Forca e perceptimit e shumë prej nesh është lënduar në një farë mase. Po tani ç’duhet të bëjmë? Të rrimë e të qajmë për fatin tonë? Sado të jenë atrofizuar perceptimet tona në të shkuarën, tani mund t’i zhvillojmë. Shqisa e prekjes mbase është ajo që ia kemi ditur më së pakti rëndësinë. Këtë mund ta provojmë kur na mpihen këmbët e duart, si dhe kur ulemi në karrige te dentisti dhe na mpihet faqja apo buza. Kjo ndjesi është e përhershme për njerëzit që kanë një pjesë të trupit të paralizuar. Ata nuk i ndiejnë pjesët e paralizuara.
Shqisa më e përçmuar është ajo e prekjes. Ndërsa komunikimi më efektiv është ai që arrihet me anë të prekjes. Një eksperiment i bërë në lidhje me këtë çështje ka shumë interes:
Kërkuesit lënë në një kabinë telefonike një dollar e tetëdhjetë cent. Sigurisht, ata që hyjnë në kabinë për të biseduar, i marrin paratë. Kur i pyesin këta persona kur dalin nga kabina, nëse kanë gjetur para, 95% e tyre thonë se nuk kanë gjetur gjë. I njëjti eksperiment përsëritet edhe një herë ndryshe. Lihen sërish para në kabinë; kur personat dalin nga kabina, preken në sup dhe pyeten nëse kanë gjetur para. Këtë herë 97% e tyre tregojnë se i kanë gjetur paratë.
Kjo tregon se prekja ka një efekt të jashtëzakonshëm.
Unë dua t’ju sugjeroj të përqafoni për t’u zhvilluar; përqafoni sa të mundeni të dashurit tuaj. A e keni menduar se çfarë përjeton dikush që e ka humbur shqisën e shijimit? Edhe unë e kam provuar këtë eksperiencë për pesë gjashtë muaj.
Nuk e mbaj mend sa vjeç kam qenë, besoj se kam qenë në shkollën fillore. Kam qenë një fëmijë i dobët, kështu që më jepnin shurup për të më shtuar oreksin e për të shtuar në peshë. Më pëlqente të harroja, nëse dikush nuk do të më kujtonte të haja. Sigurisht që babai nuk më lejonte ta bëja këtë, për t’u siguruar, ai e hidhte shurupin në lugë dhe ma jepte vetë. Një ditë gabimisht në vend të shurupit më dha jod. Për fat, e pështyva lëngun që më ra në gojë, përpara se ai të më shkatërronte grykën. Por më kushtoi shtrenjtë që e mbajta jodin deri te lavamani. Qelizat nervore në gjuhë ishin shkatërruar dhe unë e kisha humbur shqisën e shijimit. Të gjitha lëngjet që pija më pas kishin shijen e dhjamit. Çdo gjë që fusja në gojë, më bënte të më përzihej. Kjo gjendje vazhdoi për katër muaj, më pas shqisa e shijes filloi të më kthehej nga pak.
Për të parë sesa e shëndetshme është shqisa e shijimit, mund ta kuptojmë duke parë procesin e ngrënies.
A i rrotullojmë kafshatat në gojë? Sa prej nesh i shijojnë kafshatat? Ne nuk e jetojmë jetën ndryshe. Ashtu si nuk mundemi t’i shijojmë kafshatat e shijshme, ashtu dhe mundemi të shijojmë mrekullitë që i sjellim jetës. Madje edhe në ditët e veçanta; në një festë apo argëtim, zakoni i ngrënies nuk ndryshon. Kënaqësia që marrim nuk është e ndryshme nga ditët e tjera. Jeta për shumë njerëz nuk është gjë tjetër veçse një moment kur njeriu ha diçka.
Përgatiti: Perparim Blakaj, Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”