Televizioni: Medium i njohur tek fëmijët
Televizioni ende bën pjese në një nga mediat më të rëndësishme në jetën e fëmijëve. Lexoni këtu pse ata janë kaq të tërhequr nga “Paisja televizive“dhe sesi televizioni ndikon në jetën e përditshme familjare.
Pse televizioni është kaq magjepsës?
Pas librave dhe mediave audio, televizioni bëhet mediumi numër një për fëmijët në moshë të re. Që nga mosha dy deri në tre vjeç tashmë shikojnë televizor gati rregullisht, rreth një e treta madje çdo ose pothuajse çdo ditë. Rreth moshës katër vjeçare, televizori fiton popullaritet dhe përdorimi i përditshëm rritet dukshëm (dy të tretat e fëmijëve katër deri në pesë vjeç shikojnë pastaj televizor çdo ditë ose pothuajse çdo ditë). Në këtë moshë, televizioni gjithashtu i largon librat nga vendi i parë: derisa për shumicën e fëmijëve dy deri në tre vjeç librat janë ende të domosdoshëm, për fëmijët katër deri në pesë vjeç, televizioni është mediumi më i rëndësishëm prej të cilit, sipas prindërve të tyre, nuk dëshirojnë të heqin dorë.
Edhe fëmijët e vegjël magjepsen nga imazhet shumëngjyrëshe, lëvizëse dhe tingujt. Televizioni i magjepsë dhe së bashku me heroinat dhe heronjtë e programit të tyre të preferuar përjetojnë aventura dhe zbulojnë botën. Televizioni largon mërzinë, sjell argëtim dhe tension (interesim). Dhe është një lloj “dritareje drejt botës” përmes së cilës fëmijët mund të mësojnë gjëra për botën. Fëmijët më të rritur shpejt e përdorin televizionin si një burim orientimi. Në varësi të nivelit të tyre të zhvillimit ose situatës aktuale të jetës, ata kërkojnë për shembull sugjerime të dobishme për jetën e tyre të përditshme.
Televizioni lehtë mund t’i mbingarkojë (pushtojë) fëmijët
Shikimi i televizorit paraqet gjithashtu rreziqe – veçanërisht për fëmijët. Mund t’i pushtojë, t’i trembë ose t’i shqetësojë ose t’u “luaj” një botë të supozuar reale. Dhe mund të marrë aq shumë kohë sa të mos mbetet kohë për gjëra të tjera të rëndësishme dhe argëtuese si lojërat, leximi dhe ushtrimet e mjaftueshme. Për këtë arsye shikimi i televizionit duhet të “mësohet”. Së bashku me ju si prindër, fëmijët mund të mësojnë të kuptojnë dhe klasifikojnë përmbajtjet televizive gjithnjë e më mirë, por mbi të gjitha të kufizojnë kohën e shikimit të televizionit dhe të zgjedhin oferta të arsyeshme.
Si prind, ju jeni shoqëruesi i fëmijës tuaj, por edhe një model. Studimet tregojnë per sa kohë dhe çfarë shikoni në televizor ju si prind gjithashtu përcakton në masë të madhe sjelljen e shikimit të televizorit të fëmijës suaj.
Filmat dhe televizioni – kurdo dhe kudo që i pëlqen familjes
Filmat dhe shfaqjet televizive janë tashmë të disponueshme në shumë pajisje: përveç televizionit “klasik”, përdorimi i mediave të tjera të ekranit në kombinim me internetin po rritet me shpejtësi në familje.
Video, DVD dhe gjithashtu shërbimet e transmetimit ose transmetuesit e mediave të kanaleve televizive që janë të qasshme në internet nëpërmjet televizorëve, kompjuterëve, tabletave ose telefonave inteligjentë (smartfonave) ofrojnë shumë përparësi, veçanërisht për familjet.
Ato hapin mundësinë e shikimit të programeve në kohë të ndryshme – programet dhe filmat e regjistruara, të huazuara ose të blera dhe filmat më pas mund të shikohen kur u përshtatet. Ose mund t’i shikoni ato në internet në një kohë të përshtatshme. Kjo do të thotë që jeta familjare nuk duhet të bazohet në datat e transmetimit.
