Perfundimisht, megjithate, pavaresisht se sa bejne prinderit, femijet e tyre jane individe te pavarur dhe jane personalisht pergjegjes per veprimet e tyre. E gjithe ajo qe mund ta ofrojne prinderit eshte perkrahja dhe udhezimi. Nje dite ata do te jene shume te lumtur dhe krenare te deklarojne: “Ne ishim prinder te mire”
Fillimi i prindërimit të mirë: Një pasqyrë e detyrës që qëndron para nesh
Prindërimi i mirë fillon para se të ngjizet fëmija. Para martesës, personi duhet ta zgjedhë një bashkëshort/e të mirë. Pas martesës, nëna shtatzënë duhet të kujdeset për shëndetin e saj dhe për të ushqyerit e saj, dhe ta shmangë futjen e substancave të dëmshme në trupin e saj. Babai duhet të kujdeset për të sa më mirë që mundet, t’ia lehtësojë sa më shumë nga detyrat dhe punët e saj, dhe t’i mundësojë asaj mjaft pushim, gjumë dhe relaksim. Këtu ne u ofrojmë prindërve një pasqyrë të detyrës që i pret dhe diturinë dhe shkathtësitë për arritjen e një prindërimi të mirë. Është e dobishme të dihet shtrirja reale e sfidave me të cilat ballafaqohen prindërit, në mënyrë që ata të mos i mbivlerësojnë apo nënvlerësojnë vështirësitë në të cilat do të hasin. Nëse ata mendojnë se prindërimi është shumë i lehtë, ata nuk do ta ndjejnë nevojën që ta përgatisin veten për të. Nëse mendojnë se ai është shumë i vështirë, ata mund të dëshpërohen dhe të heqin dorë.
Ndonëse prindërimi mund të jetë përvojë më shpërblyese, stimuluese dhe përfundimisht dhe kënaqëse nëpër të cilën kalon një person ndonjëherë, ai mund të jetë edhe po aq kërkues. E tërë jeta e një personi është një varg testesh, ndërsa rritja e fëmijëve është më sfiduesi. Prandaj, nocionet romantike do të duhet të lihen anash dhe të kuptohen disa realitete. Prindërimi i mirë nuk është i thjeshtë, dhe nuk është kurrë pa gabime. Fëmijët do ta vënë në sprovë durimin e prindërve të tyre dhe do ta testojnë qëndresën e tyre, dhe madje edhe kur nuk janë afër, do t’i preokupojnë mendjet dhe zemrat e tyre. Jeta e një personi ndryshon në mënyrë dramatike me ardhjen në jetë të fëmijëve.
Të gjithë fëmijët kanë talent dhe potencial, siç i kanë edhe të gjithë prindërit. Prindërimi nuk është diçka që duhet përballur i vetëm. Shumë prindër kanë një rrjet mbështetjeje për t’iu ndihmuar të kujdesen për fëmijët e tyre, përfshirë mësues, dado, kushërinj, prijës fetarë dhe miq.
Sapo të ngjizen fëmijët, ne mund të fillojmë duke i aplikuar udhëzimet vijuese. Kjo na ndihmon ta kemi në mend tablonë më të gjerë për t’iu shmangur fundosjes me ngatërrimin e shumë “bëj” dhe “mos bëj”- ave. Fillojani duke u përpjekur t’i kuptoni tetë parimet vijuese për t’ju ndihmuar ta shihni jetën tuaj familjare dhe shtëpinë në një mënyrë të balancuar. Mbajeni prinderimin gazmor. Thoni vetes se edhe pse ne mund te bejme gabime “trashaluqe”patekeq, ju nuk mund ta germezoni fjalen “TRASHALUQE” pa T(i) dhe U(ne).
- Kuptojeni se zhvillimi i fëmijës është një proces i gjatë dhe i sofistikuar
Rritja e fëmijëve të ndershëm, qytetarë aktiv, dhe prijës të mirë të mundshëm është detyrë ditore që merr vite, jo vetëm muaj. Ndonëse romanca mund të na dështojë dhe miqësia jonë të marrë fund, lidhja prind-fëmijë është më e fuqishme dhe më e pathyeshme, duke u bërë ballë stuhive më të fuqishme për të mbetur njëra nga marrëdhëniet më të fuqishme dhe më të qëndrueshme mbi tokë.
