Premisa dhe programi
Idetë e shprehura në këtë libër janë të bazuara në premisën (parakushtin) që belbëzimi është një sjellje që mund të modifikohet ose ndryshohet. Kjo do të thotë se ju mund të mësoheni të kontrolloni vështirësinë tuaj, pjesërisht duke modifikuar ndjenjat dhe qëndrimin tuaj rreth belbëzimit, dhe pjesërisht duke eliminuar apo përmirësuar sjelljet e parregullta që shoqërohen me belbëzimin.
Kjo do të përfshij redukimin e frikës se do të keni vështirësi, duke disciplinuar veten për t’u përballur me frikën dhe të jeni më pak i ndjeshëm rreth belbëzimit tuaj. Dhe kjo do të përfshij:
(1) analizimin e sjelljeve të belbëzimit tënd,
(2) eliminimin e gjërave të panevojshme apo jonormale që i bëni,
(3) ndërmarrjen e aksionit pozitiv për të kontrolluar bllokimet tuaja.
Parimi themelor është se belbëzimi është diçka që jeni duke bërë dhe ju mund të mësoheni të ndryshoni atë çfarë jeni duke bërë.
Disa fjalë rreth programit
Pasi është me rëndësi për ju që të kuptoni planin e përgjithshëm të terapisë, do të shpjegojmë shkurtimisht se si funksionon programi. Së pari, do të kërkohet nga ju të provoni një terapi ekperimentale të përshkruar. Kjo do të jetë veçanërisht e dobishme për ata që ndjejnë se ju nevojitet një lehtësim i menjëhershëm. Mandej sugjerohet të përmbushni dymbëdhjetë rekomandimet e dobishme apo rregullat bazë për të përmirësuar të folurit tuaj. Këto rregulla bazë janë disenjuar për t’ju treguar mënyrat praktike të ballafaqimit me vështirësinë tuaj.
Duke përmbushur rekomandimet e këtyre rregullave bazë dobiprurëse, ju do të koncentroheni në redukimin e shkallës së rëndë dhe abnormalitetit të të folurit tuaj dhe në redukimin e numrit të belbëzimeve tuaja. Dhe kur të zbatoni dispozitat e këtyre udhëzimeve, ju gradualisht do të shtroni themelin për të përmirësuar kontrollin pozitiv të të folurit tuaj.
Këto rregulla do të inkurajojnë që:
1. të flisni me maturi,
2. të belbëzoni më lehtë dhe në mënyrë të hapur,
3. të mos bëni përpjekje të fshehni belbëzimin tuaj,
4. të ndaloni të gjitha praktikat e shmangies,
5. të eliminoni simptomet sekondare, dhe
6. të vendosni kontakt normal me sy.
Një rregull me rëndësi të veçantë ju fton të studioni hollësisht se çfarë bën gabimisht mekanizmi i të folurit tuaj kur belbëzoni. Me fjalë tjera, do të gjeni veçanërisht se çka jeni duke bërë kur keni vështirësi. Kjo informatë me rëndësi do të shfrytëzohet për t’ju ndihmuar të ndryshoni ato gjëra që jeni duke i bërë gabimisht dhe të cilat e bëjnë të folurin tuaj si një problem, dhe ju ndihmon të mësoni mënyra më të mira për t’u ballafaquar me belbëzimin tuaj.
Ju duhet të shikoni belbëzimin tuaj si një gjë të caktuar të cilën e keni mësuar që ta bëni – e jo si diçka që është gabim me ju ose diçka që ndodh me ju. Ju duhet të provoni të zëvendësoni mënyrat e padëshirueshme të reagimit që i keni mësuar me sjellje normale të të folurit për të cilat ju i keni mundësitë bazike. Mandej ju do të udhëzoheni se si të ballafaqoheni me këto parregullsi duke përdorur përmirësimet pas bllokimit, gjatë bllokimit dhe para bllokimit. Këta janë emrat teknik të metodave të cilat do t’i mësoni në mënyrë që t’ju ndihmojnë të kaloni lehtësisht nëpër fjalët për të cilat keni frikë në një mënyrë të paracaktuar dhe ju mundësojnë që të zhvilloni ndjenjën e kontrollit.
