Për shumë prindër që janë rritur në vitet ’90, ”Looney Tunes” sjell menjëherë kujtime nga mëngjeset e së shtunës, kur Bugs Bunny, Tweety, Daffy Duck dhe Wile E. Coyote ishin pjesë e argëtimit familjar. Tani, një nga personazhet më të njohura të këtij universi rikthehet në ekranin e madh me filmin ”Coyote vs. Acme”, që pritet të shfaqet në kinema më 28 gusht 2026.
Për prindërit, ky film mund të jetë më shumë sesa një mundësi për të rikthyer kujtimet e fëmijërisë. Historia e Wile E. Coyote mund të shërbejë edhe si pikënisje për biseda me fëmijët rreth këmbënguljes, dështimit, kreativitetit dhe mënyrës se si përballemi me pengesat.
Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga Coyote?
Në film, Wile E. Coyote vendos të përballet me ACME, kompaninë që ai e konsideron përgjegjëse për fatkeqësitë e shumta që i kanë ndodhur gjatë përpjekjeve për të kapur Roadrunner-in.
Një nga temat kryesore të filmit është këmbëngulja. Coyote dështon vazhdimisht, por nuk dorëzohet lehtë. Për prindërit, kjo mund të jetë një mundësi e mirë për t’u shpjeguar fëmijëve se dështimi nuk do të thotë se ata janë të paaftë.
Pas filmit, prindi mund ta pyesë fëmijën: “Çfarë bëri Coyote pasi dështoi? Çfarë mund të kishte bërë ndryshe?” Këto pyetje i ndihmojnë fëmijët të reflektojnë mbi zgjidhjen e problemeve, dhe të kuptojnë se një gabim mund të jetë pjesë e procesit të të mësuarit.
Këmbëngulje, por edhe të dish kur duhet të ndryshosh qasje
Megjithatë, këmbëngulja nuk do të thotë të përsërisësh të njëjtën gjë pa fund. Wile E. Coyote shpesh përdor të njëjtat ide dhe shpikje të ACME-s, edhe kur ato nuk funksionojnë.
Kjo mund t’u japë prindërve një mundësi tjetër edukative: t’u mësojnë fëmijëve se këmbëngulja duhet të shoqërohet me fleksibilitet. Kur një strategji nuk funksionon, ndonjëherë zgjidhja nuk është të përpiqemi më fort, por të provojmë një mënyrë tjetër.
Kreativiteti dhe zgjidhja e problemeve
Shpikjet e çuditshme të ACME-s janë një pjesë qendrore e historisë. Edhe pse situatat janë komike, ato mund t’i nxisin fëmijët të mendojnë për mënyra të ndryshme të zgjidhjes së një problemi.
Prindërit mund ta shndërrojnë këtë në një aktivitet familjar duke pyetur: “Nëse do të ishe ti Coyote, si do të përpiqeshe ta zgjidhje këtë problem?” Kjo i inkurajon fëmijët të përdorin imagjinatën dhe të mendojnë për më shumë se një zgjidhje.
Të flasim për emocionet pas dështimit
Filmi mund të jetë gjithashtu një mundësi për të folur për zhgënjimin. Fëmijët përballen çdo ditë me situata ku nuk marrin notën që dëshirojnë, humbin një lojë ose nuk arrijnë diçka në përpjekjen e parë. Prindi mund t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se zhgënjimi është një emocion normal, por mënyra se si reagojmë ndaj tij ka rëndësi.
Në fund, ”Coyote vs. Acme” mund të jetë një film argëtues për të gjithë familjen, por prindërit mund ta përdorin edhe si një mundësi për të zhvilluar biseda të vlefshme me fëmijët. Nga këmbëngulja dhe kreativiteti te pranimi i gabimeve dhe ndryshimi i strategjisë, aventurat e Coyote mund të shndërrohen në mësime të vogla që fëmijët mund t’i marrin me vete edhe jashtë ekranit.
Dhe ndoshta ky është një nga mësimet më të bukura: nuk është e nevojshme të fitosh çdo herë për të mësuar diçka nga përpjekja.
Artikull nga Ana Halkidis
Përkthim:Prinderimi.com