- Vendosni qëllimet e duhura dhe përpiquni vazhdimisht të përmirësoheni
Qëllimet na ndihmojnë ta largojmë konfuzionin dhe ta përkufizojmë veprimin. Ata e bëjnë të qartë se ku duam të shkojmë dhe si të udhëtojmë deri atje (ne e kemi përpiluar një skicë të qëllimeve të prindërimit që do të diskutohet në kapitujt në vijim). Pa qëllime apo pa një hartë rrugore, prindërit mund të gabojnë me pahir, ngaqë ata nuk kanë objektiva të përkufizuar karshi të cilave do t’i matnin veprimet e tyre. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhin gabime; ato do të ndodhin! Ideja është të njihen gabimet dhe të mësohet nga ato duke u bërë më të përgjegjshëm. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët: a u kemi dhënë fëmi jëve tanë udhëzime të qarta? A i kemi udhë zuar ata se si të jetojnë në harmoni me ne? A ua kemi dhënë atyre shkathtësitë e domosdoshme në mënyrë që t’i arrijnë pritshmëritë tona?
- Zbatojini në praktikë parimet e mësuara dhe ndajini përvojat praktike me prindërit e tjerë
Nëse kemi ekzaminuar literaturë mbi prindërimin, apo kemi kërkuar këshillim, ne do të gjejmë mjaft udhëzim që do të na ndihmonte. Ndonëse prindërit mund të pajtohen rreth parimeve të përgjithshme, ata shpesh nuk ia arrijnë që ato t’i zbatojnë në praktikë (për shkak të mungesës së shkathtësisë, përvojës, apo thjesht për shkak të punëve të përditshme). Megjithatë, kur ata i ndajnë përvojat e tyre praktike me prindërit e tjerë, kjo mund t’iu ndihmojë të dyja palëve të arrijnë shkathtësi prindërimi më të mira. Qoftë nëse jemi beqarë, të martuar, në shtëpi, apo të punësuar jashtë shtëpisë, prindërimi është një punë tepër e rëndësishme për ta kryer atë të veçuar.
- Bëhuni shembull i mirë për t’u ndjekur dhe mësojani fëmijëve vetë-mbështetjen
Njëra nga gjërat më me rëndësi që prindërit mund t’ua mësojnë fëmijëve të tyre është se si t’ia dalin mbanë pa ata. Pikërisht në shtëpi fëmijët e mësojnë dinjitetin, guximin, vetë-disiplinën, dashurinë, dhembshurinë, ndërvarësinë dhe përgjegjësinë. Ligjërimi nuk mjafton për t’ua siguruar fëmijëve mjetet e duhura për t’u bërë burra e gra me karakter të admirueshëm. Shembulli i mirë i një prindi është më i mirë se shumë predikime.
- Mësojini fëmijët ta dallojnë të drejtën nga e gabuara
Kur prindërit dëgjojnë rrëfime për sjelljen e dobët të fëmijëve të tjerë, ata shpesh herë bëjnë vërejtjen: “Fëmija im nuk mund ta bëjë atë. Fëmija im është ndryshe”. Është e gabuar të pretendojmë se fëmija ynë është imun nga sjellja e keqe dhe se natyrisht do të bëhet i suksesshëm. Në realitet, një fëmijë mund të sillet në kundërshtim me dëshirat tona. Kjo nuk duhet të na habisë, ngaqë fëmijët tanë në parim nuk dallojnë nga mijëra fëmijë të tjerë që shoqërizojnë dhe jetojnë rreth nesh. Meqenëse të gjithë ne jemi pasardhës të Ademit dhe Havvës (dhe në vete kemi gjenet e tyre), të gjithë ne jemi të aftë ta dallojmë të drejtën nga e gabuara dhe të veprojmë sipas kësaj dijeje të brendshme. Të ballafaquar me sfida të ngjashme dhe duke jetuar në një ambient të mbyllur, çdokush mund të bëjë gabime, më të vetmin dallim se dikush nga ne do të bëjë më shumë gabime se të tjerët, dhe se disa prej nesh do të pendohen dhe korrigjohen, ndërsa të tjerë jo. Edhe pse çdokush është i veçantë, ne ballafaqohemi me shumë përvoja të ngjashme. Vështirë se ka ndonjë çështje në jetët tona që nuk është përjetuar, në këtë apo atë mënyrë, nga dikush tjetër.
