Në shumë pjesë të vendit bie borë dhe është shumë ftohtë. Kjo do të thotë se shumë fëmijë pas shkollës, janë të detyruar të qëndrojnë brenda, ndërsa shumë prindër përballen me shqetësimin se sa kohë po kalojnë fëmijët e tyre para ekranit.
Sa kohë para ekranit është e tepërt?
Si studiues i fëmijërisë së hershme dhe prind i një fëmije 4-vjeçar, kjo është një pyetje që më bëhet shpesh. A duhet të shqetësohemi për kohën që fëmijët kalojnë para ekranit apo më shumë për përmbajtjen që konsumojnë? Nëse do të kisha fuqi magjike, do të hiqja konceptin e “kohës para ekranit” dhe do të fokusohesha te cilësia e përdorimit të tij.
Prindërit dhe sfidat e respektimit të udhëzimeve për kohën para ekranit
Ka udhëzime ndërkombëtare dhe kombëtare për përdorimin e ekraneve, të cilat varen nga mosha e fëmijëve. Në Australi, për fëmijët e moshës 2-5 vjeç, rekomandohet jo më shumë se një orë kohë para ekranit në ditë. Për fëmijët nga mosha 5 deri në 17 vjeç, kufiri është dy orë, duke përjashtuar kohën e shpenzuar për detyra shkollore.
Megjithatë, shumica e prindërve australianë e kanë të vështirë të zbatojnë këto rregulla. Një sondazh i realizuar në Spitalin Mbretëror të Fëmijëve në vitin 2021 tregoi se shqetësimi kryesor i prindërve ishte koha e tepërt para ekranit. Mbi 90% e prindërve të anketuar e konsideronin këtë problem si “të madh” ose “disi të rëndësishëm”.
Koha apo cilësia?
Fokusimi te aspekti i “kohës” është një qasje e tejkaluar, pasi ajo mat vetëm sasinë dhe jo cilësinë e përmbajtjes. Kjo nuk do të thotë të lejojmë përdorimin e pakufizuar të ekraneve, por të përqendrohemi te përmbajtja që fëmijët shohin dhe mënyra si ndërveprojnë me të.
Të kapërcejmë konceptin e “kohës para ekranit”
Hulumtimet tregojnë rëndësinë e viteve të para të jetës dhe ndikimin e tyre në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve. Loja dhe aktiviteti fizik janë thelbësore për zhvillimin. Përdorimi i ekraneve duhet të jetë vetëm një pjesë e vogël e përvojave të fëmijëve.
Le të shohim disa shembuj:
- Xheni (4 vjeç) sheh “Spiderman” me vëllain e saj më të madh. Gjatë disa minutave të shikimit, ajo përballet me një skenë dramatike zënke.
- Bryce (5 vjeç) përdor video-thirrje për të biseduar me mikun e tij Lucas, i cili është shpërngulur. Ata flasin për lodrat dhe luajnë fshehurazi.
- Leo (6 vjeç) dhe tezja e tij shohin filmin “Sing”. Pas shikimit, Leo diskuton personazhet dhe mësimet që nxjerr nga filmi.
Këto raste tregojnë përdorime të ndryshme të ekraneve, por shpesh trajtohen njësoj nën emërtimin “kohë para ekranit”.
Çfarë është përdorimi cilësor i ekranit?
Ekzistojnë dy strategji për përdorimin cilësor të ekraneve:
- Bashkëshikimi dhe bashkëangazhimi:
Hulumtimet sugjerojnë që prindërit duhet të angazhohen me përmbajtjen që fëmijët shohin. Për shembull, pas shikimit të një episodi të “PAW Patrol”, prindërit mund të pyesin: “Çfarë vure re?” Kjo ndihmon në zhvillimin e gjuhës dhe të menduarit kritik. - Zgjedhja e përmbajtjes:
Prindërit duhet të bëjnë zgjedhje të ndërgjegjshme për programet dhe lojërat që shohin fëmijët. Për shembull, “Numberblocks” nxit interes për matematikën, “Bluey” promovon elasticitet emocional dhe “Dino Dana” i lidh fëmijët me shkencën.
Ndonjëherë, përmbajtjet thjesht argëtuese, si “Peppa Pig”, janë gjithashtu të pranueshme, ashtu siç të rriturit shijojnë filma argëtues.
Prindërit kanë mundësinë të ndikojnë te cilësia e përdorimit të ekraneve nga fëmijët. Kjo kërkon përfshirje, bashkëbisedim dhe përzgjedhje të kujdesshme të përmbajtjes, duke u fokusuar më shumë te cilësia sesa sasia e kohës.
Autorë: Prof. Kate Highfield
Solli në shqip me përshtatje: Perparim Blakaj, Prinderimi.com
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.