Me ardhjen e stinës së dimrit dhe kushteve atmosferike të vështira, Policia e Kosovës ka intensifikuar masat për të siguruar një trafik sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë, njofton Prinderimi.com
Në kuadër të këtyre masave, policët po shpërndajnë fletushka informuese për drejtuesit e automjeteve, ku përfshihen këshilla dhe udhëzime të detajuara për ngasjen në kushte dimri. Qëllimi kryesor është të rrisë ndërgjegjësimin e shoferëve për rëndësinë e kujdesit të shtuar gjatë ngasjes në rrugë të mbuluara me borë dhe akull, si dhe të minimizojë rrezikun e aksidenteve.
“Duke pasur parasysh kushtet e rrugëve në këtë periudhë, bëjmë thirrje te të gjithë drejtuesit të automjeteve që të respektojnë me përpikëri rregullat e trafikut dhe të adaptojnë shpejtësinë në përputhje me kushtet atmosferike”, ka deklaruar një zëdhënës i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të bashkëpunojnë për të krijuar një ambient të sigurt në rrugë. Duke treguar kujdes të shtuar dhe duke respektuar sinjalizimet, secili prej nesh mund të kontribuojë në uljen e numrit të aksidenteve rrugore gjatë stinës së dimrit.