Nuk e teproj nëse them se kompleksi i inferioritetit, i cili mund të përshkruhet si vetëvlerësim i ulët ose vetëbesim i ulët është njëri prej problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohen fëmijët në shumicën e shteteve arabe dhe muslimane. Ai ka një efekt të thellë në llojin e qëndrimeve dhe shtytjeve që fëmijët i zhvillojnë në fazën e hershme të jetës së tyre. Le të mendojmë për të porsalindurin si një person, i cili hy në një dhomë plotësisht të errët, e cila përmban dhjetëra objekte për të cilat nuk ka ide dhe pastaj vjen dikush që i ndihmon t’i njoh ato dhe t’i parafytyrojë duke i prekur. Kjo është mënyra si e kupton një fëmijë veten, aftësitë, potencialet dhe dobësitë.
Vuajtja nga kompleksi i inferioritetit do të thotë të ekzistojnë një varg imazhesh negative brenda fëmijës lidhur me dukjen e tij ose të saj, forcën mendore, të arriturat, moralin, potencialin, dobësitë dhe pranimin e tyre nga familja dhe komuniteti. Këto imazhe negative gjenerohen nëpërmjet një vargu të gjatë të përpjekjeve për t’u çliruar nga një dobësi e caktuar, të cilën fëmija e ka pasur nga lindja. Kjo dobësi dyfishohet nga ajo që familja, mësuesit, shokët dhe të afërmit e thonë për ta. Kjo na tregon se një qenie njerëzore e njeh veten vetëm relativisht dhe kjo njohje kurrë nuk arrin përsosuri. Secili prej nesh do të jetë deri në një nivel i dominuar nga ajo që të tjerët e thonë për ne dhe fëmija natyrisht do të jetë shumë më i dominuar nga të tjerët sesa i rrituri.
Manifestimet e kompleksit të inferioritetit
Një fëmijë që vuan nga kompleksi i vetëvlerësimit të ulët, e mat veten me bashkëmoshatarët dhe zakonisht rezultati i krahasimit i del i pafavorshëm për të. Ky imazh negativ për veten do të jetë mjaft i dukshëm në aktivitetet kolektive dhe në sport. Shumë fëmijë ndihen të frustruar dhe mjaft të dobët kur t’i shohin shokët e tyre, duke ta mohuar pjesëmarrjen e tyre në volejboll, futboll ose në lojëra të tjera Fëmijët e marrin këtë si indikator të dobësisë së tyre dhe mungesës së shkathtësive. Shumë fëmijë ndihen të frustruar në dështimin e tyre të vazhdueshëm në të gjitha ose në disa lëndë. Tani le të shohim disa manifestime të inferioritetit.
1. Fobitë janë një manifestim kryesor i ndjenjës së inferioritetit. Fëmija do të frikësohet nga shumë gjëra, të cilat nuk i frikësojnë të tjerët. Kemi fëmijë që ka fobi të zhytet në ujë dhe t’i bindet një trajneri të notit, kemi fëmijë i cili ka fobi të ecë në errësirë, ka fëmijë që ka fobi mbrojtjen e vetes ndaj çdo gjëje me të cilën akuzohet, po ashtu ka fëmijë që ka fobi të hyjë në ndonjë garë kulturore ose atletike. Në të gjitha këto raste fëmija ndihet i pazotë të ndeshet me një situatë të panjohur. Këta fëmijë mund t’i krahasojmë me një fëmijë, i cili nuk e ka kompleksin e inferioritetit, i cili nuk e sheh një situatë të panjohur si të rrezikshme, edhe nëse ka pak rrezik. Ai ka vetëbesim të merret me situatën e re.
2. Pesimizmi ose shikimi i anës së errët të gjërave. Një fëmijë me vetëvlerësim të ulët do të ketë vështirësi t’i shohë mundësitë dhe potencialet që i hapin një përvojë e re. Madje edhe kur suksesi është brenda arritjes, ai nuk e përcepton mundësinë e arritjes së suksesit. Ai ndoshta është mjaft i sigurt se i nevojitet aftësi e jashtëzakonshme për të arritur atë, e cila është mbi nivelin e tij. Të shohim përvojën e një nëne lidhur me këtë. Ajo thotë:
“Biri im ishte në vitin e katërt. Ai ishte i dobët në disa lëndë. U përpoqa ta ngrehja nivelin e tij në këto lëndë dhe bëra çmos në atë drejtim, mirëpo rezultati ishte zhgënjyes. Meqenëse nipi im ishte psikiatër, i kërkova të shikonte rastin e tij dhe të shpjegonte arsyet mbrapa përgjigjes së dobët të tij ndaj udhëzimeve të shkollës.
Pas vizitës tek ai, e pyeta për mendimin e tij. Ai më tha: “Fëmija është shumë i mençur, mirëpo ai po përbuzet nga shokët e klasës për shkak se është i shkurtër me trup. Për ta përkeqësuar këtë realitet, një mësues i thoshte kur ishte në vitin e tretë se ai ishte gabimisht në këtë vit. “Vendi i duhur për ty është viti i parë,” i thoshte ai. Gjithashtu zbulova se ai kishte ëndërruar të bëhej një pilot ushtarak, sikur axha i tij, mirëpo ëndrra e tij u zhduk kur zbuloi se trupi i shkurtër ishte pengesë për të studiuar në kolegjin e fluturimit në të ardhmen.”
3. Një fëmijë me kompleksin e inferioritetit shpesh do ta rrisë problemin e tij dhe do ta përkeqësojë atë me llojin e bisedës që bën me vetveten. Në çdo rast kur është me të tjerët, në shkollë, në lojëra, në jetën shoqërore, ai do t’ia përsëris vetes disa fjali me të cilat e shpreh mungesën e sigurisë, si për shembull: “Nuk jam fare i mirë”, “Jam i pafat”, të gjitha këto deklarime do të thellojnë imazhin negativ për veten dhe do t’i zbehin shpresat më tepër dhe më tepër.
4. Një fëmijë me vetëvlerësim të ulët është i shpejtë të ndalet dhe të humbë entuziazmin për çdo punë që e ndërmerr. Ata do të heqin dorë në pengesën e parë që e hasin. Kjo ndodh, sepse fëmijët e tillë ndiejnë se nuk janë të kualifikuar të realizojnë gjëra; hyrja në ndonjë situatë sfiduese është një aventurë e rrezikshme sipas botëkuptimit të tyre. Për pasojë, politika më e mirë është të tërhiqen, para se të zbulohet rezultati i shëmtuar. Në anën tjetër një fëmijë normal do të përpiqet dhe do të përpiqet, vështirësitë për atë janë vetëm pjesë e punës.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”