PËRKUFIZIMI I BULLIZMIT NË MJEDISIN SHKOLLOR
Ekziston një numër i madh definicionesh për fenomenin e bullizmit në shkollë. Dallimet në përkufizimin e bullizmit kanë të bëjnë me konceptualizimin e konstruktit të bullizmit (Olweus 2013; Smith dhe të tjerë, 2002).
Heinemann (1972) prezantoi për herë të parë termin “mobbing” për bullizmin, i ndikuar nga veprat e Lorenz-it për sjelljen e kafshëve, duke e përshkruar atë si “Një situatë, të gjithë kundër njërit” (Schott dhe Sondergaard 2014, fq. 4). Ndërsa, Olweus është pionier i hulumtimit sistematik të bullizmit në kontekstin e shkollës duke dominuar fushën e kërkimeve shkencore që nga viti 1970. Të kuptuarit e tij lidhur me bullizmin është i bazuar në të dhëna kuantitative dhe përpiqet për të identifikuar shkaqet, për të parashikuar paraqitjet dhe për të zhvilluar ndërhyrje të bazuara në dëshmi (Schott dhe Sondergaard, 2014).
Sipas Olweusit bullizmi është një formë e dhunës e drejtuar kundër një individi nga një ose më shumë individë. Në versionin e fundit të pyetësorit të Olweusit rreth bullizmit përkufizimi i bullizmit është si vijon: “Ne themi se një nxënës është viktimë e bullizmit, kur një apo më shumë nxënës të tjerë i thonë atij apo asaj gjëra poshtëruese dhe lënduese, e thërrasin me nofka nënçmuese, e injorojnë plotësisht apo e përjashtojnë nga grupi i shoqërisë, duke e lënë atë jashtë ngjarjeve me qëllim; e godasin, e shqelmojnë, e shtyjnë apo e tërheqin, apo e mbyllin atë brenda një dhome, e gënjejnë ose përhapin thashetheme rreth tij apo rreth saj, ose i dërgojnë porosi keqdashëse dhe përpiqen t’i bëjnë nxënësit e tjerë të mos e pëlqejnë atë. Kur flasim për bullizmin, këto gjëra ndodhin në mënyrë të përsëritur, prandaj nxënësi, që është viktimë e bullizmit, e ka të vështirë ta mbrojë veten.
Bullizëm quhet kur një nxënës bezdiset vazhdimisht në një mënyrë të ligë dhe lënduese. Nxënësi në këtë rast e ka të vështirë të mbrohet, ndërsa veprimet janë të vazhdueshme. Por, nuk është bullizëm kur ngacmimi bëhet në një mënyrë miqësore dhe si në shaka. Gjithashtu, nuk quhet bullizëm veprimi kur dy nxënës me forcë pothuajse të barabartë, zihen me fjalë apo përleshen.” Në përputhje me këtë, Farrington e ka definuar bullizmin si “presion të përsëritur, psikologjik apo fizik, të një personi më pak të fuqishëm nga ana e personit më të fuqishëm”, duke u fokusuar në marrëdhënien në mes bullistit dhe viktimës. Rigby supozoi se bullizmi është: “Abuzimi sistematik i pushtetit në marrëdhëniet ndërpersonale.” Edhe pse qasja e Rigbyt është ndikuar nga puna e Olweus, ajo e vështron bullizmin në aspektin e marrëdhënieve shoqërore. Pavarësisht dallimeve konceptuale në definimin e konstruktit të bullizmit në kuptimin e fenomeneve individuale ose shoqërore, të gjitha përkufizimet e përmendura më lart vënë në pah të paktën një nga tri kriteret kryesore: synimin apo qëllimin e sjelljeve agresive, përsëritjen e veprimeve negative dhe disbalancin e fuqisë.
Qëllimi i bullistit apo bullistëve është një aspekt relevant i sjelljeve bulliste. Për dallim nga veprimet e zakonshme të dhunës, bullizmi përfshin synimin e bullistit apo bullistëve për ta dëmtuar qëllimisht një palë më të dobët, me përjashtim të veprimeve të rastësishme dhe të paqëllimshme. Megjithatë, koncepti i synimit keqdashës në përcaktimin e sjelljes bulliste, varet nga perceptimi i viktimës dhe jo vetëm nga synimi i bullistit. Në fakt, Tatum ka theksuar se “Një veprim i dëmshëm aksidental ose padashje, nuk do të përbënte bullizëm, por vetëm nëse viktima e percepton si të tillë.” Në mënyrë të ngjashme, Guerin dhe Henessy sipas studimeve, kanë gjetur se 63% e fëmijëve nuk e konsiderojnë synimin të jetë i rëndësishëm. Monks dhe Smith kanë gjetur se fëmijët e klasës së tetë, kishin më shumë të ngjarë për të marrë parasysh synimin e veprimit, sesa fëmijët e klasës së tretë. Pra, fëmijët e rritur kanë më të ngjarë të marrin parasysh synimin e bullistit.
