Dhuna ndaj fëmijëve mbetet një nga sfidat më të dhimbshme dhe të papranueshme për shoqërinë tonë. Ngjarja e fundit në qytetin e Shtimes raportuar nga Nacionale, ku një i mitur është bërë viktimë e dhunës nga një bashkëmoshatar i njohur për qytetin si problematik e bullizues, na kujton përgjegjësinë që kemi të gjithë si prindër, edukatorë, institucione dhe shoqëri në përgjithësi, për të mbrojtur fëmijët tanë nga çdo formë e dhunës dhe për t’u ofruar një mjedis të sigurt për zhvillimin e tyre.
Videoja e publikuar në rrjetet sociale, e cila ka nxitur reagime të forta në opinionin publik, tregon urgjencën për të forcuar menaxhimin e konflikteve që nga mosha më e re. Pamjet e nxënësit problematik duke ushtruar dhunë ekstreme mbi të miturin janë shqetësuese dhe të papranueshme. I mituri viktimë e rastit në fjalë, ka shpjeguar se dhuna e ushtruar ndaj tij vjen si pasojë e bullizimit dhe ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme. Ndërsa, me shqetësimin e njejtë të ndjeshëm ka reaguar edhe nëna e të miturit, që ka kërkuar nga institucionet përkatëse një veprim të menjëhershëm para se djalit të saj ti ndodhë më e keqja.
Rrjeti i Prindërve të Kosovës apelon për solidaritet me familjen e fëmijës së prekur dhe kërkon veprim të plotë të menjëhershëm nga institucionet përkatëse për të siguruar drejtësi dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Ky rast është përcjellur si dhunë ektreme, sulm fizik i njëpasnjëshëm dhe denigrim publik. Ndërsa për rendin mbetet një menaxhim i paefektshëm, sjellje joprofesionale dhe trajtim johuman i fëmijës.
Dhuna ndaj fëmijëve nuk është thjesht një incident individual si i lartpërmenduri, por një pasqyrim i nevojës për transformim të përbashkët e urgjent në mendësi dhe veprim të përgjithshëm. Për fëmijët tanë si e ardhmja e shoqërisë, ne duhet të luftojmë dhunën përmes edukimit të mirfilltë dhe drejtësisë.
Ne dënojmë këto akte dhune, përfshirjen e fëmijëve në to dhe duam të theksojmë se këto dukuri negative janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të marrin denimin e merituar. Detyra jonë si individë është të përballemi me këto sfidë dhe t’ua sigurojmë fëmijëve tanë një mjedis të sigurt dhe asesi t’i trajtojmë këto raste si raste normale.
Dhuna mes fëmijëve është një problem i dyfishtë. Viktimat e prekura të dhunës kërkojnë mbrojtje nga dhuna e brendshme në familje dhe në shoqëri. Edukimi i mirëfillt për vlerat e respektit dhe bashkëjetesës, ngritja e vetëdijës dhe zërit për parandalimin e dhunës, trajtimin adekuat të fëmijëve dhe personave pa dallim dhe sidomos përkrahjen e rasteve më të ndjeshme të shoqërisë, sensibilizimin i masës për shkaktarët dhe ofrimin i zgjidhjeve afatgjata janë disa nga hapat themelorë për ndërprerjen e këtij problemi.
21 janar 2025
Rrjeti i Prindërve të Kosovës