Kjo Rregullore e brendshme, ka për qëllim vendosjen e rregullave dhe procedurave të brendshme për parandalimin e konfliktit të interesit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (tani e tutje MASHTI) dhe institucionet në vartësi.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mbështetje të nenit 20, paragrafit 3 të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (Gazeta zyrtare nr. 5/27 prill 2018), si dhe nenit 8, paragrafit 1, nënparagrafi 1.4, nenit 14 paragrafit 1 nënpragrafit 1.7, shtojcës 1 pikës 7 të Rregullores (QRK) nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive si dhe Udhëzimit administrativ nr. 03/2013 për standardet e hartimit të akteve normative (GZ, nr.
03/2013, dt. 16.05.2013), nxjerr:
RREGULLORE E BRENDSHME PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT
Neni 1
Qëllimi
Kjo Rregullore e brendshme, ka për qëllim vendosjen e rregullave dhe procedurave të brendshme për parandalimin e konfliktit të interesit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (tani e tutje MASHTI) dhe institucionet në vartësi.
Neni 2
Fushëveprimi
Dispozitat e kësaj Rregulloreje të brendshme janë të detyrueshme për të gjithë zyrtarët e MASHTI-it dhe zyrtarë tjerë të përcaktuar në këtë rregullore, nëse nuk parashihet ndryshe me dispozita tjera ligjore.
Neni 3
Përkufizimet
1. Për qëllim të kësaj Rregulloreje të brendshme, termet e mëposhtme kanë këtë kuptim:
1.1. Zyrtari i MASHTI-t – përfshin të gjithë të punësuarit në MASHTI, institucionet tjera në vartësi dhe zyrtarët tjerë të përcaktuar në nenin 1;
1.2. Interes publik — interesi material ose jomaterial i ligjshëm dhe i drejtë në dobi të qytetarëve;
1.3. Interes privat i personit zyrtar — nënkupton çfarëdo përfitimi për personin zyrtar, familjen e tij, të afërmit, miqtë dhe personat apo organizatat me të cilat ai ka pasur apo ka marrëdhënie afariste;
1.4. Vendimmarrja – çasti i fundit i procesit vendimmarrës gjatë të cilit vendoset përmbajtja përfundimtare e aktit apo kontratës, si dhe ato çaste paraprake të vendimmarrjes të cilat janë thelbësore dhe përcaktuese në të cilat pjesëmarrja, ndikimi dhe qëndrimi i zyrtarit përcaktojnë përmbajtjen përfundimtare të aktit apo kontratës si dhe çdo veprim i zyrtarit në ushtrimin e funksionit publik;
1.5. Zona e përgjegjësisë – përfshin detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarit gjatë kryerjes së aktiviteve zyrtare;
1.6. Punë sekondare- nënkupton punën dhe angazhimin që zyrtari i MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse i kryen me pagesë, apo pa pagesë jashtë MASHTI-t;
1.7. Konflikt interesi – rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare;
1.8. Person i afërt me zyrtarin — bashkëshorti/ja ose personi që bashkëjeton. Të afërmit në vijë të drejtë të gjakut pa kufizime (p.sh. gjyshërit. prindërit, fëmijët, fëmijët e fëmijëve, por jo vetëm), të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt, adoptuesi, i adoptuari, i afërmi në gjini të krushqisë deri në shkallën e tretë si dhe çdo person fizik apo juridik i cili ka pasur ose ka një lidhje të përbashkët interesi privat pasuror ose jopasuror me zyrtarin;
1.9. Marrëdhënie kontraktuale — çdo marrëdhënie mallrash dhe shërbimesh në mes të institucioneve publike dhe operatorëve ekonomik, shitblerje të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, marrëdhënie punësimi, huamarrje, huadhënie, qiradhënie, qiramarrje, si dhe çdo raport tjetër i ngjashëm.
