Çuditëritë dhe ngatërresat e adoleshentëve
Nuk duhet të befasohemi, kur adoleshentët kanë prirje të zgjedhin sjellje të çuditshme ose kur bëjnë debat të nxehtë me babanë ose nënën për çështjen më të qartë. Në fakt, duhet të kemi parasysh se qasja e arsyeshme vjen me moshë dhe maturi. Një baba thotë: “Biri im është i çuditshëm dhe ekstrem. Nëse ai e pëlqen një person ose një gjë, lavdërimi i tij për të nuk ka fund, duke mos lënë fjalë lavdëruese në botë pa thënë për të; dhe nëse nuk e pëlqen një person ose një gjë, ai është aq i mbushur me inat, saqë e sulmon ditën dhe natën, sikur ai person të ishte më i keqi në botë. Natyrisht se kjo shpie në shumë fjalosje dhe grindje; megjithatë ai nuk lëshon pe.”
Në të vërtetë ky baba po flet në emër të shumë prindërve, ndërsa biri i tij adoleshent mund të jetë biri ose bija e çdokujt. Por, atëherë çfarë po u ndodh adoleshentëve dhe adoleshenteve? Ne mund të dalim me një numër të shkaqeve. Ja disa prej tyre:
– Në brendi të adoleshentit zihen emocione të rrëmbyeshme. Në të njëjtën kohë, ai/ajo ende nuk e ka zhvilluar shkathtësinë e peshimit të gjërave, e as nuk i kupton rreziqet dhe pasojat. Arsyeja është se pjesa e përparme e turit të tij të saj, pjesa që është përgje- gjëse për logjikën, që i parasheh rezultatet e sjelljes dhe planifikimit nuk është mjaft e zhvilluar. Ajo nuk zhvillohet plotësisht deri rreth moshës njëzet e pesë vjeçare.
Zemrat e mira dhe të pastra të adoleshentëve bashkë me përvojën e paktë i bëjnë idealistë dhe madje aventuristë. Ata janë të lirë të ushqejnë imagjinatën dhe fantazitë e tyre, meqë ende nuk janë ngarkuar me brengat dhe kërkesat e jetës. Nuk është çudi që ata i japin liri të plotë pëlqimeve dhe mospëlqimeve, derisa të kenë përfituar mjaft përvojë jetësore dhe të kenë ndierë presionin e punës dhe familjes. Kjo domosdoshmërisht do të sjellë baraspeshë te ta. Një arsye e mundshme e botëkuptimit të shtrembëruar të adoleshentëve është se ata i parafytyrojnë disa çështje si mjaft të thjeshta me qëllim që t’u bëjnë ballë dhe i zmadhojnë çështjet e tjera për të qetësuar ndërgjegjen e tyre që të mos ndjejnë nevojën të merren me to dhe të bartin përgjegjësinë e tyre. Kjo prirje për t’i thjeshtësuar çështjet shpesh i ka shpënë njerëzit t’u hyjnë rreziqeve dhe të zgjedhin rrugë të ngutshme dhe të rrezikshme. Ne shohim djem të rinj, të cilët janë të mirë dhe të devotshëm dhe janë të vendosur ta ndryshojnë botën. Mirëpo, tërë atë që e bëjnë është shkaktimi i pasojave të rënda dhe të këqija për veten, familjet dhe ndoshta për Umetin musliman. Sikur t’i dinin ndërlikimet e skenës botërore, do të silleshin mjaft ndryshe.
Një element i rëndësishëm në çuditëritë, mospajtimet dhe zemërimet e adoleshentit është dëshira për të dëshmuar se ata janë tashmë të pavarur.
“Moto e shumë adoleshentëve është mospajtimi është rruga drejt famës”.