Leximi
Duhet patjetër që t’i inkurajojmë fëmijët që të lexojnë, ta duan leximin dhe librat, sepse ata nuk mund të jenë kreativë dhe novatorë, për shembull, në fushën e krijimtarisë letrare ose të ligjërimit, pa e dashur leximin dhe pa e praktikuar shumë atë. Ngulitja e dashurisë për leximin, fillon me dhënien e shembullit për ta. Fëmijët duhet patjetër që t’i shikojnë prindërit e tyre duke lexuar dhe po ashtu të shikojnë një ambient me libra apo edhe bibliotekë në shtëpi.
Ngulitja e dashurisë për leximin
Një nga gjërat më të rëndësishme që kontribuon në formimin e një ylli, është edhe leximi. Me anë të tij përfitohet shumë njohuri dhe përvojë. Leximi ndihmon gjithashtu edhe në formimin dhe farkëtimin sa më të shkurtër të personalitetit të tij.
Ka rrugë të shumta për ta bërë të dashur leximin dhe për të zhvilluar aftësitë lexuese te fëmijët, nga të cilat po përmendim:
a. Vendosja e fëmijës në prehrin e babait ose të nënës dhe leximi me zë të lartë, të kuptueshëm dhe me terma të lehta.
b. Përzgjedhja e tregimeve ose librave me shkrim të madh dhe të qartë, si dhe me fotografi me ngjyra.
c. Përzgjedhja e tregimeve që kanë brenda pak aventurë dhe heroizëm.
ç. Gjatë leximit, përpiqu ta ndryshosh tonin e zërit dhe të aktrosh me pjesën që po lexon.
d. Bëje fëmijën pjesëmarrës në diskutim dhe në pyetje, si dhe pyete atë se si do të vepronte ai vetë, nëse do të ishte në pozicionin e personazhit kryesor. E gjitha kjo ia shton atij dashurinë për leximin.
dh. Përdor metodën e librave serialë dhe thuaj: “Historinë do ta vazhdojmë nesër”, duke e bërë atë që ta presë me padurim dëgjimin e pjesës tjetër të ngjarjeve të tregimit ose të mësimit të nxjerrë prej saj.
Konkurrimi me lojërat e tjera
Ki kujdes nga konkurrenca e lojërave të tjera që i duan fëmijët, si për shembull filmat vizatimorë, lojërat elektronike etj., sepse, nëse ti dëshiron që të organizosh me ta lojëra dhe aktivitete që i ndihmojnë ata për të qenë kreativë, duhet ta dish mirë se ata nuk do të jenë kreativë dhe nuk do të aktivizohen plotësisht, nëse nuk i bëjnë ato me dëshirë dhe nuk kënaqen me to. Kjo gjë ndodh kur ata janë duke luajtur me lojërat që u pëlqejnë më shumë dhe ne i detyrojmë që të bëjnë një aktivitet ose ndonjë lojë tjetër që nuk u pëlqen ose u pëlqen më pak se loja që janë duke luajtur.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Abdulhamid Bilali, ”Si ta bësh fëmijën tënd yll”