Neni 4
Parimet e veprimit të zyrtarit të MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse për parandalimin e konfliktit të interesit
1. Çdo zyrtar është i obliguar që t’ i zbatojë të gjitha detyrimet dhe instruksionet që parashihen me këtë rregullore, për të identifikuar, raportuar, parandaluar dhe shmangur konfliktin e interesit.
2. Parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit, janë:
2.1. Ushtron funksionin e tij në pajtim me ligjin, kodin përkatës të mirësjelljes dhe këtë Rregullore të brendshme;
2.2. Duhet ta kryejë punën e tij me ndershmëri, integritet, ndërgjegje, paanshmëri, të ruaj autoritetin e institucioneve publike dhe me punën e tij të forcoj besueshmërinë e qytetarëve;
2.3. Të veproj në mbrojtje të interesit publik dhe nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vë para interesit publik;
2.4. Të përgjigjet personalisht për veprimet e tij gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare;
2.5. Të mos kryejë një veprim të kundërligjshëm apo edhe të ligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, me qëllim të marrjes së një përfitimi në kundërshtim me këtë rregullore për vete ose për një person apo subjekt tjetër;
2.6. Për punën që kryen në ushtrimin e funksionit nuk ka të drejtë të kërkoj apo pranoj shpërblim/favor tjetër, si dhe ofrimin ose premtimin e shpërblimit, përveç kompensimit që i lejohet në bazë të dispozitave ligjore në fuqi;
2.7. Të shmang konfliktin e interesit;
2.8. Të mos përdor pozitën apo funksionin e vetë për t’i avancuar interesat e veta personale apo të personave të afërm.
Neni 5
Veprimet e ndaluara për zyrtarin e
MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse
1. Zyrtarit të MASHTI-t dhe institucioneve të përcaktuara në nenin 1, në lidhje me detyrën zyrtare, i ndalohen kët veprime:
1.1. Të kërkojë apo pranoj dhuratë apo përfitim tjetër të padrejtë për vete apo personin tjetër, ose ofertë apo premtim për dhuratë, në mënyrë që zyrtari të veproj ose të mos veproj në kryerjen e detyrës së tij zyrtare;
1.2. Të kërkojë, përvetësoj, pranoj shpërblime, dhurata, përfitime apo shërbime të padrejta për vete ose për tjetrin, si kompensim për përcaktimin e tij në vendimmarrje;
1.3. Të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari për arsye të përfitimit të padrejtë për vete apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik;
1.4. Të premtojë, ofroj ose jap dhuratë apo ndonjë përfitim tjetër të padrejtë në këmbim të ndonjë dhurate apo përfitimi të padrejtë, real ose të premtuar;
1.5. Të ndikojë në kontraktimin, dhënien e punëve apo furnizimeve publike për përfitime te padrejta për vete apo të çdo personi tjetër të përcaktuar në nenin 3, nënparagrafi 1.3;
1.6. Të shfrytëzojë informatat e
besueshme që i ka në dispozicion apo të marra në mirëbesim në ushtrimin e detyrës zyrtare, për përfitime të padrejta për vete apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik;
1.7. Të ndërmarrë veprime, të cilat do t’i përshtaten interesit personal të tij apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik;
1.8. Të ndërmarrë veprime, të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër në dëm të interesit publik;
1.9. Të keqpërdorë ose të lejojë që të përdoren pasuritë zyrtare të MASHTI-t, përfshirë dokumentet zyrtare, platformat elektronike etj, për ndonjë qëllim tjetër që nuk përputhet me ushtrimin e detyrës zyrtare dhe në pajtim me ligjin.
1.10. Nuk mund të jetë përfitues i ndonjë nga format e mbështetjes financiare të realizuara nga buxheti i MASHTI-t ose të menaxhuara nga MASHTI.
2. Zyrtari i MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse, nuk mund të angazhohet në punë jashtë institucionit pa ju lejuar nga zyrtari më i lartë administrativ.