- Punoni me zell për t’i zhvilluar dhe ngulitur tiparet kyçe të karakterit
Nga aspekti i tablosë më të gjërë, rishfaqja e një qytetërimi vërtet njerëzor mund të arrihet vetëm me themelimin e institucioneve të shëndosha. Këto institucione duhet të përbëhen nga individë që posedojnë karakter të fortë dhe të pacen, të lirë nga egoizmi, makutëria dhe korruptimi. Këto personalitete duhet gjithashtu t’i posedojnë edhe cilësitë e ndershmërisë, përuljes dhe dashurisë për të tjerët. Tiparet e karakterit të mirë janë rrallëherë prodhim i rastësisë; ata janë rezultat i familjeve të lumtura, ambienteve të qëndrueshme dhe prindërve të përkushtuar.
- Zhvillojeni artin e bashkëbisedimit
Flisni! Diskutoni me fëmijët tuaj për çfarëdo qoftë dhe për gjithçka, për atë se çfarë keni bërë gjatë ditës, për atë se si ndjeheni për disa çështje, dhe për atë se çfarë mendon fëmija juaj për x, y dhe z. Është me rëndësi që fëmijët të mësojnë se si ju i artikuloni mendimet tuaja. Bëjeni komunikimin prioritet dhe filloni ta njihni dhe ta kuptoni fëmijën tuaj. Krahas zhvillimit të marrëdhënieve, të folurit është po ashtu vendimtare për zhvillimin dhe artikulimin e gjuhës. Mos kërkoni strehim te televizori, Interneti dhe/apo lojërat kompjuterike për ta hequr qafe fëmijën. Mungesa e të folurit rezulton në intelekt të vdekur dhe pasivitet. Ne ia kemi kushtuar një kapitull ndikimit negativ shikimit të tepër të televizorit. Komunikimi përfshin diskutime serioze dhe shkëmbim me humor. Prindërit duhet të bëjnë shaka dhe të luajnë me fëmijët e tyre, ngaqë humori i forcon marrëdhëniet dhe e largon nga mendja mërzinë. Prindërit kalojnë aq shumë kohë në rritjen e fëmijëve saqë harrojnë të kënaqen me ta, dhe kjo është një humbje e madhe. Fëmijët gjenden në një botë tërësisht të tyren dhe kanë një kapacitet shumë të madh për lumturi dhe lojë. Është për keqardhje të shohësh prindër të zymtë, të mërzitshëm, që parapëlqejnë të shikojnë televizor në vend që të dalin jashtë dhe përreth me fëmijët e tyre, t’i bëjnë ata të qeshin dhe të argëtohen me ta. Meqenëse jeta është përplot presion dhe ankth, fëmijët mund ta ofrojnë ilaçin më të mirë për lehtësimin e stresit, duke iu ndihmuar prindërve të arratisen në botën e tyre fëmijërore, megjithëse vetëm për pak kohë. Disa prindër ndjejnë se lodrimi me fëmijë shpreh dobësi apo mungesë serioziteti për jetën. Realiteti është se kur qeshni me fëmijët, ju i lejoni atyre të ndjehen të sigurt dhe të mos frikësohen nga ju, nivelet e tensionit ulen, ndahet një lidhje e padukshme dashurie dhe fëmijët ndjehen të lirë ta shprehin veten. Bërja shaka dhe të qeshurit është një pjesë thelbësore e komunikimit.
- Kënaquni me prindërimin e mirë!
Kjo vijon nga pika paraprake. Parimet e përvijuara më sipër janë menduar të aplikohen me dhembshuri dhe dëfrim. Nganjëherë, prindërit që e kanë obsesion suksesin janë aq të përqendruar mbi qëllimet, saqë lejojnë që kënaqësitë e thjeshta të jetës familjare t’iu rrëshqasin nga dora. Jini të vetëdijshëm për këtë. Prindërimi është koncept holistik dhe një detyrë e mëshirshme, sepse përvoja e prindërimit është po aq e rëndësishme sa edhe realizimi i qëllimeve.
Shfrytëzimi i burimeve të informacionit mbi prindërimin
Njëra nga mënyrat për ta filluar prindërimin e mirë është të konsultohen burimet e këshillave dhe informatave të ekspertëve.
