Është caktim i Zotit që fëmijët, sikurse të rriturit, të jenë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, intelektualisht dhe emocionalisht. Tani sa i përket ndjenjës së inferioritetit ose vetëvlerësimit të ulët, disa fëmijë e trashëgojnë ndjeshmërinë se e kanë këtë kompleks. Më vonë, fëmija mund të hasë në disa rrethana të vështira në jetë, të cilat ia zhvillojnë këtë ndjeshmëri duke e bërë një gjendje reale. Në anë tjetër, një fëmijë tjetër mund të trashëgojë atë ndjeshmëri, mirëpo për shkak të kujdesit të familjes, shkollimit të mirë nga mësues të aftë dhe për shkak të mundësive të panumërta të kohës tonë, fëmija mund të mos pësojë këtë gjendje.
Një fëmijë me inteligjencë të ulët, me ndonjë hendikep fizik ose i cili ka pasur një aksident që ka rezultuar me mosfunksionimin e një modalitetit shqisor, mund të pësojë humbje të vetëbesimit, edhe pse gjithmonë është e mundshme të kapërcehet ajo me një trajnim të veçantë dhe të përkushtuar.
Pritjet e parealizueshme
Babai mund të ketë korrur suksese të jashtëzakonshme në jetën e tij; ai mund të ketë ambicie dhe ideale të mëdha. Në këtë rast është mjaft e mundshme që ai të dëshirojë, që i biri i tij të bëhet një person i shquar, ose kemi rastin kur babai mund të mos ketë arritur ti realizojë ëndrrat e tij të mëdha dhe dëshiron që biri i tij t’i realizojë ato ëndrra. Dëgjojmë një baba duke thënë: “Biri im, kam ëndërruar të bëhem mjek, mirëpo rrethanat e caktuara më kanë penguar, kështu shpresoj që ti do ta bësh këtë realitet.”
Vendosja e qëllimeve të larta në këtë mënyrë është joproduktive, kjo vetëm do të bëjë që fëmija të ndihet i paaftë. Fëmijët e tillë do të ndihen keq, do të ndiejnë se qëllimi është i largët. Kjo vetëm do të prodhojë një ndjenjë të dështimit në vështirësinë e parë. Fëmija madje mund të heq dorë nga çdo përpjekje për të provuar përvoja të reja.
Mbrojtja e tepërt
Disa prindër e teprojnë në kujdesin e tyre për fëmijët, duke ua plotësuar dëshirat dhe duke i llastuar. Ata i lirojnë nga çdo punë në shërbim të familjes. Ata e bëjnë këtë me mendimin se po u bëjnë mirë fëmijëve, mirëpo në fakt ata po u bëjnë një shërbim të keq, sepse kjo do të privojë nga marrja me probleme dhe nga të përfituarit e shkathtësive të reja. Ata nuk do të kenë mundësi të zhvillojnë ndjenjën e veprimit të pjekur me gjërat.
Ashpërsia dhe vrazhdësia
Në kontrast me situatën e lartpërmendur, gjejmë baballarë, të cilët i shndërrojnë shtëpitë në një bazë ushtarake, duket se ata kanë qëllim të shtypin karakteret e fëmijëve, duke i trajtuar me ashpërsi dhe duke i qortuar çdo herë edhe për shkeljen më të vogël.
“Ata mund të mos e kuptojnë kur fëmijët nuk kanë marrëdhënie të ngrohta me prindërit e tyre, kur nuk marrin vëmendjen dhe pranimin e tyre, sigurisht se fëmijët e tillë do të kenë një ndjenjë të inferioritetit dhe do t’u mungoj vetëbesimi.”
Gjithashtu fëmijët shpesh do të kenë këtë ndjenjë nëse njëri prej prindërve është tepër kritik, ose përdor tonë kërcënues.
Njeriu është krijesë imituese
Fëmija do të mësojë të jetë i fortë ose i dobët, i dinjitetshëm ose i padinjitetshëm, duke i imituar të tjerët përreth. Kur babai ka pak vetëbesim, fëmijët e tij ka gjasë se do të jenë sikur ai. Arsyeja është se fëmija mendon se babai gjithmonë e ka mirë dhe atë e merr më të fortë dhe më inteligjent. Nëse e sheh duke u ankuar tërë kohën, nëse e gjen se është hezitues dhe frikacak, ai do të ketë shumë gjasë të përmbush thënien popullore “si babai, si i biri!”
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”