Nga biri i ëndërruar tek biri i vërtetë
Kur presim një fëmijë, fillojmë ta imagjinojmë atë dhe, natyrisht, ideja që krijojmë në kokë, nuk mund të jetë veçse një foshnjë e bukur, e zgjuar dhe e këndshme. I veshim gjithë virtytet e babait dhe nënës, por asnjë prej defekteve tona.
Por, edhe pse e ëndërrojmë këtë fëmijë të mrekullueshëm, nuk mund ta mjegullojmë nga koka dyshimin dhe shqetësimin, që na mbërthen herë pas here. Ndaj në ato çaste fillojmë veç të shpresojmë që fëmija të gëzojë shëndet të plotë. Kur foshnja vjen në jetë, prindërit e pranojnë qetësisht të sapoardhurin e vërtetë, duke i uruar lamtumirën atij që kishin ëndërruar.
Por, ka edhe nga ata që kapen fort me thonj pas imazhit që kanë krijuar dhe kërkojnë me çdo kusht që i vogli i tyre t’i ngjajë asaj çka prisnin. Në këto raste është i madh rreziku që fëmija të mos jetë kurrë në lartësinë e duhur. Por ka edhe prindër që sillen sikur foshnja e tyre të jetë vetë mishërimi i përsosmërisë dhe habiten kur ky i fundit rreket të zhvillojë individualitetin e tij. Këtu ekziston rreziku që fëmija të mos e gëzojë të drejtën e të qenit vetvetja.
Dhe, së fundi, ka edhe nga ata prindër që zhgënjehen kaq shumë nga fëmija i tyre i vërtetë, sa nuk arrijnë as ta pranojnë dot: ky fëmijë do të shihet gjithmonë si i parealizuar plotësisht. Ndaj duhet t’i bëjmë pyetjen vetes se në ç’pika ngjason ose ndryshon fëmija i ëndërruar me birin e vërtetë dhe nëse e pranojmë të voglin tonë ashtu si është.
Prindërit që miratojnë tek fëmija si pikat e tij të forta ashtu edhe kufijtë, e ndihmojnë shumë. Në fakt, e ndihmojnë të ndërtojë sigurinë e brendshme, thelbin e të qenit një njeri me vlera, që punon fort për ta përmirësuar çdo ditë e më shumë veten e tij.
Prindërit nuk janë kurrë objektivë kur e përshkruajnë fëmijën e tyre dhe kjo është më se normale. Kur e duam dikë, flasim gjithmonë me terma sipërorë. Por, nga ana tjetër, ku ka më mirë se gjithë kjo dashuri prindërore për fëmijën, sepse që të kujdesesh për të vegjlit, t’i shtysh të bëjnë përpara dhe t’u vësh kufij, duhet t’i duash pa masë. Duhet edhe durim pa fund, por kjo është një histori më vete!
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”