Burimet muslimane kundrejt burimeve perëndimore
Literatura për prindërimin është gjerësisht në dispozicion në Amerikën Veriore (Tabela 1.1). Për prindërit perëndimorë ka shumë informacione që mund të gjenden mbi prindërimin e mirë; dhe ka shumë libra, biblioteka dhe faqe Interneti që ofrojnë burime dhe informacione për të ndihmuar që prindërimi të bëhet më shpërblyes dhe më efektiv.
Biblioteka | Numri i titujve
|
Biblioteka e Kongresit | 2464 |
Konsorciumi i 6 Universiteteve, ShBA | 3215 |
Biblioteka Publike e Qarkut Fairfax, Virginia | 432 |
Biblioteka Kombetare e Kanadase | 362 |
Në kontrast me këtë, kur prindërit e ardhshëm muslimanë kërkojnë këshillë mbi prindërimin nga burimet muslimane, çfarë kanë ata në dispozicion? Et-Tall dhe el-Kajsi (në arabisht 1999) e theksojnë mungesën e literaturës muslimane të cilësisë së lartë mbi prindërimin. Pak libra ofrojnë detaje praktike për atë se si të mbruhen vlera të pranueshme dhe karakter te fëmijët. Prindërit përballen me vështirësi në shfrytëzimin e librave klasikë mbi prindërimin. Të vjetrit merren me kohëra dhe sfida të ndryshme, dhe u mungon klasifikimi i qartë, indeksimi dhe referencat. Informacioni mbi prindërimin për muslimanët është i shpërndarë nëpër një mori shkrimesh, që përfshijnë: literaturën mbi jurisprudencën, komentet e Kur’anit (tefsir), veprat historike, poezia sufite dhe libra këshillash.
Dr. ez-Zabalawi (në librin e tij në arabishte për rritjen e adoleshentëve) thotë se ka pak literaturë islame mbi rritjen e fëmijëve, dhe shumë pak shkrime të specializuara mbi adoleshencën. Asociacioni i Studentëve Muslimanë i Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë (Muslim Students Association – MSA), e publikoi të parin libër islami për ngjyrosje për fëmijë më 1973. Librat e tillë nuk ishin në dispozicion asokohe, dhe prindërit që u vendosën në Perëndim e ndjenin mungesën e literaturës për fëmijë.
Dr. Manazir Ahsen, Drejtor i Fondacionit Islamic (Islamic Foundation), në Leicester, Angli, përmend se edhe pse komunitetet muslimane në Perëndim kanë qenë në gjendje të themelojnë një numër të mirë institucionesh, xhamish dhe shkollash, ata nuk kanë qenë në gjendje “të prodhojnë literaturë të përshtatshme në anglisht për t’i plotësuar nevojat e mësimit të brezit të tyre më të ri, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë” (D’Oyen 1996).
Literatura e prodhuar deri më tani është shumë e pakët dhe shumë më tepër nevojitet. Biblioteka islame sot është e mangët me libra mbi rritjen e fëmijëve dhe prindërimin. Pjesa më e madhe e literaturës i adresohet arsimimit të të rriturve, ndërsa pak është shkruar mbi zhvillimin e fëmijës dhe psikologjinë adoleshente. Një masë e madhe literature është shkruar nga juristë mbi aspektin formal të kontratave martesore; të drejtat dhe detyrat e bashkëshortëve, bashkëshorteve dhe fëmijëve; çështjet teknike të divorcit dhe kalkulimi i trashëgimisë. Ka nevojë për më shumë libra islamikë që përqendrohen mbi familjen dhe marrëdhëniet midis vëllezërve e motrave, në veçanti aspektet shoqërore, psikologjike dhe zhvillimore. Kur prindërit kërkojnë këshillë mbi çështjet familjare, shumica e librave në të cilat ata hasin përqendrohen mbi çështjet formaliste dhe legaliste (fikhi).
