Ti njohim shenjat dhe të kërkojmë ndihmë
Çfarë është depresioni post-partum?
Lindja e një fëmije sjell me vete shumë emocione intensive: dashuri, gëzim, entuziazëm, zhgënjim dhe nervozizëm, ndër të tjera. Në javët e para dhe muajt pas lindjes, është normale të përjetoni ulje-ngritje të gjendjes emocionale, duke pasur parasysh trazirat e mëdha fizike dhe emocionale që lidhen me lindjen dhe kujdesin për një fëmijë. Megjithatë, për shumë prindër, depresioni dhe ankthi mund të lënë në hije gëzimin që vjen me ardhjen e një anëtari të ri të familjes. Ne biseduam me Dr. Alison Stuebe, një perinatologe dhe profesoresh e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Karolinës së Veriut, rreth depresionit të pas lindjes dhe çfarë duhet bërë për të gjetur ndihmë.
Çfarë është “baby blues”?
Dy ose tre ditë pas lindjes, është e zakonshme të ndjeni trishtim dhe ankth. Ju mund të qani pa arsye, të keni probleme me gjumin ose të vini në dyshim aftësinë tuaj për t’u kujdesur për foshnjën tuaj. “Shumë nga kjo është për shkak të ndryshimit të niveleve të progesteronit,” thotë Dr. Stuebe. Megjithatë, ndryshimet hormonale ndoshta nuk janë shkaku i vetëm. Faktorë të tjerë mund të shkaktojnë këto ndjenja të tilla, si periudha të gjata të lodhjes ose rraskapitjes, vështirësi në dhënien e gjirit dhe komplikime të tjera të postpartum (pas lindjes).
Faktorë të tjerë që mund të luajnë një rol përfshirës janë:
- Pobleme të mëhershme lidhur me shëndetin mendor
- Faktorë biologjik
- Mungesa e mbështetjes
- Përvoja të vështira të fëmijërisë
- Dhuna e përjetuar në të kaluarën
- Vetëvlerësim i ulët
- Kushtet e vështira të jetesës
- Ngjarjet e rëndësishme
Me mbështetjen e anëtarëve të familjes, të dashurve dhe miqve, këto emocione zakonisht zbehen brenda dy javësh pa pasur nevojë për trajtim.
Çfarë është depresioni postpartum apo depresioni pas lindjes?
Depresioni postpartum, apo depresioni pas lindjes, është i ndryshëm nga “baby blues”. Zakonisht ndodh dy deri në tetë javë pas lindjes, porse vëzhgohet deri në një vit pas lindjes. “Gjëja që duhet të dijmë për depresionin pas lindjes është se nuk është thjesht një ndjenjë trishtimi”, thotë Dr. Stuebe. Shpesh karakterizohet nga ankthi intensiv.
Këtu janë disa simptoma të depresionit pas lindjes për të cilat duhet pasur kujdes: ndjenja e mbingarkesës, e qara e përsëritur, vështirësi në krijimin e lidhjes emocionale me fëmijën tuaj dhe dyshime për aftësinë tuaj për t’u kujdesur për veten dhe foshnjën tuaj.
“Ne të gjithë shqetësohemi për fëmijët tanë, por (njerëzit me depresion të pas lindjes) shqetësohen aq shumë sa i ndalon ata të shijojnë fëmijën dhe jetën e tyre.” Kur vuani nga depresioni i pas lindjes, ndonjëherë është e vështirë të kujdeseni për veten dhe fëmijën tuaj. “Duhet të kuptoni se nuk është vetëm një ndjenjë trishtimi apo të qarit. Disa prindër ndjehen thuajse të paralizuar nga frika se fëmijës së tyre do t’i ndodhë diçka e tmerrshme dhe kjo është shumë e papërballueshme për ta.”
Një tjetër shenjë paralajmëruese: pamundësia për të fjetur edhe kur fëmija fle. “Nëse jemi të rraskapitur, por qëndrojmë zgjuar sepse mendimet tona janë pafund, kjo do të thotë se truri ynë është duke na mashtruar,” thotë Dr. Stuebe.
Cilat janë simptomat e depresionit pas lindjes?
