Mjedisi në radhë të parë
Deri tani e kemi të njohur faktin se mjedisi ka një efekt të madh tek ata që jetojnë në të dhe shpesh ky efekt nuk vërehet. Në kontekstin e leximit, mjedisi do të thotë prindërit dhe fëmijët e familjes të shërbejnë si një shembull në lexim. Ajo që ndodh në pjesën tonë të botës është se shumë të rritur nuk lexojnë, kështu fëmijët rriten pa pasur shembull për të pasuar në lexim. Në mungesë të një mjedisi mbështetës, njerëzit përdorin predikimin dhe urdhërimin, mirëpo urdhrat e tyre janë joefektive. Sepse kur nëna urdhëron bijat e saj: “Secila prej jush do të lexoni jo më tepër se një orë në ditë, sepse të lexuarit është shumë i dobishëm,” vajzat sigurisht se do t’i thonë vetes: “Ashtu a? A leximi na qenka kaq i rëndësishëm? Nëna jonë nuk lexon as dhjetë minuta në ditë e neve po na treguaka se duhet të lexojmë një orë?!”
Është e qartë për çdo dëshmitar, se baballarët tanë në mjediset ku jetojnë nuk lexojnë sepse profesionet e tyre me të cilat fitojnë jetesën nuk kanë të bëjnë asgjë me leximin, e as nuk u kërkojnë të mbeten të informuar me të rejat e profesionit të tyre. Kjo nuk është gjendja e shteteve të zhvilluara. Për shembull në Evropë 40% e profesioneve janë të lidhura me lexim dhe hulumtim, kështu leximi është një komponent esencial i rutinës ditore të njerëzve.
Gjendja e grave në familjet muslimane dhe arabe është më e keqe, sepse shumë prej tyre janë analfabete dhe shumë të tjera nuk lexojnë, sepse ato mendojnë që puna e tyre është të kujdesen për gjërat në shtëpi. Disa madje besojnë se nëse kanë siguruar një atmosferë të këndshme për bashkëshortin kur të vijë në shtëpi, kanë arritur të bëjnë tërë atë që duhet ta bëjnë!
Atëherë më lejoni t’ua përkujtoj baballarëve se pa pyetur sa e paktë të jetë kërkesa për të kërkuar dituri në profesionin e tyre, çdonjëri duhet të lexojë çdo ditë, jo ndoshta për t’u ngritur në rangun e punës ose për të përmirësuar performancën e tij në punë por për të njohur fenë e tij, për të kuptuar jetën përreth dhe për të zgjeruar aftësinë e tij intelektuale me qëllim që të përcjellë avancimin kulturor të fëmijëve të tij.
“Të lexuarit duhet të jetë një shprehi esenciale e secilit prej nesh; nëse dikush ankohet se ndjen monotoni kur lexon, shkaku është moszgjidhja e librit të duhur që do t’i pëlqente.”
Të lexuarit është detyrë e jona ndaj familjes për të cilën kujdesemi. Ne nuk mund të shpresojmë për përmirësim intelektual të familjes nëse nuk mbështesim një atmosferë të diturisë, të jetës intelektuale dhe të kreativitetit.
Kjo nuk do të thotë se nënat do t’ia dalin pa lexuar. Ato vërtet kanë nevojë të lexojnë për të mësuar si t’i rrisin fëmijët, dhe si të kryejnë punët e shtëpisë me shkathtësi dhe saktësi. Gjithashtu për t’u njohur me mësimet dhe edukatën e fesë së tyre. Duke bërë këtë, ato do të kontribuojnë në përgatitjen e një mjedisi që nxit bijtë dhe bijat e tyre të lexojnë dhe ta marrin librin për shok. Njëqind goditje në degë nuk do të jenë të barabarta me një goditje në rrënjë. Kur të përpiqemi t’i tërheqim fëmijët në lexim, ne do ta bëjmë këtë më mirë nëpërmjet shembullit sesa nëpërmjet fjalëve.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”