Për më tepër, librat e historisë muslimane që mësohen në shkollat e mesme në botën arabe tentojnë ta shpërfillin bashkëveprimin njerëzor dhe zhvillimin personal, dhe përqendrohen kryesisht mbi çështje politike dhe rregullimin e paqes dhe luftës midis kombeve. Pak hapësirë i kushtohet dashurisë njerëzore, dhembshurisë dhe respektit të treguar nga Profeti Muhammed a.s. ndaj fëmijëve, përzemërsisë së tij në raportet me ta, respektit të tij ndaj tyre dhe gatishmërisë së tij për t’iu bashkuar në lojërat e tyre. Profeti a.s. nuk e pati rastin t’i rrisë djemtë e tij, ngaqë ata vdiqën duke qenë akoma foshnje, e megjithatë ai i rriti bijat e tij (Fatime, Zejneb, Rukaije dhe Umm Kulthum), dhe kontribuoi në rritjen e nipërve dhe mbesave të tij, dhe të fëmijëve të kushërinjve të tij dhe të komunitetit. Ai po ashtu e rriti edhe kushëririn e tij të ri, Ali ibn Ebi Talibin dhe të birësuarin e vet, Zejd ibn Harithe. Është e habitshme se si Profeti a.s. iu kushtoi aq shumë vëmendje fëmijëve dhe tregoi ndaj tyre kujdes, dashamirësi dhe respekt, duke qenë njëkohësisht tërësish i pushtuar me themelimin e një shoqë rie të re dhe shtetit të ri, që ishte në kërcënim të vazhdueshëm për zhdukje nga armiqtë e tij.
Pak vëmendje i është kushtuar rritjes së fëmijëve nga burrat, ngaqë, në pjesën më të madhe, kjo bëhej nga gratë. Eksplorimi dhe shtjellimi i veprimeve të muslimaneve, të njohura në literaturën islame si Nënat e Besimtarëve, nuk është ndërmarrë sa duhet. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e saj është humbur apo zhvleftësuar. Ne duhet t’i inkurajojmë dijetarët të hetojnë dhe të zhvillojnë literaturë për atë se si bashkëshortet e Profetit a.s. dhe Shoqërueset e tij i rrisnin fëmijët. Kjo do të ndihmonte të prezantohej një përmasë e rëndësishme e rolit të grave në zhvi llimin shoqëror dhe të zgjerohej biblioteka islame në studimet e grave. Për më tepër, kjo literaturë do të duhej të përfshinte një studim të veprimeve të grave që me sukses kanë rritur prijës të mundshëm, si meshkuj ashtu edhe femra, në kohët e fundit. Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë udhëzimi se “Parajsa shtrihet nën këmbët e nënës” nuk do të jetë asgjë, veçse një banalitet fetar.
Theksi deri më sot është vënë mbi vlerat dhe qëllimet abstrakte, në vend se mbi mënyrat dhe mjetet praktike për zhvillimin e karakterit dhe vlerave te fëmijët. Vëmendje e mjaftueshme nuk i është kushtuar të kuptimit dhe analizës së zhvillimit dhe rritjes, duke e bërë të vështirë për prindërit që t’i aplikojnë parimet e prindërimit në jetët e tyre të përditshme. Nevojiten teknika praktike, shkathtësi përkatëse, dhe shembuj nga jeta reale. Një shpërqendrim ka qenë kolonizimi shekullor i vendeve muslimane, gjatë së cilës kohë përparësi kryesore i është dhënë çlirimit të vendit, ndërsa terbija (edukimi dhe stërvitja) është shpërfillur. Ndryshimi shoqëror, menaxhimi i mirë dhe zhvillimi ishin në fund të agjendës. Shkrimi mbi prindërimin nuk ishte përparësi dhe kurrfarë kërkimi serioz nuk u ndërmor në këtë temë për një kohë të gjatë.
Reformatorët muslimanë, si Ibn Sahnun, Ibn el-Xhezzar dhe Ali el-Kabsi, që të gjithë në Kejravan, Tunizi, theksin më të madh e kanë vënë mbi gjidhënien, dhe si të kontro llohen, disiplinohen dhe ndëshkohen fëmijët në klasë, si dhe kompensimi për mësi mdhënësit. Nuk i është kushtuar vëmendje e mjaftueshme psikologjisë fëmijërore, zhvi llimit të fëmijës, edukimit dhe të qenit prindër. Kjo pjesërisht mund ta shpjegojë përse lëvizjet reformiste të mëdha nuk mund ta ringjallnin qytetërimin musliman përku ndër aftësisë gjeniale dhe përpjekjeve të sinqerta të prijësve të tyre. Për të qenë në gjendje të themelojmë një shoqëri të lulëzuar, ne duhet të kemi një njohuri të shkëlqyer për rritjen e fëmijëve dhe për ndërtimin e karakterit. Neve po ashtu na nevojitet arsimim i shëndoshë, besim i fortë dhe shkathtësi të duhura. Është interesante të vërehet se si Kur’ani i përshkruan profetët si shembuj për t’u ndjekur që duhen imituar. Cilësitë e udhëheqjes mund të zhvillohen herët në jetë nëse kemi një të kuptuar më të thellë të artit dhe shkencës së prindërimit.