3. Zyrtari i MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse, nuk lejohet të angazhohet në punë jashtë institucionit që janë zonë e përgjegjësisë në institucione arsimore në fushën të cilën është i angazhuar.
Neni 6
Aktivitetet e lejuara për zyrtarin e MASHTI-t
Zyrtari i MASHTI-t, mund të angazhohet në punë sekondare në fushat, si: shkencë, sport, seminare, trajnime, hulumtime, borde në ndërmarrje publike, ndërmarrje shoqërore dhe organizata buxhetore, kulturë dhe veprimtari humanitare, si dhe institucione të tjera private të cilat nuk bien në përgjegjësitë e tij të detyrave zyrtare. Këto aktivitete mund të ushtrohen nga zyrtari, nëse nuk është në zonën e përgjegjësisë dhe nuk është pjesë e vendimmarrjes.
Neni 7
Angazhimi në punë jashtë institucionit
1.Secili zyrtar i MASHTI-t, i cili dëshiron të angazhohet në punë sekondare, paraprakisht duhet të bëjë kërkesë me shkrim, duke plotësuar aplikacionin për punë sekondare (shtojca nr. l).
2. Aplikacioni duhet të jetë i plotësuar me komentin e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë, brenda dy (2) ditë pune nga data e pranimit të kërkesës për punë sekondare.
3.Aplikacioni i plotësuar dhe i kompletuar duhet të dorëzohet në zyrën e zyrtarit kryesor administrativ në formë fizike (përmes arkivit) apo në formë elektronike, para se të fillohet puna sekondare.
4.Zyra e zyrtarit kryesor administrativ, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike nga data e pranimit të kërkesës për punë sekondare, shqyrton dhe vendos për kërkesën e aplikuesit.
5. ZKA refuzon kërkesën për angazhim në punë sekondare, në rastet kur:
5.1. Kërkesa nuk është e kompletuar;
5.2. Angazhimi në punë sekondare bie ndesh me legjislacionin për konflikt të interesit;
5.3. Zyrtari ka përfunduar një detyrë zyrtare brenda dy (2) viteve tek subjekti në të cilin dëshiron të angazhohet në punë sekondare, apo bie në zonën e përgjegjësisë.
6. Leja nga ZKA për punë sekondare lëshohet për një afat të caktuar deri në 3 vite me mundësi rishikimi.
7. Përjashtim nga paragrafi 7 i këtij neni, leja për punë sekondare e lëshuar nga MASHTI mund të ndërpritet në çdo kohë nëse konstatohet se angazhimi i tillë bie në kundërshtim me rregullat e përcaktuara me këtë Rregullore të brendshme dhe legjislacionin në fuqi.
8. Lidhur me vendimin e ZKA, pala e
pakënaqur ka drejtë ankese sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 8
Obligimi për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit
1. Zyrtari i MASHTI, ka për obligim të parandaloj dhe të zgjidh vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij publike dhe private.
2. Zyrtari i MASHTI, në rast se ka dyshime apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur ose mund të lindë, duhet të këshillohet dhe të informoj sa më parë mbikëqyrësin e drejtpërdrejtë apo ZKA-në. Gjatë kësaj kohe, zyrtari i MASHTI duhet të pezullojë të gjitha veprimet që ndërlidhen me këtë çështje deri në vendimin përkatës në lidhje me rastin.
3. Çdo mbikëqyrës i drejtpërdrejtë ndërmerr masat e nevojshme të përcaktuara në këtë rregullore për të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit.
4. Në rast se mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë nuk është në gjendje të vlerësojë ekzistimin e konfliktit të interesit, i drejtohet organit kompetent brenda në MASHTI dhe në raste të veçanta mund ti drejtohet Agjencisë Kundër Korrupsionit (tani e tutje AKK).