Kur të siguroheni se ju mund t’i përmbushni rregullat bazë, ju do të keni bërë përparim në kontrollimin e të folurit tuaj. Disa rregulla mund të ndikojnë në belbëzimin tuaj dhe do të kenë rëndësi më të madhe për ju se për dikë tjetër, sepse ato mund të godasin pikat e juaja të dobëta. Si rezultat, ju do të gjeni se realizimi i qëllimit të disa rregullave do të kontribojnë më shumë në përparimin e rastit tuaj.
Për fat të keq, nuk ka mundësi që ne të njohim mënyrën e veçantë se si belbëzoni, kështu që ne vetëm mund të sugjerojmë që të provoni të kaloni nëpër të gjitha rekomandimet. Koha e nevojshme për përmbushjen e objektivave të secilës rregull mund të ndryshojnë dukshëm varësisht nga gjendja e rëndë e rastit tuaj dhe nga vendosmëria juaj në punën lidhur me detyrat. Është e mundshme që koha e kërkuar për të arritur disa rezultate të dëshiruara mund të matet me ditë. Megjithatë, për të tjerët, kjo mund të zgjas më gjatë për të futur nën kontroll disa shprehi kokëforta ose me sa duket disa shpreshi të pakontrollueshme.1,2
Edhe nëse belbëzimi juaj mund të jetë i lehtë, ne ju nxisim të kaloni nëpër secilën fazë të programit. Dhe kur ju të trajtoni një direktivë, shpresojmë se ju do të ndjeheni të kënaqur që keni arritur në mënyrë të arsyeshme qëllimin e saj para se të filloni me direktivën tjetër. Duke bërë kështu, ju do të dini saktësisht ku jeni dhe çfarë përparimi jeni duke bërë. Të mësuarit se si t’i ndihmosh vetes duhet të jetë qëllimi i çdo personi që belbëzon. Hapi i parë i juaj do të jetë të eksperimentoni me një mënyrë të ndryshme të të folurit siç përshkruhet në kapitullin e ardhshëm. Ky është disenjuar që t’ju jap juve një lehtësim të menjëhershëm.
Një procedurë e dobishme e terapisë
Kjo procedurë është veçanërisht për ata persona që belbëzojnë që ndjejnë se kanë nevojë për një lehtësim të menjëhershëm, edhe pse ky do të jetë i përkohshëm. Megjithatë, propozohet të provoni këtë procedurë eksperimentale, pasi ajo ju ndihmon të flisni më rrjedhshëm. Ajo përfshin të folurit në një mënyrë shumë të ngadalshme, të butë dhe të zgjatur. Duke folur ngadalë, sugjerohet që të mbani për një sekond apo më tepër për të kaluar nëpër të gjithë tingujt fillestar të çdo fjale apo rrokje.
Dhe mandej filloni të zgjatni tingujt, rrokjet dhe fjalët në mënyrë të butë me një fillim të lehtë. Kjo metodë e të folurit të zgjatur, të ngadalshëm dhe me fillim të lehtë, veçanërisht në fjalët fillestare, nuk mund t’ju ndihmoj, por ju sjell disa lehtësime. Mund të jetë posaqërisht e dobishme për ata që nuk kanë ndjenja të forta negative rreth belbëzimit të tyre.
Ne sugjerojmë që të provoni këtë procedurë. Fillimisht, ju mund të mos ta pëlqeni mënyrën se si tingëllon apo mënyrën si ndjeheni, por mbani mend se ndryshimet gati gjithmonë janë të parehatshme. Prandaj, ne nuk rekomandojmë të flisni në këtë mënyrë gjatë gjithë kohës fillimisht. Jepni vetes kohë të familjarizoheni me këtë mënyrë të të folurit. Specifikat siç e dini, fjalët përbëhen nga tingujt. Në këtë procedurë, nga ju kërkohet që të filloni me tingujt e fjalëve me një shpejtësi shumë të ngadalshme, të lehtë, të butë duke rrëshqitur shumë butë dhe lehtë nëpër tingullin e parë. Kjo do të thotë të merrni gati tërë sekondin apo më shumë për të rrëshqitur nëpër tingujt e parë që fillojnë në secilën fjalë. Ky quhet “fillim i butë”.
