Drejtoria Komunale e Arsimit në Obiliq ka pranuar një donacion prej 500 eurosh nga nxënësit e shkollës “Mileniumi”.
Ky donacion ka për qëllim mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, duke kontribuar në aktivitetet dhe projektet e Shoqatës “Dëgjo Zërin Tim”.
“Ky veprim solidariteti nga nxënësit tregon rëndësinë e ndjeshmërisë dhe ndërgjegjësimit shoqëror që po kultivohet tek gjeneratat e reja”, thuhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Obiliqit.
Tutje, DKA falënderon përzemërsisht përfaqësueset e shoqatës dhe mësueset e përfshira për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhshme për mbështetjen e këtyre fëmijëve.
Gjithashtu, DKA shpreh angazhimin për t’i mbështetur këto nisma në çdo rast dhe për të fuqizuar bashkëpunimin në të ardhmen.
“Në mënyrë të veçantë shprehim falënderime të sinqerta për nxënësit e shkollës “Mileniumi” për përkrahjen dhe përkushtimin e tyre për të ndihmuar dhe për gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar. Ky akt përfaqëson një shembull frymëzues të empatisë dhe solidaritetit të nxënësve tanë dhe dëshmon për edukatën dhe vlerat që po ndërtojnë”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/