5. Me qëllim të parandalimit të konfliktit të interesit, nuk lejohet që mbikëqyrësi të ketë nën vartësinë e tij të drejtpërdrejtë, persona familjarë apo të afërm.
6. Zyrtari i MASHTI dhe institucioneve tjera vartëse, nuk mund të merr pjesë në një vendimmarrje, ku ka interes privat apo është i përfshirë i afërmi i tij.
7. Zyrtari i MASHTI dhe institucioneve tjera vartëse, nuk mund të kryejë ndonjë aktivitet, kontrollë, të marrë vendim, apo ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm ku kainteres privat apo është i përfshirë i afërmi i tij.
8. Zyrtari i MASHTI-it dhe institucioneve tjera vartëse nuk mund të hyjë në një marrëdhënie kontraktuale drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi tjetër me palën, te i cili është duke kryer apo ka kryer brenda dy (2) viteve ndonjë aktivitet zyrtar mbikëqyrës, kontrollues, inspektues apo ka vendosur për ndonjë ankesë të tij.
Neni 9
Përgjegjësia e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë në parandalimin e
konfliktit të interesit në MASHTI
1. Çdo mbikëqyrës i drejtpërdrejtë është i obliguar që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe zgjidhur çfarëdo rasti të konfliktit të interesit.
2. Mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë në bazë të të dhënave që disponon, duhet të ndërmerr masat e nevojshme që të shmanget emërimi ose zgjedhja e një personi në pozitë / detyra të caktuara, në të cilat mund të lindë ose ka konflikt të interesit.
3. Në rastin kur zyrtari i MASHTI dhe institucioneve tjera vartëse dyshohet se gjendet në një situatë të konfliktit të interesit, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, merr këto veprime:
3.1. Analizon situatën e paraqitur mbi dilemat e konfliktit të interesit dhe ndërmerr veprim për zëvendësimin e zyrtarit me një zyrtar tjetër ose njofton ZKA-në;
3.2. Në raste të dyshimit për shkelje të konfliktit të interesit, udhëheqësi i drejtpërdrejtë pasi të konstatohet konflikti i interesit nga organi kompetent, inicion procedurë disiplinore në komision disiplinor;
3.3. Inicion procedura për pezullimin,
shfuqizimin apo anulimin e aktit në pajtim me legjislacionin përkatës si dhe çdo dokumenti tjetër të lëshuar nga zyrtari, i cili është marrë në rrethana të konfliktit të interesit;
3.4. Për masat e ndërmarra për parandalim të konfliktit të interesit, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve, e njofton zyrtarin përgjegjës.
4. Mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, analizon deklaratat (shtojca: tabela 1 dhe 2) mbi gjendjet e konfliktit të interesit dhe ndërmerr të gjitha veprimet për të shmangur konfliktin e interesit në afat sa më të shkurtër kohor.
Neni 10
Identifikimi dhe raportimi i konfliktit të interesit në MASHTI dhe institucioneve tjera vartëse
1. Mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, në bazë të deklaratave të interesave private të zyrtarit, ka për obligim që të krahasoj detyrat zyrtare të vartësve të tij dhe nëse identifikon që vartësi i tij ka kryer aktivitete zyrtare në rrethana të konfliktit të interesit, merr të gjitha veprimet sipas nenit 9 të kësaj Rregulloreje të brendshme.
2. Të dhënat e grumbulluara gjatë
identifikimit të konfliktit të interesit, janë konfidenciale.
3. Çdo zyrtar që ka njohuri lidhur me veprimet e zyrtarit të MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse në konflikt të interesit, obligohet që te mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë apo organi kompetent ti ofroj informatat të cilat i ka në dispozicion lidhur me konfliktin e interesit.
4. Personi që ofron informata të bazuara për rastet e konfliktit të interesit gëzon mbrojtje në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Neni 11
Trajtimi i konfliktit të interesit nga organi kompetent
1. Organi kompetent, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe të kësaj Rregulloreje të brendshme ka kompetenca për kërkimin dhe marrjen e dëshmive nga cilido person që mund të jetë në dijeni për faktet e nevojshme, lidhur me çfarëdo çështjeje që i nënshtrohet trajtimit për konflikt të interesit.
2. Bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe në këtë Rregullore të brendshme, trajton rastin në lidhje me konfliktin e interesit.
3. Mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë mund të bëjë verifikimin dhe grumbullimin e provave për rastin e ngritur, përgatitë raporte për trajtimin e rastit ashtu siç kërkohet me legjislacionin në fuqi dhe këtë Rregullore të brendshme.
4. Organi kompetent përgatit raportin për trajtimin e rastit dhe nëse ka të gjetura rekomandimet i përcjellë tek organet përkatëse përgjegjëse.
5. Organi kompetent, mund ti drejtohe AKK-së lidhur me rastin.
Neni 12
Tentimi dhe ndikimi në vullnetin e zyrtarit
Në rastet kur ekziston tentimi i ndikimit në vullnetin e zyrtarit të MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse, zyrtari duhet ta lajmëroj me shkrim mbikëqyrësin apo zyrtarin kryesor administrativ në mënyrë që të shmang çdo ndikim në vullnetin e tij.
Neni 13
Mënyrat e trajtimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesit
1. Mënyrat e trajtimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesit për zyrtarët e MASHTI-t dhe institucioneve tjera vartëse bëhen në pajtim me këtë Rregullore dhe me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionit në fuqi.
2. Disa nga mënyrat bazë të mënjanimit të konfliktit të interesit, janë:
t2.1. T’i kufizohen zyrtarit informacione të caktuara që lidhen me ushtrimin e funksionit të tij; 2.2. Të mos i ngarkohen detyra që mund të çojnë në shfaqje të një konflikti të interesit;
2.3. Të mos i lejohet zyrtarit të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes;
2.4. Të rishikohen ose të ndryshohen detyrat dhe kompetencat e zyrtarit;
2.5. Të transferohet zyrtari në një detyrë tjetër që shmangë konfliktin e interesit;
2.6. Të merren masat e nevojshme për të shmangur emërimin ose zgjedhjen e një zyrtari në funksione, në të cilat mund të lindin ose ka konflikt interesi;
2.7. Në rast të një akti të marrë në
kushte (ose rrethana) të konfliktit të interesit, në çdo mënyrë që kjo vihet re, të bëhet pezullimi, shfuqizimi apo anulimi i aktit në pajtim me legjislacionin përkatës, sa më parë që të jetë e mundur, para se akti të ketë sjellë pasoja juridike;
2.8. Anulimi, pezullimi, shfuqizimi ose revokimi i aktit administrativ mund të bëhet edhe kur gjykohet se akti është marrë në kushtet e konfliktit në dukje të interesit, i cili mund të shfaqet rast për rast ose në mënyrë të vazhdueshme.
Neni 14
Sanksionet
1. Çdo shkelje e dispozitave të Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit si dhe të kësaj Rregulloreje të brendshme, do të konsiderohet shkelje disiplinore, pavarësisht përgjegjësive eventuale penale. Shkeljet disiplinore trajtohen në pajtim me rregullat për zyrtarët publik.
2. Dispozitat e Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe kësaj Rregulloreje të brendshme nuk përjashtojnë përgjegjësinë disiplinore, kundërvajtje dhe penale të zyrtarit sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 15
Shtojcat
1. Pjesë e kësaj Rregulloreje të brendshme janë shtojcat, si në vijim:
1. 1. Shtoca nr. 1: Aplikacioni i Kërkesës për punë sekondare jashtë punës së MASHTI;
1.2. Shtojca nr. 2: Formulari i Deklaratës mbi gjendjen e Konfliktit të interesit.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Kjo Rregullore e brendshme hyn në fuqi në datën e nënshkrimit të saj.
Shkarko tani: