Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të ketë dallime në mendime dhe shije në mesin e krijesave të Tij. Sikurse nuk mund të gjesh dy fytyra saktësisht identike, njësoj nuk mund të gjesh dy individë që janë identikë në mentalitet, ndjenja dhe dëshira. Kjo i jep të drejtë natyrës së njerëzve për mospajtim me njëri-tjetrin, qofshin të rinj apo të vjetër. Ashtu siç është e drejtë të ketë mospajtime, gjithashtu është detyrë të pranohet e drejta për të qenë ndryshe. Për këtë arsye, Allahu i përshkruan robërit e Tij të devotshëm me fjalët:
“… falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri- tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne.” Esh- Shura, 38
Koncepti i Shuras (konsultimit të ndërsjellë) në Islam tejkalon përdorimin e tij vetëm në sferat ushtarake dhe politike, ose në vendin e punës ose vetëm në mjediset familjare. Përkundrazi, ajo është praktikë e jetës. Të rinjtë i pyesin të vjetrit dhe të vjetrit i pyesin të rinjtë dhe të dy palët e dëgjojnë njëri-tjetrin dhe ndajnë këshillat, negociojnë dhe debatojnë çështjet përderisa përpiqen të arrijnë te një mendim i përbashkët. Sigurisht se kjo është gjëja korrekte që duhet të shohim në të gjitha aspektet e jetës. Le të sqarojmë rëndësinë e dialogut në mesin e anëtarëve të një familjeje dhe dëmet që pasojnë nëse neglizhohet ai:
1. Edukimi i fëmijëve është një ndërveprim midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Sa më serioz dhe emocional të jetë ndërveprimi aq më tepër do të ndikohen të rinjtë nga ata që e japin edukimin. Kur një fëmijë të mund të flasë lirshëm dhe t’i pyes prindërit e tij për gjërat që nuk i di dhe kur e gjen të lehtë të bisedojë me çiltërsi dhe sinqeritet për dëshirat, ëndrrat, opinionet dhe problemet, atëherë mund të ndodhë ndryshimi në personalitetin e tij, njësoj sikur kripa që e ndryshon ujin. Nëpërmjet kontaktit me ujin, kripa e merr një natyrë të re. Jo vetëm që pëson ndryshim në ujë, duke u shkrirë, por ajo gjithashtu ndikon në ujë, duke e bërë atë të njelmët, pasi ka qenë i ëmbël.
Nëpërmjet dialogut me bashkëshorten e tij, burri arrin një të kuptuar të mirë të shumë çështjeve të reja. Edhe ajo përfiton prej tij. Edhe fëmijët përfitojnë nga ndërveprimi me babanë dhe nënën dhe nga ndërveprimi me njëri-tjetrin. Arsyeja është se dialogu ofron mundësinë për ndërveprim, ndërsa këmbëngulja në mendimin tënd dhe ambicia për t’i tejkaluar të tjerët dhe për ta imponuar mendimin, prish marrëdhëniet dhe i ngushton shanset për të pasur një efekt dhe ndryshim pozitiv te të tjerët. Kam parë të rinj dhe të reja që nuk u ngjajnë prindërve as në edukatë, as në ideologji e as në etikë, për shkak të hendekut që ekziston midis tyre dhe që i bën të duken se po jetojnë në dy botë të ndryshme. Mjaft shpesh dëgjon dikë duke thënë “SubhanAllah, kurrë nuk do t’ju shkonte mendja se ky është femija i filanit!”
2. Kanë thënë më parë se edukimi është ndërveprim dhe pa ndërveprim nuk ka edukim. Qëllimi i edukimit është të ndërtohet personaliteti i një fëmije dhe të përgatitet për jetë ose si themi nganjëherë të “shpejtohet pjekuria e tij”, kështu që ai të mund të korrë përfitimet maksimale nga jeta e tij.
Dialogu garanton ndërveprim të sigurt dhe ndërtim të qëndrueshëm të personalitetit të një fëmije dhe e bën të shohë të kuptuarit, durimin dhe përgatitjen që e kërkon beteja e jetës. Kur të dialogojmë me një fëmijë, ne i japim një ndjenjë të barazisë. Ai bëhet një individë që kupton dhe bart përgjegjësinë për çfarëdo që thotë. Ai i mbron mendimet e tij dhe përpiqet të peshojë atë që e dëgjon prej të tjerëve dhe e shqyrton pranueshmërinë e saj. Ai gjithashtu mund të kundërshtojë atë dhe të nxjerrë në pah të metat e saj.