Përsëritja e sjelljeve agresive ndaj viktimave e bën dallimin e bullizmit nga dhuna. Olweus vuri në dukje se frekuenca e shfaqjes është e nevojshme në përkufizimin e bullizmit, për të përjashtuar aktet sporadike të dhunës të drejtuara në njerëz të ndryshëm dhe kohë të ndryshme. Duke pasur parasysh se bullizmi përfshin forma të ndryshme të sjelljeve bulliste, siç janë veprimet verbale apo fizike, natyra e sjelljes bulliste nuk është me rëndësi aq vendimtare, sa natyra përsëritëse e veprimeve për pasojat e mundshme psikologjike që i shkaktohen viktimës. Pra, ka konsistencë në veprimet bulliste nga ana e bullistit apo bullistëve ndaj viktimës. Viktima shkon në shkollë me frikën dhe ankthin se kur do të përsëriten veprimet bulliste nga ana e bullistit apo bullistëve. Pra, viktima është gjithnjë në ankth se mund të sulmohet nga i njëjti person apo grup personash. Edhe pse përfshirja e përsëritjes në përkufizim është pranuar në përgjithësi, disa hulumtues konsiderojnë se sjellja mund të konsiderohet si bullizëm edhe nëse nuk përsëritet. Tattum argumentoi se viktimat mund të përjetojnë presion të vazhdueshëm, si pasojë e frikës afatgjate për incidentet, madje edhe nëse veprimi ka ndodhur një herë, pavarësisht frekuencës.
Në mënyrë të ngjashme, Guerin dhe Hennessy kanë gjetur se mbi 50% e fëmijëve kanë raportuar se sjellja jo domosdoshmërisht duhet të përsëritet përgjatë kohës, për t’u konsideruar si bullizëm. Për ta bërë dallimin e bullizmit nga format e tjera të dhunës, është e rëndësishme të merret parasysh disbalanci i fuqisë ndërmjet viktimës dhe bullistit apo bullistëve. Akti i dhunës nuk është në mënyrë të pashmangshme bullizëm, nëse ka barazi force në mes të viktimës dhe bullistit, si dhe nëse nuk ka dallime të fuqisë mes tyre. Kur kemi të bëjmë me bullizëm, ngacmuesi është gjithmonë më i fortë, sesa viktima, e cila nuk është në gjendje të reagojë. Askew e ka përshkruar bullizmin si një “Përpjekje për të fituar pushtet dhe dominim mbi tjetrin.”
Sipas Monks dhe Smith, fuqia mund të përkufizohet në terma të natyrës fizike, psikologjike dhe sociale dhe është mjaft e vështirë për t’u vlerësuar. Kur është fjala për burimin e fuqisë, Olweus i është referuar viktimës së “dobët”, e cila nënkupton jo vetëm shkallën e forcës fizike, por edhe të “forcës mendore”Dobësi mund të konsiderohet edhe nëse viktima dallon nga të tjerët, si p.sh.: është më i shëndoshë apo më i hajthëm; mban syze; është më i gjatë apo më i shkurtër në mesin e moshatarëve; është i përkledhur nga mësimdhënësit etj.
Dobësia kryesore e viktimës është rrethi i ngushtë apo edhe inekzistent shoqëror. Dhe, çfarë është relevante, bullisti apo bullistët janë të vetëdijshëm për dallimet në fuqi dhe e përdorin atë për t’i shkaktuar dëm viktimës. Shumë hulumtues pajtohen se kriteret e përmendura më sipër, janë relevante për t’i konceptualizuar dhe për t’i përkufizuar sjelljet si bullizëm. Këto tri kritere kryesore dalluese të bullizmit (synimi, disbalanci i fuqisë dhe përsëritja) janë të përfshira edhe në përkufizimin e Olweusit, dhe kjo është përdorur gjerësisht për të hulumtuar bullizmin në shkolla ose për të bërë krahasime ndërkombëtare të prevalencës.
Bullizmi ndodh në hapësirat e objekteve shkollore, si p.sh.: në klasa, korridore, hapësira të shkallëve, kantina, toalete, në palestër, në fusha sportive, në zhveshtore apo edhe rrugës për në shkollë nga shtëpia ose anasjelltas. Bullizmi në klasë zakonisht ndodh kur mësimdhënësit nuk janë të pranishëm, por mund të ndodhë edhe kur të rriturit janë të pranishëm. Për më tepër, me zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, bullizmi mund të ndodhë edhe në hapësirën apo mediumin kibernetik. Fëmijët në ditët e sotme, mund të mbajnë marrëdhënie shoqërore me përdorimin e mjeteve elektronike dhe platformave online, siç janë telefonat celularë, interneti dhe rrjetet sociale, duke lehtësuar shfaqjen e incidenteve të bullizmit edhe jashtë shkollës. Në këtë mënyrë, ka lindur një formë e re e bullizmit e quajtur “Bullizmi kibernetik”. Një numër studimesh janë kryer për të shqyrtuar natyrën e bullizmit kibernetik dhe janë ofruar një sërë përkufizimesh të bullizmit kibernetik.