Më 2002 profesori Mumtaz Anwar nga Universiteti i Kuvajtit u ngarkua nga IIIT për ta hulumtuar literaturën që ishte në dispozicion mbi prindërimin për muslimanët. Ai konstatoi mungesë të librave për prindërim të mirë për muslimanët, si dhe po ashtu se kishte nivele të ulëta të njohjes së shkrim-leximit në shumë pjesë të botës muslimane, veçanërisht ndër femrat. Shumica e prindërve muslimanë varen nga vrojtimi personal dhe përvoja në rritjen e fëmijëve, që nuk mjafton për rritje të suksesshme të fëmijëve. Madje edhe për prindër muslimanë të arsimuar, ndjehet mungesë e literaturës së cilësisë së lartë mbi prindërimin e mirë, dhe nuk mund të gjendet kurrfarë trajnimi formal të vërtetë. Edhe pse është e vështirë të matet se sa literaturë mbi prindërimin është në dispozicion në të gjitha gjuhët e botës muslimane, ne vlerësojmë se ajo nuk mjafton. Është e qartë se ka një nevojë urgjente për prodhimin e literaturës së cilësisë së lartë mbi prindërimin, bazuar mbi ndërtimin e karakterit, vlerat dhe ndershmërinë, që merret po ashtu edhe me problemet relevante të komuniteteve sot, përfshirë edhe problemet në nivel lokal.
Cilësitë e profetëve (që gjenden në Kur’an)
- I ndershëm
- I mëshirshëm dhe i dhembshur
- Dituri dhe urtësi
- Rritja (duke iu referuar Talutit) në force fizike dhe dituri
- Professional dhe i besueshëm
A duhet prindërimi të ligjërohet në shkollat e mesme?
Nëse prindërimi është detyrë me përgjegjësi, përse atëherë nuk japim mësime formale në shkolla? Shtatë nga dhjetë njerëz mendojnë se prindërimi është diçka që duhet ta mësojmë apo të na mësohet. – LONGFIELD DHE FITZPATRICK 1999
Bota ka ndryshuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Brezat e mëparshëm të së njëjtës
familje e kishin për zakon të jetonin në të njëjtin fshat apo qytezë. Gjyshet dhe gjyshërit, hallat, tezet, dajallarët, xhaxhallarët dhe motrat e vëllezërit më të mëdhenj ishin aty për të dhënë këshilla dhe për të ndihmuar në përkujdesjen për fëmijët. Jeta familjare tani është duke u bërë më sfiduese. Ka shumë familje me një prind dhe ka më shumë shkatërrime martesash dhe nëna që punojnë sesa më parë. Meqenëse marifeti i bartjes së prindërimit të mirë është fragmentuar, ne duhet ta plotësojmë rolin e “mësuesit të prindërimit” të lënë të zbrazët me tkurrjen e rrjetit të familjes së zgjeruar. A duhet të shikojmë nga shkollat për ta bërë këtë? Për më tepër, rritja e fëmijës së dytë mund të jetë më e lehtë se e të parit, ngaqë mësojmë aq shumë. Nëse mund ta bartim më tutje këtë përvojë, zyrtarisht dhe/ose jozyrtarisht, a nuk do të duhej ta bënim këtë?
Ndonëse ofrimi i kurseve mbi prindërimin tingëllon logjike dhe tërheqëse, në realitet kjo është larg kësaj. Ne duhet ta kemi të qartë se çfarë kërkojmë ne që ato kurse të ligjërojnë. Roli i “mësuesit të prindërimit” paraqet po ashtu problem. Jeta familjare nuk është shkencë e pastër: ajo ka të bëjë po ashtu me ndjenjat, marrëdhëniet dhe intimitetin. Ata që polemizojnë kundër mësimit mbi prindërimin në shkollat e mesme pohojnë se prindërimi nuk duhet mësuar si formula të ngurta në klasa të drejtuara nga agjenci qeveritare. Institucionet arsimore që dëshirojnë të ndërhyjnë në jetën familjare private dhe politikanët që përzihen, nuk duhen lejuar t’i vënë duart e tyre mbi ngatërresat e marrëdhënieve familjare. Ndihma profesionale për prindërimin është e dobishme, por megjithatë prindërit nuk duhet të heqin dorë nga roli i tyre në favor të mësuesve dhe profesionistëve. Meqenëse çdo familje është e veçantë, prindërit këshillohen t’i drejtohen urtësisë së tyre, intuitës dhe gjykimit personal. Mësimi nga gabimet personale mund të ndihmojë mjaft dhe autonomia familjare duhet ruajtur. Të qenit prindër, ndryshe nga matematika, nuk është lëndë teorike. Mësuesit që janë të aftë të ligjërojnë teori mund të mos jenë aq të aftë të ligjërojnë një lëndë praktike mbi prindërimin.