Simptomat e depresionit të pas lindjes janë të ngjashme me ato të depresionit:
- Ndjenja trishtimi ose depresioni
- Pamundësia për të shijuar gjërat që zakonisht na pëlqejnë
- Lodhje ose humbje energjie
- Vështirësi në përqëndrim ose në të kushtuarit vëmendje
- Vetëvlerësim i ulët dhe mungesë vetëbesimi
- Probleme me gjumin, edhe kur foshnja është duke fjetur
- Ndryshimet në oreks
Ju mund të ndiheni të shkëputur nga fëmija ose partneri juaj, apo edhe të imagjinoni veten duke lënduar veten ose fëmijën tuaj. Këto mendime mund të jenë shumë shqetësuese, por mbani mend: kjo nuk do të thotë që ju do të veproni ashtu. Sa më shpejt të flisni me dikë për këto mendime dhe ndjenja – për shembull, me një mik, një të afërm, një mjek apo mami – aq më shpejt do të merrni ndihmën që ju nevojitet.
“Është shumë e rëndësishme të pranoni se nuk kaloni nga të qenit një i rritur i pavarur në të qenit prind brenda ditës dhe se kjo është krejtësisht normale.“
A ka mënyra për të parandaluar depresionin e pas lindjes?
Psikoedukimi bën të mundur zhvillimin e strategjive përballuese, menaxhimin e stresit dhe krijimin e rrjeteve mbështetëse, të gjitha ato që janë të dobishme për parandalimin e depresionit pas lindjes. Ka të bëjë me marrjen e njohurive për shëndetin dhe mirëqenien mendore. Është një disiplinë e ngjashme me edukimin fizik, e cila ju lejon të mësoni se si funksionon trupi, si të kujdeseni për të dhe cilat janë ndikimet e përpjekjeve të ndryshme dhe ndikimet e faktorëve të stresit, por të aplikuara në mendje. Në shtëpi, është jashtëzakonisht e rëndësishme të keni njerëz që kujdesen për shëndetin tuaj mendor dhe ju mbështesin. Mobilizoni partnerin, miqtë dhe të afërmit tuaj në mënyrë që ata të dinë se si t’ju ndihmojnë gjatë periudhës së pas lindjes. Përpara se fëmija juaj të arrijë, bisedoni me miqtë dhe familjen tuaj dhe tregojuni atyre se çfarë lloj mbështetjeje do të dëshironit.
Kur ka faktorë të rëndësishëm rreziku, për shembull në rastin e një historie personale ose familjare të depresionit, të ardhura të ulëta, dhunë brenda çiftit, shtatzëni të padëshiruar ose ngjarje të mëdha që gjenerojnë stres, ndihma psikologjike (terapi kognitive ose terapi ndërpersonale ) kanë rezultuar efektive në parandalimin e depresionit të pas lindjes ose perinatal (periudha perinatal përfshin intervalin; prej javës së 28-të të shtatzanisë deri në ditën e 7-të të pas lindjes përafërsisht). Bisedoni me një profesionist të kujdesit shëndetësor për të gjetur se cilat zgjidhje janë më të përshtatshme për rastin tuaj.
Ndjej një lloj mpirje emocionale pas lindjes. A është kjo e zakonshme?
Absolutisht. “Ne u bëjmë shumë presion prindërve, me fjalët si: “do ta shihni, do ta mbani fëmijën në krahë dhe do të jetë dashuri me shikim të parë, do të ndjeni lumturi të pamasë!” Kjo është sigurisht ajo që shumë njerëz ndiejnë kur takojnë për herë të parë foshnjën e tyre, por jo gjithmonë, veçanërisht për ato që kanë përjetuar një lindje traumatike, lindje që zgjatë ose prerje urgjente cezariane,” thotë Dr Stuebe. “Është shumë e rëndësishme të pranoni se nuk kaloni nga të qenit i rritur i pavarur në të qenit prind brenda ditës dhe se kjo është krejtësisht normale. Megjithatë, nëse keni ndjenjën se nuk po shihni aspektet pozitive dhe se asnjë moment gëzimi nuk alternohet me lodhjen, kjo është një shenjë se diçka nuk shkon. Duke folur me një mike që i besoni, profesionist të lindjes, doula, mami ose doktor, thjesht duke thënë “kjo është më e vështirë nga sa mendoja” ose “a mund të më ndihmoni?” mund të jetë vërtetë e dobishme.”
Si mund të merrni ndihmë nëse jeni duke përjetuar depresion pas lindjes?
- Sigurohuni që të keni vëmendje dhe ndihmë të mjaftueshme në shtëpi. A po fle mjaftueshëm? A hani një dietë të ekuilibruar? “Shumë prindër të rinj kujdesen për foshnjat e tyre dhe nuk hanë një dietë të ekuilibruar,” thotë Dr. Stuebe. “Një vakt ushqyes me proteina mund t’ju ndihmojë të ndiheni pak më njerëzor.”
