Vaping, ose përdorimi i cigareve elektronike, është duke u bërë një shqetësim i madh në mbarë botën, me një rritje alarmante të përdorimit mes fëmijëve dhe adoleshentëve. Kjo gjendje, Bashkimin Evropian e gjenë me ligje për ndalim shitje dhe përdorimi nën moshën 18 vjeçare, ndërsa Kosova mbetet tek shtetet që Organizata Botërore e Shëndetësisë e rëndit si shtet që nuk ka akte ligjore ose rregullime administrative për këto produkte të dëmshme, njofton Prinderimi.com
Sipas një sondazhi të kryer nga NHS Digital, pothuajse një në pesë adoleshentë 15-vjeçarë në vitin 2021 përdornin cigare elektronike. Ndërkohë, mes moshave 11-15 vjeç, përdorimi u rrit nga 6% në 9% brenda vetëm tre vitesh. Ky trend shqetësues po i ka bërë autoritetet shëndetësore të mendojnë për masa më të forta dhe rregullore të reja për të mbrojtur shëndetin e të rinjve.
Në vitin 2013, ligjvënësit evropianë refuzuan një propozim për të klasifikuar cigaret elektronike si produkte medicinale, që do të kufizonte shitjen e tyre vetëm në farmaci. Megjithatë, një vit më vonë, Bashkimi Evropian miratoi Direktivën 2014/40/BE, e cila ka për qëllim harmonizimin e ligjeve për prodhimin, etiketimin dhe shitjen e produkteve të duhanit, përfshirë edhe cigaret elektronike. Kjo direktivë ka vendosur masa më të rrepta për etiketimin shëndetësor, kufizimet e aditivëve dhe kontrollin më të fortë të produkteve të reja të duhanit, me qëllim që të mbrojë shëndetin publik, veçanërisht tek të rinjtë.
Mjekët dhe ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se kompanitë e cigareve elektronike po i drejtohen fëmijëve dhe të rinjve, duke përdorur ambalazhe të ndritshme, shije eksotike dhe emërtime tërheqëse, duke i bërë ato të duken si lodra ose lojëra. Pavarësisht se vaping konsiderohet më pak i dëmshëm se cigaret tradicionale, efektet afatgjata për shëndetin mbeten ende të panjohura. Ekspozimi ndaj nikotinës, substancë varuese dhe e dëmshme, është i rrezikshëm për zhvillimin e trurit te të rinjtë, duke çuar në pasoja afatgjata dhe të mundshme për çrregullime të mësuarit dhe ankthit.
Ndërkohë, shumë shtete janë duke ashpërsuar ligjet për shitjen dhe përdorimin e cigareve elektronike, ndërsa disa destinacione turistike i kanë ndaluar ato plotësisht. Rregullimi i duhanit dhe produkteve të tij po fokusohet gjithnjë e më shumë në mbrojtjen e të rinjve dhe në unifikimin e standardeve brenda Bashkimit Evropian. Shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar rregulla që përcaktojnë moshën minimale për blerjen e produkteve të vaping-ut, e cila është 18 vjeç. Kjo është në përputhje me Direktivat për Produktet e Duhanit (TPD), që synojnë të mbrojnë shëndetin e të rinjve dhe të parandalojnë përdorimin e tyre nga fëmijët dhe adoleshentët.
Në Kosovë, megjithatë, ende nuk ka një akt ligjor apo nënligjor që të kufizojë shitjen dhe përdorimin e cigareve elektronike për të rinjtë. Rrjeti i Prindërve të Kosovës ka bërë një apel zyrtar drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për sqarimin e mungesës së një legjislacioni që i klasifikon produktet si “Vape”, “Bars” dhe produkte të ngjashme, si të kufizuara për përdorim dhe shitje për persona mbi 18 vjeç. Ky është një shqetësim i madh për prindërit, të cilët kërkojnë që autoritetet të ndërmarrin hapa për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet që paraqesin këto produkte.
Ministria e Shëndetësisë deri më tani nuk ka kthyer përgjigje për kërkesat e parashtruara, duke lënë vend për pasiguri dhe për shqetësime nga ana e publikut. Direktiva e Bashkimit Evropian, përveç standardizimit të moshës ligjore për blerjen e cigareve elektronike, përmban edhe dispozita që kërkojnë sigurimin e cilësisë së produkteve, si dhe ndalimin e reklamave që synojnë të rinjtë, përfshirë përdorimin e personazheve vizatimorë dhe temave tërheqëse. Ndërkohë, shumë shtete të tjera kanë adoptuar masa të ngjashme për të mbrojtur shëndetin e të rinjve, por Kosova ende nuk ka bërë asnjë hap konkret në këtë drejtim.
Rrjeti i Prindërve të Kosovës ka kërkuar një përgjigje edhe për arsyet pse Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa ligjorë për të kufizuar përdorimin e këtyre produkteve nga të rinjtë, ndërkohë që BE dhe OBSH mbështesin zbatimin e rregulloreve të rrepta. Kjo ka nxitur shqetësime të mëtejshme për pasigurinë që mund të krijohet në shoqëri, duke rritur rrezikun që të rinjtë të përdorin këto produkte, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve të shumta shëndetësore.
Shqetësimi i prindërve dhe organizatave të tjera që mbrojnë shëndetin e të rinjve duhet të merret seriozisht nga autoritetet kompetente në Kosovë. Duke pasur parasysh rritjen e përdorimit të cigareve elektronike dhe ekspozimin e tyre në mënyrë agresive përmes mediave sociale, është koha që Kosova të ndërmarrë hapa të ngjashëm me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, duke zbatuar masa të qarta dhe ligjore për mbrojtjen e të rinjve nga përdorimi i këtyre produkteve të dëmshme.
Prinderimi.com