Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në konferencën “ISSA 2024” në Bullgari, me temën “Duhet një ekosistem i fëmijërisë së hershme që të gjithë fëmijët e vegjël të lulëzojnë”, në të cilën u diskutuan çështje të rëndësishme për edukimin në fëmijërinë e hershme.
Me këtë rast, ministrja Nagavci ka theksuar se, Ministria e Arsimit është duke punuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme, për çka edhe ka ndërmarrë veprime si: miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme; finalizimi dhe pilotimi i Kurrikulës për EFH dhe miratimi i Strategjisë së Arsimit 2022-2026, komponenta e parë e së cilës është edukimi në fëmijërinë e hershme.
Ministrja Nagavci ka thënë se, përmes miratimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme janë paraparë të gjitha format e organizimit të kujdesit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme për fëmijët e moshës 0 deri në 6 vjeç, ndërsa ka shtuar se, MAShTI është plotësisht e përkushtuar për rritjen e numrit të pjesëmarrjes së fëmijëve në institucionet e edukimit të hershëm, duke e pasur parasysh rëndësinë e përmirësimit të cilësisë së arsimit të hershëm dhe mekanizmat për monitorimin e tij.
Në linjë me këtë, ministrja Nagavci ka përmendur rëndësinë e përfshirjes së akterëve relevant për miratimin e dokumenteve të politikave, ligjeve dhe rregulloreve.
Gjatë kësaj konference u vu në pah se ndryshimet klimatike dhe sfidat e përgjithshme globale paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë, shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Kjo Konferencë gjithashtu ka rikujtuar rëndësinë e krijimit të sistemeve mbështetëse të zhvillimit dhe rëndësinë e investimit adekuat në zhvillimin e fëmijërisë së hershme.