Prindërimi i mirë fillon para se të ngjizet fëmija. Para martesës, është e rëndësishme që personi të zgjedhë një bashkëshort/e të mirë. Pas martesës, nëna shtatzënë duhet të kujdeset për shëndetin dhe ushqimin e saj, si dhe të shmangë futjen e substancave të dëmshme në trup. Babai duhet të kujdeset për të sa më mirë që të mundet, duke i lehtësuar detyrat dhe punët e saj, dhe t’i mundësojë asaj mjaftueshëm pushim, gjumë dhe relaksim. Prindërit kanë një pasqyrë të detyrave që i presin dhe dituri e shkathtësi për të arritur një prindërim të mirë.
Është e dobishme të kuptohen sfidat reale me të cilat ballafaqohen prindërit, në mënyrë që të mos i mbivlerësojnë ose nënvlerësojnë vështirësitë që do të hasin. Nëse mendojnë se prindërimi është shumë i lehtë, nuk do të ndiejnë nevojën për t’u përgatitur për të. Nëse mendojnë se ai është shumë i vështirë, mund të dëshpërohen dhe të heqin dorë.
Prindërimi, megjithëse është një përvojë shpërblyese, stimuluese dhe kënaqëse për një person, mund të jetë po aq kërkues. E gjithë jeta e një personi është një varg testesh, ndërsa rritja e fëmijëve është një nga sfidat më të mëdha. Prandaj, është e nevojshme të lihen anash nocionet romantike dhe të kuptohen disa realitete. Prindërimi i mirë nuk është i thjeshtë dhe asnjëherë pa gabime. Fëmijët do të sfidojnë durimin dhe qëndresën e prindërve të tyre, dhe madje edhe kur nuk janë pranë, do të preokupojnë mendjet dhe zemrat e tyre.
Lexo poashtu: https://prinderimi.com/6-keshilla-prinderimi-nga-tre-filozofe-te-medhenj-stoike/
Jeta e një personi ndryshon në mënyrë dramatike me ardhjen në jetë të fëmijëve. Të gjithë fëmijët kanë talent dhe potencial, ashtu siç kanë edhe të gjithë prindërit. Prindërimi nuk është diçka që duhet përballuar vetëm. Shumë prindër kanë një rrjet mbështetjeje që i ndihmon në kujdesin për fëmijët e tyre, përfshirë mësues, dado, kushërinj, prijës fetarë dhe miq.
Sapo të ngjizet fëmija, mund të fillojmë të zbatojmë udhëzimet vijuese. Kjo na ndihmon të mbajmë parasysh tablonë e gjerë, duke shmangur ngatërrimet me shumë “bëj” dhe “mos bëj.”
Autor: H. Altalib, O. Altalib dhe A. Ebusulejman, 2022
Udhëzues për rritjen e fëmijëve: Marrëdhëniet prind-fëmijë