Metodat dhe mënyrat e zhvillimit të kreativitetit tek fëmijët
1. Ambienti i argëtimit
Përgatitja e një ambienti për fëmijën, është shumë e rëndësishme, pasi që kjo e ndihmon atë për të zbuluar dhe për të luajtur pa kufizime dhe pa frikë se mos dëmton mobiliet apo se mos thyen enët ose diçka tjetër në shtëpi. Këto kushte duhen krijuar edhe në shtëpitë e mbyllura, që nuk kanë hapësira të mjaftuesh- me. Në raste të tilla, më e pakta që mund të bëjmë, është që të përcaktojmë një vend në dhomën e fëmijës, ose një qoshe në shtëpi, që të shërbejë si vend për argëtimin dhe për zbulimet e tij.
2. Përshtatja dhe ambientimi me idetë e tyre
Një nga bazat më të rëndësishme të kreativitetit, është edhe pranimi i mendimeve të fëmijëve, pa i përçmuar dhe pa u tallur me ta dhe pa u vënë pengesa. Duhet të përpiqemi që të zbresim në nivelin e tyre, për të konceptuar sa më mirë mënyrën e tyre të të kuptuarit dhe për t’u bërë pjesë e ideve të tyre, në mënyrë që të mos e ndalojmë procesin e prodhimit të ideve. Por, kjo nuk na pengon që disa ide të gabuara t’i korrigjojmë me urtësi dhe butësi, pa shfaqur imponim dhe përplasje me ta, sepse kjo do të pengonte prodhimin e ideve. Për këtë arsye, duhet që gjatë korrigjimit të ideve të gabuara, të tregojmë shkaqet dhe argumentet, se përse duhen bërë këto korrigjime të ideve të tyre.
3. Zgjidhje kreative
Përforcimi i kreativitetit tek fëmijët, kërkon shumë kreativitet edhe nga ana e të rriturve, gjë që na fton të ofrojmë sa më shumë zgjidhje kreative për pro- blemet që ndodhin çdo ditë, duke i kthyer ato në një pjesë bazë në programin e edukimit të fëmijëve. Fëmijët i shikojnë ato dhe ndikohen prej tyre, prandaj ndonjëherë duhet të flasim qëllimisht për to dhe t’u japim mundësi fëmijëve që t’i shikojnë shpikjet tona, duke i bërë edhe ata pjesë në zbatimin e tyre në praktikë.
4. Zgjidhjet e gatshme
Jepi fëmijës rast dhe kohë, që t’i zbulojë të gjitha mundësitë dhe zgjidhjet, dhe bëje atë që ta përqendrojë vëmendjen nga gjërat e përgjithshme drejt ideve bazë. Kij kujdes, që të mos ia japësh atij zgjidhjet e gatshme. Disa prindër mendojnë, se duke u dhënë fëmijëve të tyre përgjigjet e gatshme, e ndihmojnë zhvillimin e tyre mendor. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe, sepse kjo gjë ia vret fëmijës aftësinë e të menduarit për ide të mira, madje edhe vetë përpjekjen për të menduar për zgjidhje.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Abdulhamid Bilali, ”Si ta bësh fëmijën tënd yll”