Fakti i parë që duhet ta përmendim është se të gënjyerit nuk është një tipar i lindur, e as nuk transmetohet gjenetikisht. Ai përfitohet, dhe i mësohet një fëmije nëpërmjet imitimit, të mësuarit direkt dhe përvojës së mbledhur. Natyrisht se gishti i fajësimit u drejtohet të rriturve në familjet ku ekziston kjo dukuri dhe shoqërisë në të cilën lulëzon. Megjithatë, mund të themi se fëmija ka më tepër gjasë të gënjejë nën këto dy situata:
Shkathtësia e oratorisë
Një fëmijë, i cili është orator dhe është i shkathët të formojë fjali është i shtyrë të flasë më tepër fjalë pa u përpjekur ta kontrollojë nëse ato korrespondojnë me realitetin. Fatkeqësisht kjo mund të mbetet më gjatë te disa fëmijë dhe t’i përcjellë deri në moshën e rritur. Në fakt, aftësia e tyre për të thënë shumë fjalë dhe për të qenë bindës i nxit të gënjejnë.
Një imagjinatë aktive dhe e pasur!
Kjo është mjaft e rëndomtë në rastin e fëmijëve. Kemi fëmijë që thotë se e ka parë një mace me brirë. Ai e ka parë dashin me brirë duke u therur për bajram dhe imagjinata e tij ia ka vendosur maces brirët.
Kur të hulumtojmë për arsyet që i shtyn fëmijët të gënjejnë do të gjejmë një numër të tyre, prej të cilëve përmendim:
1. Frika nga ndëshkimi dhe brenga se mund t’i humbim disa gjëra të dëshiruara. Ky faktor zë vendin e parë në mesin e faktorëve të tjerë. Një studim ka konkluduar se të gënjyerit e fëmijës buron:
70% nga frika prej ndëshkimit.
20% nga të ëndërruarit me sy çelur dhe imagjinata.
10% me qëllim të mashtrimi të dikujt.
2. Shumica e studimeve kanë treguar se sa më ndëshkues dhe të ashpër të jenë prindërit, duke synuar me këtë t’i detyrojnë fëmijët të flasin të vërtetën dhe t’i pranojnë disa prej fajeve të tyre, aq më shumë do të gënjejnë fëmijët, në fund të gënjyerit do të bëhet shprehi e tyre. Kuptohet se motivi për të gënjyer është frika, ndërkaq fajin për këtë e kanë prindërit, të cilët janë tepër të ashpër me fëmijët.
3. Fëmijët mund të gënjejnë për t’i kënaqur ose zbavitur dëgjuesit e tyre. Ata mund të mburren për rroba të bukura, të cilat nuk i kanë ose të pretendojnë se kanë aftësi të mrekullueshme atletike.
4. Të gënjyerit mund të bëhet mjet për fëmijën, të cilin e përdor për të siguruar përfitime ose për të arritur diçka. Një dukuri e rëndomtë te fëmijët është kur u thonë prindërve se mësuesit u kanë kërkuar të blejnë gjëra të caktuara, ndërsa paratë i duan për të blerë çokollata ose lodra.
5. Një lloj i gënjeshtrës buron nga keqdashja ose agresioni. Kjo për shembull ndodh kur thyhet një enë e çmuar dhe nëna nuk e di se kush e ka thyer. Atëherë njëri fëmijë thotë se fëmija tjetër e ka thyer. Fëmija mund të mos e di se kush e ka thyer, mirëpo gënjen me qëllim që t’i sjellë ndëshkim dikujt tjetër që dëshiron ta shohë duke u ndëshkuar.
6. Të gënjyerit për shkak të imitimit. Siç kemi thënë më lartë, të gënjyerit është një cilësi e përfituar dhe një fëmijë që gënjen e bën atë shpesh duke i imituar prindërit, ose vëllezërit apo motrat më të mëdhenj, shokët e klasës ose të lagjes. Një i ri thotë se ai është mësuar të gënjejë nga prindërit e tij. Ata shpesh shtirreshin se kishin fjetur për ta mashtruar atë derisa ai të flinte, pastaj ata përvidheshin jashtë për t’i vizituar shokët. Nëna e tij një herë i tha: “Eja të të dërgoj në parkun e lodrave.” Ai shkoi me gëzim, mirëpo e gjeti veten në karrigen e dentistit.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”