Çfarë është përkushtimi?
Përkushtimi është ajo forcë që na shtyn të vazhdojmë, pavarësisht rrethanave të vështira. Ai është forca shtytëse që na çon drejt realizimit të punëve të mëdha.
Përkushtimi është shtysa që i bën të gjitha nënat të këmbëngulin për t’u mësuar fëmijëve të tyre të ecin. Ai është një angazhim i fortë, për t’i ndryshuar gjërat e zakonta në gjëra të shkëlqyera. Përkushtimi është ajo gjë që të bën të ecësh distanca të gjata, deri edhe në mot me shi, dhe është ai i cili i nxjerr nga brendësia jote të gjitha aftësitë e fshehura aty dhe i vë nën shërbimin tënd. Me forcën e përkushtimit, ti nuk do të zmbrapsesh, dhe sa herë të hysh në ndonjë eksperiencë të re, do të të hapë përpara mundësi më të shumta e më të mëdha suksesi.
Doktor Robert Schuller, në librin e tij “Forca e mendimeve”, thotë: “Jep më të mirën tënde dhe fillo si i vogël, por mendo në nivelin e të madhit. Ti duhet t’i kapërcesh pengesat! Inve sto gjithë çfarë ke, dhe gjithmonë rri i gatshëm për të vepruar. Parafytyroji pengesat, por mos i lejo të të ndalojnë së përparuari.”
Kur praktikoja lojën e pingpongut, nuk e fitoja çdo raund të ndeshjes, por fitoja ndeshjen. Lojtarët më të mëdhenj të basketbollit, shënojnë vetëm 50% të gjuajtjeve të tyre, dhe skuadra më e mirë e futbollit, qëndron duke vrapuar dhe duke u stërvitur, me shpresën për të realizuar një gol apo dy gola, në tërë lojën që presin të zhvillojnë.
Në një intervistë televizive, në televizionin e Luizjanës, në Amerikë, më pyetën: “Kur mund të konsiderohet se një x person ka dështuar?”. Përgjigjja ime ishte: “Kur ka një ëndërr të madhe, ka studiuar shumë fusha shkencash, ka shpenzuar shumë para për këtë, ka shpenzuar kohë edhe mund për të përmirësuar aftësitë e tij dhe fillon ta zbatojë ëndrrën e tij, por ndalon së përpjekuri për një x shkak.”
Autor: Dr. Ibrahim Fekij, “10 çelësat e suksesit”
Përgatiti: Prinderimi.com