Vitet e para të jetës së një fëmije janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse gjatë kësaj periudhe truri i tij zhvillohet me një ritëm të jashtëzakonshëm, duke formuar triliona lidhje komplekse. Çdo neuron, apo qelizë nervore, lidhet me mbi 15,000 neurone të tjera përmes një rrjeti të dendur rrugësh nervore, që zgjerohen dhe konsolidohen veçanërisht gjatë tre viteve të para. Truri i një fëmije dyvjeçar, që sapo ka filluar të ecë, ka një aktivitet aq të fuqishëm sa edhe ai i një të rrituri, ndërsa truri i një fëmije trevjeçar është dy herë e gjysmë më aktiv se ai i një adoleshenti.
Këto lidhje nervore, të formuara në fazën e hershme të jetës, mbeten me individin gjatë gjithë jetës së tij, duke ndikuar përfundimisht në mënyrën se si zhvillohen aftësitë njohëse dhe ato emocionale. Prandaj, për një zhvillim sa më të shëndetshëm, është e domosdoshme që truri i parashkollorit të përfitojë nga një mjedis stimulues dhe i ngrohtë.
Si prindër, kemi mundësinë të reflektojmë mbi të metat tona dhe të punojmë për t’u bërë gjithnjë më të mirë për fëmijët tanë. Edhe pse mund të përpiqemi vazhdimisht për t’u ofruar atyre gjithçka që mundemi, baza e këtij investimi është vëmendja, dashuria dhe “koha cilësore” që u kushtojmë. Kjo përfshin interesimin e veçantë dhe komunikimin e vazhdueshëm e të ngrohtë me fëmijët tanë.
Një fëmijë ka nevojë për prindër të matur e të dashur, që shfaqin respekt të ndërsjellë dhe krijojnë një atmosferë pozitive në shtëpi. Fëmija që rritet në një mjedis ku ndihet i dashur dhe i respektuar zhvillon një ndjenjë të thellë sigurie dhe mirëqenieje. Sidoqoftë, është e rëndësishme të kuptojmë që prindërimi nuk kërkon perfeksion; mund të ndodhin gabime në procesin e rritjes së fëmijëve, por është thelbësore që këto gabime të mos e shkurajojnë përpjekjen tonë për të krijuar një ambient të shëndetshëm për ta.
Në të vërtetë, të nxënit nuk përfundon kurrë. Mësimet më të forta dhe më të gjalla për jetën merren gjatë fëmijërisë, duke lënë gjurmë të përhershme në mendjen dhe në zemrën e fëmijës. Këto mësime kanë një efekt të veçantë që shfaqet përgjatë gjithë jetës së individit.
Për t’u dhënë fëmijëve tanë një ndjenjë të thellë të sigurisë dhe kënaqësisë së të qenët vetvetja, nevojitet një përkushtim që t’i përfshijmë në përvoja pozitive dhe të sigurojmë një ambient ku mund të ndihen të mbështetur dhe të pranuar. Kështu, i ndihmojmë ata të zhvillojnë aftësinë për të përballuar stresin, të marrin përgjegjësi dhe të bëhen individë produktivë dhe të vetëdijshëm për rolin e tyre në shoqëri.
Burimi: Dr. Sajgell, “Psikologjia e fëmijëve 0-7 vjeç”
Përgatiti: P. Blakaj, Prinderimi.com