detyra në shtëpi ose bën që ai të presë më gjatë për vëmendjen tuaj.
- I lënë pas dore ose më pak i rëndësishëm, nëse nuk po merr të njëjtën vëmendje që kishte më parë.
- Në siklet, veçanërisht nëse është adoleshent dhe është i vetmi mes shokëve të tij që ka një vëlla ose motër të porsalindur.
Të gjithë fëmijët kanë nevojë të përshtaten kur një bebe e re bëhet pjesë e familjes. Nëse reagimi i parë i fëmijës suaj nuk është pozitiv, është e rëndësishme të dini se marrëdhëniet e mira mes motrave dhe vëllezërve zakonisht ndërtohen me kalimin e kohës.
Si t’i përfshini fëmijët më të rritur në kujdesin ndaj bebes
Është mirë që ju dhe partneri juaj, nëse keni një të tillë, të flisni me fëmijën tuaj për mënyrën se si ai mund të përfshihet në jetën e bebes së re. Këto biseda mund të fillojnë edhe para lindjes së bebes.
Fëmija juaj mund të ketë ide për mënyrën se si dëshiron të ndihmojë. Edhe nëse nuk ka ndonjë ide konkrete, fakti që ju gjeni kohë për të folur me të tregon se emocionet dhe mendimet e tij kanë rëndësi për ju.
Si t’i përfshini fëmijët e moshës së shkollës fillore
Fëmija juaj mund të dëshirojë të përfshihet duke:
- ju sjellë gjëra gjatë kohës së larjes ose ndërrimit të bebes;
- i kënduar një këngë bebes ose duke luajtur lojëra të thjeshta si “ku është bebja?”;
- duke i lexuar një tregim;
- duke ndarë kohën e banjës me beben;
- duke luajtur me të në mënyrë të butë dhe të sigurt.
Kur fëmija juaj tregon interes për t’u përfshirë, lavdërimi dhe vlerësimi do ta ndihmojnë të ndihet mirë dhe do ta inkurajojnë ta bëjë përsëri. Nëse nuk dëshiron të përfshihet, mos e detyroni. Prisni disa ditë dhe provoni përsëri. Nëse vazhdon të mos ketë interes, bëjeni të ditur se kjo është në rregull.
Si t’i përfshini adoleshentët
Adoleshentët mund të dëshirojnë të përfshihen në mënyra më aktive, për shembull duke qëndruar me beben ose duke luajtur me të ndërsa ju përgatisni darkën.
Megjithatë, është krejt normale që adoleshentët të jenë më të interesuar për jetën e tyre, shoqërinë dhe aktivitetet personale sesa për një bebe. Me kalimin e kohës, një lidhje mes tyre mund të krijohet nëse nuk i detyroni të kalojnë kohë bashkë.
Gjithashtu, fëmija juaj mund të mos dëshirojë të kujdeset për beben, ta ushqejë apo t’i ndërrojë pelenat. Ai ka më shumë gjasa të ndihmojë kur e ndjen se kjo nuk është një detyrë e imponuar. Përpiquni të mos e bëni të ndihet i detyruar.
Theksimi i moshës dhe pjekurisë së tij mund ta ndihmojë të ndihet më përgjegjës dhe më i motivuar. Për shembull, mund t’i tregoni se roli i tij në familje është i rëndësishëm dhe se ai sjell vlera të veçanta.
Pse është e rëndësishme koha vetëm me fëmijën më të madh
Koha individuale me fëmijën tuaj më të madh është një nga mënyrat më të mira për ta forcuar marrëdhënien pas ardhjes së një bebeje të re. Një lidhje e fortë dhe ndërveprime të ngrohta me prindërit e ndihmojnë fëmijën të ndihet i sigurt dhe i dashur.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse fëmija mendon se po merr më pak kohë dhe vëmendje për shkak të bebes. Koha vetëm me të i jep mundësinë të flasë për ndjenjat e tij dhe të përshtatet më lehtë me ndryshimet në familje.
Disa mënyra për të krijuar këtë kohë janë:
- Vendosni çdo ditë pak kohë për të biseduar vetëm me fëmijën, pa ndërprerje.
- Organizoni aktivitete vetëm me të, si punime kreative, një shëtitje ose një aktivitet që ai zgjedh vetë.
- Merrni pjesë në aktivitetet e tij, si ndeshje sportive apo shfaqje shkollore, për t’i treguar se gjërat që janë të rëndësishme për të, janë të rëndësishme edhe për ju.
- Bashkëpunoni me prindin tjetër ose një person të afërt që të krijoni momente të veçanta vetëm për fëmijën më të madh.
Nëse jeni prind i vetëm, mund të kërkoni ndihmën e një familjari ose miku të besuar që të kujdeset për beben për pak kohë, në mënyrë që të kaloni momente cilësore vetëm me fëmijën tuaj.
Ardhja e një bebeje të re është një ndryshim i madh për të gjithë familjen. Me durim, komunikim dhe vëmendje, fëmija më i madh mund ta përjetojë këtë periudhë jo si humbje të dashurisë suaj, por si zgjerim të familjes dhe krijim të një lidhjeje të re.
Artikull nga: Raising Children Network
Përkthim: Prinderimi.com