Sipas Smith dhe të tjerë, bullizmi kibernetik përkufizohet si “Një veprim agresiv, i qëllimshëm i kryer nga një grup apo individ, duke përdorur forma elektronike të kontaktit, në mënyrë të përsëritur apo me kalimin e kohës ndaj viktimës, që nuk mund ta mbrojë vetveten lehtësisht.” (fq. 376). Bazuar në përkufizimin e dhënë nga Li, bullizmi kibernetik është: “Bullizmi nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik siç është e-maili, telefoni celular, asistenti personal digjital (PDA), mesazhet “instant” apo World Wide Web.” Përkufizimi i dhënë nga Tokunaga është: “Çdo sjellje e kryer nëpërmjet mediave elektronike ose digjitale nga individë apo grupe, që në mënyrë të përsëritur komunikojnë mesazhe armiqësore apo agresive, me qëllim të shkaktimit të dëmit ose shqetësimit të të tjerëve. ”
Këto përkufizime nënkuptojnë përdorimin e hapësirës elektronike apo kibernetike, për ushtrimin e bullizmit. Aspektet e përsëritjes, disbalanci i fuqisë dhe synimi apo qëllimi për të dëmtuar, të cilat janë tipike për bullizmin tradicional, janë të mishëruara edhe me bullizmin kibernetik. Por, aspektet e disbalancit të fuqisë dhe përsëritjes janë parë si më të vështira për t’u zbatuar në kontekstin e bullizmit kibernetik. Sipas Slonje dhe të tjerë (2012), aspekti i përsëritjes nuk është i thjeshtë, mund t’i referohet shtrirjes së audiencës së mundshme, ku bullisti kibernetik me vetëm një sjellje mund t’i nxisë veprimet e të tjerëve, të cilat mund ta dëmtojnë viktimën sistematikisht. Një shembull mund të jetë një video ose foto e ngarkuar në internet nga bullisti, e cila pastaj mund të shpërndahet nga të tjerët. Lidhur me disbalancin e fuqisë, forca fizike dhe psikologjike nuk janë qartë të zbatueshme, ato mund të kontribuojnë në disbalancin e fuqisë vetëm kur ekspozohet identiteti i bullistit (Vandebosch dhe Cleemput, 2008).
Hulumtimet tregojnë se viktimat nuk e dinë se kush është duke i ngacmuar ata në mënyrë kibernetike (Slonje dhe Smith, 2008). Vetëm 40 deri 50% e viktimave të bullizmit kibernetik janë të vetëdijshëm për identitetin e bullistit (Kowalski dhe Limber, 2007), dhe kjo e bën të vështirë reagimin ndaj situatës. Vandebosch dhe Cleemput (2008) kanë theksuar se njohuritë për teknologjinë dhe anonimitetin, mund të kontribuojnë në disbalancin e fuqisë. Një tjetër tipar që e dallon bullizmin kibernetik nga bullizmi tradicional është qasja te shënjestra apo viktima (Patchin dhe Hinduja, 2006; Smith, 2012). Viktima e bullizmit kibernetik mund të arrihet nga ngacmuesi jashtë objekteve shkollore, nëpërmjet telefonave celularë dhe internetit, në çdo kohë dhe në çdo vend. Dallimet e tjera të rëndësishme janë se bullisti është më pak i vetëdijshëm për pasojat e shkaktuara nga veprimet e tij dhe nuk mund ta shohë reagimin e menjëhershëm të viktimës (Smith, 2012).
Një numër studimesh kanë gjetur lidhje ose raporte statistikore midis bullizmit tradicional ose jashtë hapsirës kibernetike dhe bullizmit kibernetik (Kowalski) duke lënë të nënkuptohet se viktimat e bullizmit tradicional janë po ashtu shënjestër e bullizmit kibernetik. Në të njëjtën mënyrë, Smith (2008), në një mostër të një shkolle të mesme britanike, ka gjetur se bullistët kibernetikë ishin bullistë tradicionalë dhe po ashtu viktimat kibernetike ishin viktima tradicionale. Si përfundim, bullizmi kibernetik dallon nga bullizmi tradicional në disa aspekte të lartpërmedura, por, pa marrë parasysh se ku zhvillohet bullizmi, shkaqet dhe motivet themelore janë të njëjta (Kwan dhe Skoriç, 2013).
Teuta Danuza, ‘’Bullizmi në shkollë’’