1) Kujdesu për përçimin e bindjes duke përdorur rrugën e diskutimit, pyetjes dhe kërkimit të informacioneve, e assesi të mbështetesh vetëm në formën e ligjërimit të përgjigjes. Pra, kur të përfundosh së sqaruari përgjigjen për fëmijën, kujdesu që ta vërtetosh arritjen e bindjes së fëmijës me përgjigjen tuaj në një nivel të kënaqshëm.
2) Ji i sinqertë në përgjigjën tuaj ndaj fëmijës, kurrsesi mos gënje përgjatë përgjigjes në emër të ikjes nga një pozitë kinse e pa lakmueshme. Shtuar kësaj, kujdesu të mos i japësh fëmijës informata të gabuara – sido që të jenë arsyet-, përgjigjja e saktë dhe e kapshme është boshti i besimit të fëmijës tek ti.
3) Mundohu aq sa të kesh mundësi ta thjeshtësosh përgjigjen tënde, që të kuptohet me lehtësi dhe t’i përshtatet mentalitetit të të voglit. Largohu sa të mundësh nga turbullirat që mund ta shpërqendrojnë mendjen e fëmijës. Gjithashtu, kujdesu që të mos i japësh fëmijës informata të cunguara, duke u arsyetuar që fëmija është ende i vogël dhe nuk ka aftësi të mjaftueshme për ta kuptuar drejt, sepse këto informata do të gdhenden në mendjen e fëmijës.
4) Mos u sill me fëmijën sikurse të jetë ai një mendjelehtë, pasi ai e kupton fare mirë atë që do t’ia përçosh; vetëm përsose mënyrën.
Bëj kujdes që përgjigjja jote të jetë shkurt e shqip pa i bërë bisht asaj, që fëmija të mos hyj në labirinte të jashtme që mund të përmbajë përgjigjja.
5) Mos e dëno fëmijën tënd të vogël, mos e qorto e as mos e përqesh për pyetjen e tij, pa marrë parasysh rrethanat, përkundrazi bëje ta kuptojë që ju çdoherë jeni i gatshëm për të, që do t’i përgjigjeni atij në çdo pyetje. Përqeshja e fëmijës e bën të ndihet i shpërfillur, të mos jetë guximtar dhe e privon atë nga ëndja e kureshtjes së hulumtuarit të gjërave.
6) Mos u brengos nga pyetjet e fëmijës tuaj rreth Krijuesit dhe as nga paaftësia e tij e njohjes së ekzistencës së Tij. Mos i ik përgjigjes së fëmijës, pasi ikja jote mund ta shpjerë atë në kërkim të burimeve të njohurive në vende të tjera.
7) Mos u zmbraps nga kërkimi i përgjigjes edhe në qoftë se duhet të zgjerohet kërkimi i saj, pasi të shfaqesh para fëmijës tënd si kërkues i njohurive është më mirë sesa të luash rolin e të dijshmit e në të vërtetë nuk e di. Nuk është e metë t’i thuash fëmijës, më prit pak ta kërkoj për ty përgjigjen e saktë.
8) Pranoji pyetjet e fëmijëve me vëmendje, trego ndaj tyre interesim dhe mos i neglizho ato duke u treguar i shkujdesur. Rritja e fëmijës, përvetësimi dhe edukimi i tij psikik dhe realist e ndihmojnë shumë atë që ta pranojë shpjegimin tuaj të gjërave, ndonëse në fillim i kishte vështirë t’i kuptonte.³
9) Nëse me të vërtetë je i zënë, atëherë është e udhës që t’ia qartësosh që kjo kohë nuk është e përshtatshme që t’i përgjigjesh në pyetjet e tij. Por, tregohu i vëmendshëm që të jesh iniciatore fi përgjigjesh atij menjëherë sapo të lirohesh.