“Vërtet, kur dialogojmë me një fëmijë, ne e bëjmë atë që luanesha e bën kur luan me të vegjlit e saj dhe përpiqet t’i trajnoj në gjueti.” Vetëm imagjino se çfarë ndjenje do të ishte kur një burrë katërdhjetë vjeçar i thotë birit të tij dhjetë vjeçar: “Çfarë mendon për planin e shtëpisë së re që planifikojmë ta ndërtojmë për familjen?” Ose kur një nënë e mençur i thotë bijës së saj njëmbëdhjetë vjeçare: “Eja le të bëjmë plane për përdorimin e televizorit në shtëpinë tonë.” Çfarë do të ndodhte në ato situata. Fëmija, djalë ose vajzë do të ndiejë vetëbesim për respektin që e gëzon te prindërit, sepse i kanë dhënë shansin të shprehë mendimin dhe dëshirën e tij, si dhe ta mbrojë atë. Kjo do ta mësojë t’i respektojë të tjerët dhe do ti ndihmojë të zhvillojë vetëbesimin. Allahu ka krijuar në shpirtrat e të rinjve dhe të vjetërve një shkallë të lartë të fisnikërisë që shpesh i bën të duan ta kthejnë nderin me nder, faljen me falje dhe durimin me durim. Ne i mësojmë fëmijët të bëhen njerëz të ndershëm dhe t’i ndihmojnë të tjerët të bëhen të ndershëm. Në këtë mënyrë, tiparet e shoqërisë do të ndryshojnë dhe do të bëhet një shoqëri e njerëzve të ndershëm.
Fëmijët, përveç që ndiejnë vetëbesim kur dialogojnë me ne, gjithashtu ndihen të sigurt. Ata kanë bërë gabime për kohë të gjatë dhe janë kritikuar për gjëra të caktuara që kanë ndodhur rreth tyre dhe për kohë të gjatë kanë mbajtur gjëra sekret. Mirëpo kur bëhen të ndihen se janë të pjekur dhe ftohen në dialog me prindërit, ata do të ndihen të sigurt. Imagjino një fëmijë duke e pyetur shokun: “A e di baba yt çfarë na ka ndodhur dje?”
Ai i përgjigjet: “Si duket ai nuk e di, se përndryshe do ta diskutonte me ne bashkërisht në mëngjes.”
Formimi i kulturës së dialogut ndihmon fëmijën të kapërcejë frikën tradicionale të hapjes së një diskutimi për një çështje të pakëndshme. Kur kjo mungon ose është e dobët, gabimet dhe problemet do të grumbullohen. Për këtë arsye fëmijët u frikësohen uljeve të gjata ku temë diskutimi janë çështjet e vjetra dhe të reja që lidhen me ta, me shprehitë e tyre të mira ose të këqija, ose me sjelljet e pranuara apo të papranuara. Dialogu i vazhdueshëm do ru ndihmonte ta kapërcenin atë frikë.
3. Prindërit korrin shumë përfitime nga dialogu me fëmijët e tyre, në mesin e të cilave veçohen dy: së pari, dialogu bën t’i kuptojnë aspiratat e fëmijëve të tyre, problemet e tyre dhe të kuptuarit e çështjeve. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet dialogut. Të marrin shembullin e një vajze, e cila po kalon dy përvoja të hidhura me shoqet e dhomës së saj. Njëra e akuzon se është budallaqe, e tjetra se është egoiste. Një tjetër i thotë e shëmtuar, e kështu me radhë. Kjo vajzë nuk di si të dalë nga kjo situatë dhe frikësohet se ajo që ato e thonë mund të jetë e vërtetë. Nëse ajo e hap një diskutim me babanë e saj për këtë çështje, ai (babai tipik i cili nuk inkurajon dialog) ka gjasë që ti konfirmojë akuzat e shoqeve të saj me qëndrimin e tij.
Një fëmijë tjetër nuk mund ta kuptojë atë që e shpjegon arsimtari i matematikës dhe është i dobët në detyrat e tij. Atij i kanë dhënë një letër nga shkolla me të cilën ftohet babai i tij për një diskutim me autoritetet e shkollës për problemin e tij, mirëpo ai nuk ia jep babait, kështu që ai jeton në frikë dhe shqetësim. Sikur dialogu me anëtarët e familjes dhe biseda e lirë me ta të ishte bërë praktikë në familje, as vajza e as djali nuk do ta bartnin presionin e panevojshëm, meqë familja do t’ua zgjidhte problemet me lehtësi dhe me shpejtësi.
