Çrregullimet e komunikimit
Komunikimi është forma e të shprehurit të mendimeve, ideve, ndjenjave dhe vetvetes në tërësi. Ne komunikojmë përmes sistemit të simboleve të gjuhës dhe artikulimit. Në momentin kur fëmijët shfaqin vështirësi në këto dy aspekte të komunikimit atëherë kemi të bëjmë me:
Çrregullime të gjuhës të cilat karakterizohen nga vështirësi që fëmija i shfaq në të kuptuarin e gjuhës, vështirësi për tu shprehur përmes gjuhës ose mund të vihet re edhe një kombinim i të dyja vështirësive. Vështirësia lidhet me të kuptuarin dhe përdorimin e sistemit të simboleve të cilat përfshijnë fjalën e folur/fjalën e shkruar/shenjat dhe pikturat.
Çrregullimet e të folurit të cilat karakterizohen nga vështirësi të cilat fëmija i shfaq në prodhimin e tingujve. Në këtë rast fëmija shfaq vështirësi në artikulim, në nxjerrjen e zërit, në rrjedhshmëri ose edhe mund të ketë kombinime të simptomave.
Kur dhe si mund të shfaqet?
Zakonisht kur fëmija mbush 3 vjeç mund të dallohet nëse ka një përdorim të gjuhës jo të përshtatshëm sipas parametrave të zhvillimit tipik dhe atëherë duhet bërë vlerësimi diagnostik tek specialisti.
Mbani parasysh cilat janë shenjat e alarmit:
– në 12 muajsh, nëse fëmija tregon vështirësi në kuptimin e gjuhës.
– në 24 muajsh, nëse fëmija prodhon më pak se 10 fjalë dhe ka vështirësi në kuptimin e gjuhës.
– në 30 muajsh, nëse fëmija prodhon më pak se 50 fjalë dhe nuk fillon të kombinojë bashkë dy fjalë p.sh. “dua topin” dhe ka vështirësi në kuptimin e gjuhës.
Shkaqet e Çrregullimeve të Komunikimit:
• Humbja e dëgjimit
• Vonesa mendore
• Çrregullimet e Spektrit të Autizmit
• Patologjitë e trurit
• Problemet/ ngërçet emocionale
• Dëmtimet fizike
• Mangësi neurologjike
Trajtimi i Çrregullimeve te komunikimit:
Ndërhyrja e hershme redukton gjasat që fëmija të përjetojë probleme emocionale dhe akademike në moshën para dhe atë shkollore; rrit mundësinë e përmirësimit të vështirësive të komunikimit duke e ndihmuar të ndihet i barabartë në aspektin e zhvillimit gjuhësor.
– Mbani në konsideratë se përmes trajtimit terapeutik disa vështirësi të komunikimit mund të përmirësohen, të reduktohen ose edhe të eliminohen në varësi të specifikave.
– Ndërkohë ka edhe vështirësi të cilat mund edhe të mos përmirësohen sikurse do dëshironim pavarësisht trajtimit profesional dhe intensiv.
– Trajnimi për komunikim përmes teknologjisë. Fëmijët me vështirësi në komunikim janë gati të mësojnë strategji të reja komunikimi pasi shprehja e vetvetes është nevojë e domosdoshme.
Komunikimi përmes teknologjisë, si formë alternative e komunikimit mund të zëvendësojë përdorimin e fjalës nga vetë fëmija.