Mandej zgjatni të gjithë tingujt derisa i artikuloni ata duke përdorur fonacionin kontinual. Kjo do të thotë praktikisht zgjatje e secilës bashkëtingëllore dhe zanore, dhe rrëshqitje nëpër ta, dhe ngadalësimi i kalimit prej një tingulli në tingullin tjetër. Për të bërë këtë, filloni të vibroni kordat vokale në një mënyrë shumë të ulët, të njëtrajtshme dhe shumë të ngadalshme derisa filloni të artikuloni tingujt e fjalës suaj në këtë mënyrë me fillim të butë dhe me kontakte të lehta në gjuhën dhe buzët tuaja, të njohura si “kontakt i lehtë”. Ju mund të vëreni vibrimin e kordave vokale duke e vendosur dorën në fytin tuaj, ku mund të ndjeni vibracionin. Kjo mënyrë shumë e ngadalshme e fillimit dhe zgjatjes së të gjithë tingujve do të rezultoj në kontinuitetin e zërit dhe të nxjerrjes së ajrit pa ndërprerje gjatë artikulimit dhe pa përsëritje. Po e përsërisim edhe një herë, zgjatni të gjithë tingujt, veçanërisht tingujt startues. Dhe zgjatni të gjitha kalimet mes tingujve (bashkëtingëlloret dhe zanoret) me kontakt të lehtë në bashkëtingëllore. Është e lehtë që të zgjaten zanoret, por ju duhet të ushtroni zgjatjen e shumë bashkëtingëlloreve. Kur të keni kohë dhe jeni vetëm ushtroni se si duhet të rritet kohëzgjatja e bashkëtingëlloreve siç janë t, d, p, b, etj që janë bashkëtingëllore “shpërthyese” (plosive) ose “stopuese” por që duhet të thuhen lehtë dhe me kontakt të butë mes gjuhës dhe gojës. Kjo mënyrë e butë, e ngadalshme, me fillim të butë, e të folurit duhet të përdoret si në fjalët për të cilat nuk keni frikë ashtu edhe në fjalët për të cilat keni frikë. Me një fjalë, duhet të bëhet gjatë tërë kohës sa flisni derisa të zotëroni atë. Lidhni tingujt e fjalëve së bashku, kapni fillimin e një fjale me fundin e fjalës paraprake.
Ju mund të ndjeheni në siklet gjatë të folurit në këtë mënyrë të butë dhe të lëmuar me shpejtësi të vogël, vetëm 30 fjalë për minutë, por ju duhet të mësoni se çka mund të bëj kjo për ju. Po e përsërisim, rekomandohet që të përdorni këtë mënyrë të butë dhe të zgjatur të të folurit kur flisni me të tjerët vetëm pasi të keni kaluar mjaft kohë duke ushtruar kur jeni vetëm. Ju mund të hezitoni të flisni në këtë mënyrë sepse ju ndjeni se njerëzit do të habiten pse ju flisni kështu. Tregoni atyre të vërtetën se ju po punoni në belbëzimin tuaj. Nuk ka asgjë pse të turpëroheni për këtë, dhe shokët tuaj do të jenë të lumtur nëse mund t’ju ndihmojnë. Pasi të keni përdorur këtë mënyrë të të folurit për disa kohë, mundeni ngadalë dhe gradualisht të rritni shpejtësinë me të cilën fillojnë fjalët dhe me të cilën flisni, derisa nuk ndodh ndonjë vështërsi. Në këtë rast, ju duhet të ktheheni prapa te shpejtësia më e vogël në të cilën nuk keni pasur vështirësi.
Kjo mënyrë e të folurit me fillim të butë dhe të ngadalshëm është një procedurë që ju jep një lehtësim të konsiderueshëm dhe ju mundëson të flisni më lehtë. Kjo mund të mos zgjidh problemin tuaj plotësisht por me siguri mund të jetë e dobishme. Në çdo rast, kjo do t’ju tregoj juve dhe të tjerëve se ju jeni duke e pranuar belbëzimin tuaj si një problem, e jo si një mallkim, dhe se ju jeni duke punuar për t’u ballafaquar me të. Njerëzit e respektojnë këtë qasje. Filloni tani.
Punoni me vetëdije për disa kohë – ndoshta disa javë ose më shumë në këtë program siç përshkruhet më lartë. Deri atëherë ju do të dini se çfarë dobie mund të nxirrni nga kjo qasje e terapisë.
Autor: Malcolm Fraster, ”Vetë-terapia për belbëzim’‘
Përgatitur nga: Prinderimi.com