Sipas psikoterapistit Donald Winnicott,
“Gjithe jeten time profesionale une i jam shmangur dhenies se keshillave. Madje edhe me qellimet me te mira, mjeket kane qene vecanerisht pergjegjes per te nderhyre midis nenave dhe foshnjave, prinderve dhe femijeve”. – WINNICOTT, 1992
Për më tepër, gjatë dhënies së udhëzimeve për prindërimin, ne duhet të jemi të kujdesshëm që t’i shmangemi intervenimit të jashtëm në jetën familjare, si dhe të bëhemi autoritarë. Kjo mund ta minojë besimin dhe përgjegjësinë e prindërve. Mësues të papërgatitur nuk duhet të veprojnë si shërbim pajtimi apo arbitrariteti për t’iu adresuar konflikteve familjare.
Megjithatë, meqë e thamë këtë, ka elemente të dobishme nga një lëndë e strukturuar mire që nuk mund të neglizhohen. Në vend që ta hedhim beben jashtë bashkë me ujin e govatës, ne duhet ta mësojmë vlerën e përgjegjësisë që rezulton nga nisja e familjes, si dhe kohën dhe koston e përfshirë. Shembulli i orëve të prindërimit që do të diskutohet më poshtë është marrë nga Mbretëria e Bashkuar, mirëpo edhe vetë bota muslimane po ashtu ka filluar të ligjërojë prindërimin. Për shembull, është inkurajuese të dihet që më 1998, Universiteti Islamik Ndërkombëtar në Malajzi prezantoi një lëndë mbi martesën dhe të qenit prindër për studentët, dhe një Diplomë në Edukimin Prindëror për përgatitjen e mësimdhënësve.
Udhëzimet britanike për kurset e shkollave të mesme
Siç u diskutua, duhet të ketë një drejtpeshim delikat midis prindërve dhe shkollave, që nuk duhet prishur përmes futjes së lëndëve të detyrueshme. Për më tepër, ndonëse agjencitë e shëndetësisë dhe shoqatat e bamirësisë u ofrojnë ndihmë prindërve të rinj për shtatzëninë, lindjen dhe kujdesin për foshnjat, mësimi i aspekteve dhe vlerave shoqërore mund të jetë kontrovers.
Qeveria britanike filloi me mësimdhënie të një lënde të rregullt prindërimi për fëmijët shkollorë në vitin 2000. Shkatërrimi i familjes dhe prindërit e vetëm paraqesin problem serioz për Britaninë dhe kanë arritur nivele alarmante në Europë (Woolf 1999). Bazuar mbi një këshillë të dhënë nga edukuesit, nëpunësit civilë dhe psikologët, Qeveria britanike prezantoi udhëzime për t’ua mësuar fëmijëve temat vijuese: (Burges 2009)
- Marrja me konfliktet në martesë
- Ndëshkimi i fëmijëve në mënyrë të përshtatshme
- Këshilla praktike se si duhet përballuar zemërimi i çastit i fëmijës në supermarket
- Rolet e pritura të nënave dhe baballarëve
- Shpenzimet dhe çështjet praktike të rritjes së fëmijëve
- Ushqimi i vetëbesimit te fëmijët dhe prindërit përmes lavdërimit
- Vlera relative e gjësendeve materiale karshi dashurisë dhe sigurisë
- Përgjegjësitë krahas të drejtave dhe pavarësisë
- Vlera e martesës
- Shkathtësitë për menaxhim me kohën
- Marrja me streset në jetën familjare
Qeveria britanike e ndjeu se ky program mësimor do të ndihmonte të reduktohej numri i shtatzënive adoleshente dhe sjelljes kriminale te fëmijët. Mësimi se si të jetohet me rregulla familjare është hapi i parë drejt mësimit se si të jetohet me ligjet e shoqërisë dhe si të shmanget burgosja. Ndonese prinderimi eshte sfidues, ai eshte pervoja me kenaqese, shperblyese, stimuluese dhe perfundimisht e pelqyeshme qe shumica nga ne do ta kene ndonjehere.