“Edukimi korrekt kërkon që kujdestari të njehë psikikën, menta- litetin dhe shqetësimet e anëtarëve që i ka nën kujdestari. Mënyra më e mirë është të ndërtohet një marrëdhënie e hapur me ta nëpërmjet të cilës, ata mund të shprehin brengat e tyre me lehtësi të madhe.
Së dyti është njohja e imazhit mendor që fëmijët e tyre e kanë formuar për ta, për shtëpinë dhe familjen e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme, për shkak se përplasjet e shpeshta brenda familjes kanë potencial të bëjnë çdo anëtar të formojë një përshtypje në trurin e tij për të tjerët, të cilat mund të jenë të gabuara. Një djalë mendon se babai i tij është koprrac për shkak se nuk shpenzon për të sa babai i shokut të tij, Ahmedit, ndonëse ai e ka një punë me pagë më të ulët. Një vajzë mund të mendojë se nëna nuk kujdeset për të sa kujdeset për vete, sepse ajo është shumë e zënë duke kryer funksione shoqërore dhe duke i vizituar shoqet, në vend që ti kushtojë vëmendje mirëqenies së bijës së saj.
Një djalë tjetër, një adoleshent, mendon se babai i tij e ka thyer premtimin për të qindtën herë, për t’i blerë një veturë nëse kalon mirë në studime. Një vajzë adoleshente mendon se vëllezërit e saj e shqetësojnë babanë e moshuar shumë me kërkesa të pafundme, aq shumë saqë pret me padurim kur do të martohen dhe do të dalin në shtëpitë e tyre, e kështu me radhë.
Këto supozime dhe besime pa marrë parasysh a janë të vërteta apo jo, e dobësojnë ndërveprimin midis anëtarëve të një familjeje dhe e bëjnë ndikimin pozitiv të prindërve në fëmijët e tyre shumë minimal.
Padyshim se dialogu i vazhdueshëm midis prindërve dhe fëmijëve do t’i inkurajojë fëmijët të flasin atë që e mendojnë lirshëm dhe kjo do t’u mundësoj prindërve të njohin përshtypjen që fëmijët e tyre e kanë për ta. Nëse këto përshtypje janë të sakta, edhe nëse janë negative, atëherë ata duhet ta ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të fillojnë një fazë të re në jetën e tyre. Nëse përshtypjet janë të gabuara, atëherë ata duhet t’i përmirësojnë ato, duke i bërë fëmijët të shohin realitetin ashtu si është. Kjo është shumë me rëndësi. Unë mendoj se shumë prej nesh do të tronditeshin kur të zbulonin se çfarë imazhe të gabuara janë në mendjet e fëmijëve të tyre.
4. Në asnjë kohë nuk ka qenë më i rëndësishëm dialogu në mesin e anëtarëve të një familjeje sesa tani, për shkak të invazionit të gjerë që po vjen nga Perëndimi, i cili nuk ka kursyer asnjë shtëpi. Në të kaluarën, fëmijët kanë qenë më besnikë ndaj vlerave dhe traditave lokale. Atëherë sfidat kanë qenë më të vogla, mirëpo çdo gjë ka ndryshuar sot dhe në të vërtetë ka ardhur në një gjendje shumë të rëndë, me një garë të nxehtë midis nesh dhe formave të ndryshme të medias.
Nëse në dështojmë të ndërtojmë komunikim me fëmijët tanë dhe ata dështojnë ta bëjnë atë, atëherë ne me padashje do t’ia dorëzojmë fëmijët valës rrëmbyese të tanishme në shoqëri, e cila as nuk bazohet në dituri, e as nuk është e udhëzuar në rrugën e drejtë. Më e rrezikshmja është t’ua dorëzojmë mediave të fuqishme, të cilat vazhdimisht përpiqen të ngulisin kulturën perëndimore në shoqërinë tonë dhe t’i ndryshojnë aspiratat e fëmijëve tanë, edukatën e tyre dhe këndvështrimin e gjërave në përgjithësi.
