Largoju krahasimeve
Duhet që t’u largohemi krahasimeve mes tij dhe vëllezërve të tjerë ose shokëve të tij. Kurrë mos i thuaj: “Bëhu si motra jote, e cila ka marrë notën maksimale në provim”, ose: “Bëhu si shoku yt filani, i cili di se si të mësojë”, apo shprehje të tjera si këto.
Regjistroje fëmijën tënd në klubet e fëmijëve
Rregjistroje atë në klubet e fëmijëve, që janë në moshën e tij, në mënyrë që ai të marrë pjesë në aktivitetet sportive, kulturore ose fetare, dhe inkurajoje atë që të marrë pjesë në aktivitetet që organizon shkolla.
Dhënia e përgjegjësisë
Një nga mjetet edukative më të rëndësishme për ngulitjen e vetëbesimit tek fëmija, është edhe dhënia e disa përgjegjësive, që u takojnë vetëm prindërve, si për shembull, nëse babai është ligjërues në xhami, atëherë ai mund t’i ngarkojë fëmijës së tij detyrën e kërkimit të disa referencave rreth një teme të caktuar, si nga librat, ashtu edhe nga interneti.
Po ashtu, babai mund ta marrë fëmijën me vete në vendin e punës së tij dhe t’i ngarkojë atij disa detyra të punës së vet. Nëse babai ka ndonjë dyqan për shitjen e mallrave, mund ta ngarkojë atë me detyrën e shitjes së mallrave për disa prej klientëve.
Përhapja e frymës së haresë dhe gëzimit në shtëpi
Përhapja e frymës së gëzimit dhe haresë në shtëpi, dalja për të shëtitur apo edhe për të bërë pazar bashkë me fëmijët, ka ndikim të madh në forcimin e besimit në vetvete.
Lëre atë që ta fitojë vetë eksperiencën
Një nga gabimet më të mëdha, në të cilat bien shumë prej prindërve, është se ata qëndrojnë si pengesë për fëmijët e tyre, kur ata duan që të fitojnë ndonjë eksperiencë të caktuar. Për shembull, prindërit e ndalojnë fëmijën e tyre që ta kapë topin me dorë, nga frika se mos thyen ndonjë gjë në shtëpi, kurse fëmija kërkon që të përfitojë eksperiencën e të prekurit dhe të hedhjes së topit dhe të shikojë reagimin, t’i prekë dhe t’i ndjejë trupat me forma të rrumbullakëta.
Në një rast tjetër, fëmija kërkon të mësojë se si të ushqehet vetë me lugë, por prindërit e pengojnë atë që t’i bëjë këto gjëra, nga frika se mos i bën pis rrobat ose mbulesën e tavolinës. Fëmija kërkon që ta marrë vetë gotën dhe të pijë prej saj, por ata e pengojnë, nga frika se mos e thyen gotën. Në këtë mënyrë, ata i pengojnë fëmijët nga shumë përpjekje që bëjnë ata, për të fituar përvoja të reja nga jeta e përditshme, gjë që shkakton humbjen e shumë aftësive mendore dhe fizike tek ata.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Abdulhamid Bilali, ”Si ta bësh fëmijën tënd yll”