10) Evitoje çdo stërzgjatje të panevojshme të sqarimeve dhe detajeve të stërholluara, sepse përgjigjet për pyetjet e fëmijës gjashtë vjeçar duhet të jenë më të shkurtra se sa për atë dhjetë vjeçar, dhe kështu me radhë. Kjo sa i përket pyetjeve të cilat duan përgjigje të zgjeruar me argumente e prova, siç janë pyetjet për botën e fshehtë dhe pyetjet e ndjeshme. Ndërsa përgjigjja ndaj disa pyetjeve është e përcaktuar, e kështu u thuhet të gjithë fëmijëve pa dallim moshe.
11) Provo aq sa të kesh mundësi t’i lidhësh përgjigjet e pyetjeve me gjëra reale që i percepton fëmija. Dhe në anën tjetër largohu nga gjëra abstrakte të cilat vështirë që i kupton fëmija në këtë moshë. Sipas mundësive, gjithnjë mundohu t’i mbështetësh përgjigjet e tuaja me argumente e prova që t’i përforcohen informatat fëmijës; pra përgjigjet të jenë të logjikshme.²
12) Rënia dakord e prindërve në dhënien e njohurive ndaj fëmijës. Nuk duhet që të ketë kundërthënie të mendimeve në mes prindërve kur t’ia shfaqin informatat fëmijës.
13) Të mos kthehet përgjigjja ndaj pyetjeve të fëmijës me një pyetje tjetër. Me fjalë të tjera, sikur t’i drejtohet prindi fëmijës së tij: “Për çfarë e ke fjalën? Ku e ke qëllimin?” Këtu fëmija ndihet i thyer, sepse nuk ka arritur t’ia përcjellë pyetjen prindit. Fëmija beson që prindërit duhet ta kuptojnë atë pa pasur nevojë ai për shpjegim a shtjellim të fjalëve të tij. Ndërsa nëse ndonjëri prej prindërve do të verifikojë qëllimin e pyetjes së fëmijës së tij, atëherë më mirë është të përdorë këtë lloj të shprehjes: “E ke për qëllim këtë apo jo?”
14) Prindërit të mos tregojnë qëndrim prej tirani me mendimet e tyre kur i përgjigjen ndonjë pyetjeje të caktuar të fëmijës, atëherë kur fëmija të merr njohuritë nga ndonjë burim tjetër informatash, por nga një rrugë tjetër ndryshe prej asaj të prindërve. Kështu që prindërit duhet të bindin fëmijën për përgjigjen e saktë me metodikë të lehtë, të thjeshtësuar me qëllim që t’ia përfitojnë besimin e tij, e jo të ndodhë e kundërta.
15) Përpiqu të jetë përgjigjja në formë të bashkëbisedës dhe jo të ligjëratës. Shto sa më shumë përdorimin e tregimeve, shembujve dhe përdorimit të enciklopedive shkencorë të ilustruara, me qëllim të zbërthimit të njohurive dhe përçimit të tyre në mendjen e fëmijës. Gjithashtu, përdori: lojërat fizike, aktrimin, vizatimin, mendimin, këndimin, shkëmbimin e ideve, lojërat e ndryshme logjike, ilustrimet, prerjet e figurave dhe ngjitjen e tyre, e të tjera të ngjashme. Llojllojshmëria e ndërton dhe zhvillon zgjuarsinë e fëmijës dhe ia gdhend atij njohuritë.
16) Disa lloje të pyetjeve nuk u përgjigjet menjëherë, porse përgjigjja ndahet pjesëza-pjesëza, në mënyrë të përshkallëzuar, nëse fëmija kërkon më shumë sqarime, atëherë i shtohet sqarimi sipas moshës, llojit të pyetjes dhe aftësisë së tij të të kuptuarit.
17) Atëherë kur fëmija pothuajse arrin pjekurinë, është e pëlqyer që kur të parashtrojë ndonjë pyetje, t’i kërkohet së pari atij mendimi; pra, të njëjtën pyetje ia parashtrojmë atij. Kështu e kuptojmë se si do të reagojë ai ndaj saj, rrjedhimisht e ndërtojmë përgjigjen tonë për të sipas reagimit të tij. Duhet të ndalemi së kërkuari që fëmijët të mendojnë sipas mendjeve tona, pasi kjo e shpie fëmijën në një kornizë së cilës nuk i përket.
Autor: Hamed Rakef
Përgatiti: Prinderimi.com