Fëmijët nuk mund të bëjnë dallim midis realitetit dhe fantazisë dhe ata kanë prirje të jenë nën iluzion. Kjo i bën të pambrojtur ndaj mashtrimeve të vazhdueshme. Nganjëherë mashtrimet nuk kanë të ndalur. Nevojat e fëmijëve tanë sot janë të ngjashme me ato të një personi që i ka mbetur vetura pa karburant në një shkretëtirë të largët. Nevojat e tyre nuk janë më të vogla sesa nevojat e një personi të tillë, i cili ka nevojë t’i ndihmojë një tjetër veturë kalimtare në këtë kohë kritike. Ata kanë aq shumë nevojë sikurse njeriu që pret nga dikush ta furnizojë me derivate para se ta humbë shpresën për jetë. Shumë adoleshentë kanë humbur shpresën në familjet e tyre se do të lidhen ndonjëherë me ta dhe për rrjedhim kanë gjetur njerëz, të cilëve mund t’ua paraqesin problemet e tyre. Ata i kanë gjetur në internet. Shumë prej nesh nuk e dinë se sot ka dhjetëra mijëra vajza që kanë filluar lidhje të jashtëligjshme me djem dhe një numër i njëjtë vetëm është nisur në atë rrugë.
“Shkaku i kësaj është zbrazëtira emocionale që ekziston midis tyre dhe të rriturve dhe mungesa e familjeve që duhet t’i udhëzojnë, ndihmojnë dhe t’u sigurojnë lumturi.”
Një grup tjetër i djemve të rinj dhe vajzave gjejnë ngushëllim te shokët. Komunikimi i kësaj kategorie është shumëfishuar, jo nëpërmjet vizitave te njëri-tjetrit, mirëpo nëpërmjet kafeneve, restoranteve, parqeve dhe shumë vendeve të tjera. Në këto vende e gjejnë atë që u mungon në familjet e tyre: gjejnë vesh që i dëgjojnë, shfaqje të dhembshurisë dhe përpjekje për t’i kuptuar. Mirëpo, ata gjithashtu gjejnë personat që janë të gatshëm t’i mësojnë të pinë duhan, të përdorin drogë dhe persona që i ekspozojnë ndaj filmave pomografik dhe videoklipeve të pamoralshme dhe gjërave të ngjashme.
Mungesa e komunikimit në shtëpi, i çon të rinjtë në kërkim të saj nga burimet e tjera. Janë bërë shumë studime dhe hulumtime, të cilat kanë treguar se të rinjtë, djem e vajza, gjejnë shpëtim në internet dhe te shokët e tyre për shkak të zbrazëtirës emocionale për të cilën folëm dhe gjithashtu për shkak se nuk ka vesh që i dëgjojnë dhe nuk kanë ku të mbështeten dhe të kërkojnë strehim nga problemet dhe vuajtjet e tyre. Ka shumë stu- dime të ngjashme që tregojnë se devijimi i shumë fëmijëve të familjeve të respektueshme dhe fetare ndodh për shkak të shokëve të këqij që i kanë takuar kur familja ka qenë e pavëmendshme ndaj tyre.
Nuk dëshiroj të zgjatem më tepër në rëndësinë e dialogut brenda familjes, por dëshiroj të them këtë: shumica absolute e familjeve tona kanë mangësi në mbajtjen e komunikimit me fëmijët, ndonëse ne të gjithë mund të jemi më të mirë në këtë fushë. Hapi i parë është të vlerësojmë rëndësinë e kësaj çështjeje. Tani është koha ta hedhim atë hap.
Mbaje në mend:
Allahu na ka krijuar me dallime individuale dhe duhet ta pranojmë këtë. Pranimi se jemi të ndryshëm nga natyra, duhet të çojë në pranimin e të drejtës së të tjerëve për të pasur mendim ndryshe në çështje të caktuara.
Edukimi është ndërveprim midis prindërve dhe fëmijëve dhe ashtu siç ndikojmë në personalitetet e tyre, ne gjithashtu duhet të lejojmë veten të ndikohemi pozitivisht prej tyre.
– Kur të dialogojmë me fëmijët tanë dhe të kërkojmë këshillën e tyre, ne e forcojmë vetëbesimin e tyre dhe gjithashtu i mësojmë të praktikojnë dialogun me të tjerët në të gjitha çështjet e jetës.
Komunikimi me fëmijët tanë, i bën të ndihen të sigurt nga marrja e tyre në pyetje për sjelljet e pakëndshme të tyre. Pra, ata nuk ndihen në siklet se do t’u kërkohet të rrëfehen për to.
– Nga dialogu me fëmijët ne korrim shumë përfitime, në mesin e të cilave janë të kuptuarit se si mendojnë dhe problemet që i vuajnë, si dhe përshtypjet e tyre për ne.
– Në mesin e dobive të komunikimit të shëndoshë me fëmijët është mbrojtja e tyre nga ndikimi shkatërrues i medias.
– Studimet kanë treguar se devijimi i fëmijëve të shumë familjeve të respektuara ka ardhur si shkak i shoqërisë së keqe të tyre.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Ndërveprimet në familje”
Përgatiti: Prinderimi.com