Ashtu si te mediat audio, një program ose film gjithashtu mund të shikohet në mënyrë të përsëritur, gjë që plotëson shumë nevojat e fëmijës. Duke e parë disa herë, fëmijët mund të përpunojnë skena emocionuese ose të zbulojnë aspekte të reja një skeqet qesharake. Përveç kësaj, mundeni ju si prindër, fillimisht të shikoni filmat pa fëmijën nëse jeni të pasigurt se a janë të përshtatshëm për fëmijën tuaj. Një përparësi tjetër ndaj televizionit të drejtpërdrejtë është se programet ose filmat më të gjatë mund të ndahen në pjesë të përshtatshme për fëmijët dhe të shikohen për disa ditë. Përveç kësaj, nuk ka pauza reklamash, të cilat zgjasin më tepër kohën para ekranit dhe zgjojnë interesa të panevojshme. Fakti që përmbajtja televizive është e disponueshme pothuajse vazhdimisht dhe kudo falë mediave të reja mund të jetë gjithashtu joshëse dhe të largojë detyrat dhe aktivitetet alternative.
Çfarë ndikimi ka televizioni në jetën e përditshme familjare?
Pothuajse të gjithë anëtarët e familjes kalojnë një pjesë të caktuar të kohës së lirë para televizorit. Pavarësisht nga përmbajtja, televizioni shpesh ka funksione shumë konkrete në jetën familjare: dëshironi të kaloni një mbrëmje komode të së shtunës së bashku si familje; ju ndezni televizorin fëmijëve tuaj sepse si prind keni nevojë për një moment qetësie për një bisedë të rëndësishme telefonike; Fëmija i sëmurë duhet të shpërqendrohet pak, ose kjo është thjesht pjesë e ritualit të mbrëmjes. Nuk ka asgjë të keqe me këtë, përderisa shikimi i televizorit është i kufizuar në kohë, është vetëm një nga aktivitetet e shumta dhe fëmijët mbahen larg përmbajtjeve që nuk janë të përshtatshme për moshën dhe që mund t’i dëmtojnë ata.
Megjithatë, në shumë familje, televizioni është kthyer në një “medium alternativ” që nuk tërheq vëmendjen e plotë dhe kalon në prapaskenë. Media të tjera përdoren gjithashtu shpesh, veçanërisht mediat celulare si tabletët dhe telefonat inteligjentë. Për shembull, po ndodh gjithnjë e me shpesh që disa anëtarë të familjes të ulen së bashku para televizorit, por edhe të shkruajnë në chat, të lexojnë email ose të luajnë lojëra në internet.
Si prind, gjithmonë pyesni veten se si televizioni ndikon në jetën tuaj familjare. Kaloni orë të tëra argëtimi bashkë apo ka më tepër konflikte për zgjedhjen e programit? A çon në biseda emocionuese rreth asaj që kemi parë dhe madje inkurajon një bisedë të përbashkët brenda familjes? Apo televizioni shërben më shumë si një mënyrë për të shmangur një bisedë? A pajtohen të gjithë anëtarët e familjes me rregullat apo ka gjithmonë zemërim dhe humor të keq kur fëmijët duhet të fikin televizorin? Atëherë duhet të flisni me fëmijët tuaj për këtë temë dhe të ndërmerrni diçka së bashku në lidhje me të.
Programet duhet të jenë të përshtatshme për fëmijët dhe të përshtatshme për moshën e tyre
Çfare shikojnë fëmijët, nuk duhet gjithmonë të pëlqehet nga prindërit (mund të mos nxit interesim te prindërit, por te fëmijët po) , por ajo duhet të jetë gjithmonë e pershtatshme për fëmijët. Jo gjithçka që shfaqet në televizion është e përshtatshme për fëmijët. Vlerësimet e moshës së Vetëkontrollit Vullnetar (FSK – Freiwillige Selbstkontrolle) janë një tregues fillestar, por nuk pretendojnë të jenë një vulë e cilësisë ose një rekomandim arsimor. Nëse një film nuk ka kufi moshe, kjo nuk do të thotë se është i përshtatshëm për një fëmijë trevjeçar. Ashtu siç mendoni se cili libër është i përshtatshëm për moshën dhe interesat e fëmijës kur bëhet fjalë për librat për fëmijë, ashtu duhet t`i kushtoni pak kohë dhe të mendoni për përzgjedhjen e filmave dhe programeve.