- Psikoterapia (terapia e bisedës) “Një numër psikoterapish (për shembull, terapitë kognitive / njohëse dhe të sjelljes ose terapitë ndërpersonale) funksionojnë shumë mirë për depresionin dhe ankthin pas lindjes.” Flisni me kujdestarin tuaj shëndetësor për të gjetur një profesionist të shëndetit mendor që do të ju ndihmoj të përballoni këto emocione.
- Ilaçet. Një sërë ilaçesh janë efektive në menaxhimin dhe zbutjen e simptomave të depresionit të pas lindjes. Nëse ilaqet kundër depresionit kalojnë në qumështin e gjirit në sasi të vogla, ndikimi në laktacion dhe mirëqenien e foshnjave është zakonisht minimal. Ushqyerja me gji ka shumë përfitime për fëmijën tuaj, kështu që është e rëndësishme t’i konsideroni këto përfitime para ekspozimit të mundshëm të foshnjës tuaj ndaj ilaçeve në qumështin tuaj të gjirit. “Në mungesë të shenjave të qarta që tregojnë dëm, këshillohet që të merrni trajtim dhe të vazhdoni ushqimin me gji,” vazhdon Dr. Stuebe. Por, para se të merrni ndonjë ilaç, bisedoni me një kujdestar shëndetësor për të gjetur zgjidhjen që është më e mira për ju.
- Flisni me njerëz që po kalojnë të njëjtën gjë. Shpesh ndihemi sikur askush nuk ndihet njësoj si ne. Pyesni kujdestarin tuaj shëndetësor nëse ka grupe mbështetëse ose diskutimi ku mund të ndani mendimet, ndjenjat dhe përvojat tuaja. Është gjithashtu e rëndësishme të flisni me miqtë dhe anëtarët e familjes tuaj për mënyrën se si ndiheni.
- Trego mirësi ndaj vetes. Ndoshta keni pasur shumë pritshmëri për rolin tuaj si prind. Megjithatë, askush nuk mund të përmbushë të gjitha pritjet e tyre gjatë gjithë kohës. Nëse nuk keni bërë atë që keni planifikuar ose nëse përsëri ndiheni më keq, është në rregull. Jepini vetes kënaqësinë që do t’i jepnit një miku dhe tregoni mirësi ndaj vetes.
Si mund të merrni ndihmë në shtëpi?
Gjatë gjithë historisë njerëzore, foshnjat janë kujdesur nga i gjithë komuniteti. “Të gjithë kanë nevojë për njëri-tjetrin dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që dikush të kujdeset për nënat që sapo kanë lindur, ndërsa ata kujdesen për fëmijën e tyre.” Dr. Stuebe rekomandon që partnerët dhe të dashurit të ndihmojnë në mënyrat e mëposhtme:
- Sigurohuni që partneri juaj të hajë mjaftueshëm dhe rregullisht.
- Sigurohuni që partneri juaj të ketë kohë për t’u larë.
- Sigurohuni që partneri juaj të flejë mjaftueshëm duke fjetur me radhë.
“Nuk je vetëm, nuk është faji yt dhe me ndihmë do të përmirësohesh.”
Kur duhet të kërkoj ndihmë?
“Unë u them prindërve se sa herë që ata mendojnë se diçka nuk është në rregull, është vërtet e dobishme të shohësh një kujdestar shëndetësor,” vazhdon Dr. Stuebe. “Nëse do të kishit temperaturë të lartë, do të kërkoni ndihmë. Në rastin tuaj, është e njëjta gjë. Më pëlqen shumë fraza që organizata ‘Postpartum Support International’ përsërit: “Nuk je vetëm, nuk është faji yt dhe me ndihmë do të përmirësohesh.”
Nëse ndonjë nga simptomat tuaja përkeqësohet pas dy javësh ose zgjatë më shumë se dy javë, duhet të konsideroni të kërkoni ndihmë. Ndonëse ndonjëherë nuk është e lehtë të kërkoni ndihmë, gjëja më e rëndësishme është të kujdeseni për veten dhe të vendosni shëndetin tuaj – dhe atë të fëmijës suaj – në radhë të parë. Shumë profesionistë shëndetësorë të besueshëm do t’u përgjigjen pyetjeve tuaja në mënyrë konfidenciale dhe me dashamirësi.
Aktualisht po përballeni me shumë ndryshime. Dr. Stuebe përfundon: “Ji i butë me veten. Pranoni që nuk do të jeni aq të qetë dhe rehat si zakonisht. Dhe dijeni se nëse këto emocione vazhdojnë, kjo nuk është për shkak se ju jeni një prind i keq, është thjesht sepse truri juaj po përpiqet të përshtatet.”
Autore: Mandy Rich
Përktheu dhe përshtati: Jetlire Maloku