Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilja Redzepi kanë marrë pjesë e hapjen e “Qendrës së Resurseve për Studentë” dhe lansimin e programit mbështetës për studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Ministrja Nagavci theksoi se mbështetja që ofron Ministria e Arsimit për studentët e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian të Kosovës ka për qëllim të frymëzojë dhe inkurajojë të rinjtë e të rejat e komuniteteve për të avancuar veten dhe shoqërinë. Ajo bëri të ditur për mbështetjen e MAShTI gjatë katër viteve të fundit, ku që nga viti akademik 2022/2023 është filluar skema e bursave për studentët nga radhët e komuniteteve joshumicë, nga viti shkollor 2022/2023 janë ndarë 200.000 euro për subvencionimin e shtatë OJQ-ve të cilat mbështesin 21 qendra mësimore në tërë vendin, janë bërë lehtësime për nxënësit e komuniteteve të ndryshme në regjistrimin e klasëve të 10-ta në shkolla profesionale dhe gjimnaze.
Ndër të tjera ministrja ajo tha se për herë të parë vitin e kaluar në MASHTI ka filluar rishikimi i teksteve të Matematikës dhe Gjuhës Shqipe për klasat 1-9, ku vëmendje e veçantë i kushtohet shmangies së gjuhës së papërshtatshme ndaj pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian në çfarëdo konteksti relevant.
Ministrja falënderoi Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe HEKS për mbështetjen e iniciativës së VoRAE për këtë projekt me potencial të jashtëzakonshëm për të rinjtë kosovarë nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian.
Ndërsa, përfaqësuesja e Zyrës Zvicerane për Zhvillim, Beata Elsasser përmendi se shkollimi i pakicave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian ende është më i ulët në krahasim me komunitet e tjera në Kosovë. Po ashtu ajo u shpreh e lumtur për mbështetjen e Qeverisë dhe MAShTI me bursa të skemave të veçanta për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.