(BATUL ET-TUMA, AUTORE DHE NENE, LETER PERSONALE)
Nje shkence kerkon metodologji, struktura, strategji dhe supozime.
Nje art kerkon urtesi, takt, intuite, dashuri dhe arsye te shendoshe.
Rritja e femijes eshte shkence, art dhe perpjekje shpirterore.
A janë fëmijët tanë jonormalë?
Per shkak te nderlikimeve te rritjes se femijeve, disa prinder mendojne se pasardhesit e tyre jane jonormale. Nje nene tha: “Disa vite para se te kishim femije, bashkeshorti im dhe une u beme surprize fqinjeve tane ashtu qe ua pastruam shtepine teksa ata nuk ishin aty. Ata kishin tre femije te vegjel, te cilet kishin shume lodra te shperndara gjithandej neper shtepi. Gjashte ore pasi ia nisem, ne rame te rraskapitur mbi divanin e tyre, duke lekundur kokat tona ne mosbesim. Kjo nuk mund te jete normale. Nese eshte normale, ne kurre nuk do te kemi femije. Dy vjet dhe dy femije me pas, une tani e di se sa normale ishte shtepia e fqinjit tone. Dhoma jone e ndenjes tani e ka te njejten ‘ketu-jetojne-femije’ pamje”. – FABER dhe MAZLISH, 1982
Fëmijët janë ardhmëria e njerëzimit − Përmes fëmijëve ne mund ta ndryshojmë botën
- Fëmijët ka mundësi ta arrijnë atë që ju besoni për ta: Nëse ju u thoni fëmijëve tuaj: “Ju mund ta bëni”, ata do ta bëjnë. Nëse iu thoni: “Ju nuk mund ta bëni”, ata nuk do ta bëjnë.
- Një komb është shuma e familjeve të tij dhe shuma e burrave dhe grave të tij.
- Nëse dëshirojmë ta ndryshojmë një komb, ne duhet ta ndryshojmë shtëpinë.
- I zgjuar nuk është thjesht diçka që jeni; por diçka që mund të bëheni.
- Për ta ndryshuar familjen, ne duhet ta ndryshojmë vetveten.
- Teksa fëmijët tuaj rriten, roli juaj si prind duhet të zhvillohet nga menaxher në konsulent, nga një mbikëqyrës në terren – në mentor.
Perfundim
Pavarësisht nëse kurset mbahen zyrtarisht ose jo, një gjë është e sigurt: Prindërimi i mire dhe jehonat e tij mbi shoqërinë në përgjithësi do të njihen gjerësisht. Ballafaqimi i realiteteve të martesës, të të qenit prind, zhvillimi i fëmijës dhe kujdesi fëmijëror para se ata realisht të ndodhin, mund të jetë një masë efikase për të parandaluar çfarëdo dilemash me të cilat do të mund të ballafaqoheshin prindërit e ardhshëm. Megjithatë, ndërsa do të ishte një hap logjik të shkohej përtej mësimit të edukatës seksuale në mësimin e rezultatit të marrëdhënieve seksuale, në formën e bebeve dhe se si të rriten ato, kjo nuk duhet shikuar si zëvendësim i rolit të vetë prindërve. Nëse prindërit e kuptojnë potencialin e rolit të tyre dhe suksesin që kjo ua sjell atyre dhe shoqërisë, ata do të jenë të gatshëm ta kuptojnë artin dhe shkencën e prindërimit të mirë dhe të gëzuar do të flijonin gjithçka që munden për hir të pasardhësve të tyre. Mbështetja mbi qeverinë, shkollat apo mediat për të prodhuar qytetarë shembullorë është, në rastin më të mirë, bixhoz, ndërsa, në rastin më të keq, një shmangie e ngathtë e detyrave të prindërve. Kush mund të bëjë përpjekje më të përzemërt në mirëqenien e fëmijëve sesa prindërit e tyre? Asnjë entitet tjetër nuk mund të matet me këtë!
Autor: Hisham A., Abdulhamid E., Omar A., ‘’Marrëdhëniet prind-fëmijë’’ (Udhëzues për rritjen e fëmijëve)