Programet dhe filmat që nuk i njihni, së pari duhet t`i shikoni bashkë me fëmijën tuaj. Tani ka edhe një gamë të gjerë të këshillave për filma dhe programe nga ekspertë në internet (Wegweiser Medien). Këtu mund të shihni konkretisht nëse dhe nga cila moshë filma dhe programe të caktuara janë vërtet të përshtatshme për fëmijën tuaj.
Kushtojini vëmendje vëllezërve dhe motrave më të vegjël derisa shikoni televizor
Me fëmijën e parë, është zakonisht mjaft e lehtë të ndiqni të gjitha këshillat e mira të ekspertëve dhe t’i ofroni fëmijës televizor vetëm në “kafshime” të vogla, të përshtatshme për moshën. Me fëmijën e dytë bëhet pastaj më e vështirë dhe, siç tregojnë studimet, më së largu fëmijët e tretë shpesh thjesht shikojnë atë që po shohin vëllezërit e motrat e tyre më të mëdhenj.
Sigurisht që nuk është problem nëse një fëmijë më i vogël shikon një program të padëmshëm për fëmijët më të mëdhenj në të cilin ata ende nuk kuptojnë gjithçka. Por si prindër, mbani nën vëzhgim problemin dhe mbroni fëmijën tuaj më të vogël nga ofertat që thjesht nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. Fëmija më i vogël ndoshta mund të shikojë një program tjetër më herët ose më vonë, të cilin fëmija i madh nuk lejohet ta shikojë (dmth të kenë kohë të ndara), ose ai ose ajo mund të bëjë diçka tjetër argëtuese derisa fëmija më i madh është duke parë TV (për shembull, luan diçka vetëm me ju ose shikon diçka në kompjuter). Por ai gjithashtu duhet të mësojë se kur bëhet fjalë për televizionin, ka dallime midis vëllezërve dhe motrave të moshave të ndryshme – i pëlqeu apo jo.
Më së miri të shikoni TV së bashku
Nëse secili shikon televizor vetë, mund të zgjedhë programin sipas interesave të veta pa pasur asnjë konflikt për perzgjedhjen e programeve. Meqenëse televizioni gjithashtu kontribon në zhvillimin emocional, për shembull duke formuar dhembshuri ose mospëlqim, një pjesë thelbësore e edukimit mediatik është t’u flasësh vazhdimisht fëmijëve për atë që kanë parë dhe dëgjuar dhe t’i shoqërosh e vëzhgosh gjatë lojërave të tyre. Shikimi i TV së bashku si familje jo vetëm që ofron mundësinë për të bërë diçka së bashku, por edhe për të shkëmbyer ide rreth saj. Në biseda të tilla, prindërit mund të kenë qasje në ndjenjat dhe mendimet e fëmijëve të tyre – dhe anasjelltas. Nëse të gjithë shikojnë vetëm, ky komunikim nuk ndodh ose ndodh shumë më rrallë.
Sigurisht, është e rëndësishme që familjet të kenë edhe shumë aktivitete të tjera të përbashkëta që i bashkojnë anëtarët e familjes dhe i lejojnë ata të përjetojnë diçka së bashku: nga lojërat në tavolinë te mbrëmja me grill deri tek vizitat në fushën e futbollit. Por mund të jetë gjithashtu një shfaqje që e shikoni herë pas here së bashku, për të cilën flisni, qeshni së bashku ose uleni pranë njëri-tjetrit dhe përqafoheni në momente emocionuese.
Perktheu dhe pershtati: Fitore Maqedonci, Prinderimi.com
Burimi: https://www.kindergesundheit-info.de/themen/medien/medienarten/fernsehen/