TikToku është kthyer shpejt në një fenomen kulturor në shumë vende ku aplikacioni nuk është i ndaluar, veçanërisht mes adoleshentëve. I lançuar si Douyin në Kinë në vitin 2016 dhe më vonë globalisht i njohur si TikTok, vetë emri i aplikacionit, imiton tingullin e një ore që ecën (“ticking clock”), thekson fokusin te videot e shkurtra dhe të shpejta.
Brenda vetëm pesë vitesh, TikTok arriti një miliard përdorues aktivë mujorë, çka u desh shumë më tepër kohë për gjigantët e tjerë të mediave sociale si Facebook, Instagram dhe YouTube. Ndërsa TikTok ofron një platformë për kreativitet dhe lidhje globale, slogani i aplikacionit, “Bëje që çdo sekondë të vlejë”, është kthyer në një realitet shqetësues për shumë adoleshentë që shpenzojnë thuajse çdo çast të ditës në aplikacion. Sot, TikTok krenohet me një bazë të konsiderueshme përdoruesish adoleshentë: një studim i Qendrës Kërkimore Pew raporton se 64% e adoleshentëve amerikanë të moshës 13-17 vjeç e përdorin aplikacionin, dhe 17% prej tyre janë në të “gjithë kohën”.
Le të shohim pse prindërit duhet të jenë të shqetësuar për TikTok dhe si mund t’i mbrojnë fëmijët e tyre nga efektet e dëmshme të këtij aplikacioni.
Rreziqet e fshehura të tiktok
Platforma e TikTok, me rubrikat “For You” (Për Ty) dhe “Following” (Duke Ndjekur), është dizajnuar për të mbajtur përdoruesit të angazhuar duke rekomanduar përmbajtje të përshtatur sipas interesave të tyre. Ndërsa TikTok synon të “frymojë kreativitet dhe të sjellë gëzim”, platforma është bërë një “fushë me mina” potenciale për fëmijët, duke i ekspozuar ata ndaj përmbajtjes që krijon varësi dhe është e papërshtatshme.
Ekspozimi ndaj përmbajtjes së papërshtatshme
Kushtet e shërbimit të TikTok kërkojnë që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç, me llogaritë për moshat 13-15 vjeç të vendosura si private me parazgjedhje. Dr. Leonard Sax, mjek familjar dhe autor librash për prindër, thekson se asnjë fëmijë nën 13 vjeç nuk duhet të jetë në asnjë media sociale, përfshirë TikTok, dhe se shumë 13-vjeçarë nuk janë ende gati. Versioni i TikTok për nën 13-vjeçarët është krijuar për të nxitur interesin për versionin e plotë, dhe fëmijët shpejt mësojnë se mund të aksesojnë versionin e plotë duke gënjyer për moshën.
Verifikimi i moshës anashkalohet lehtësisht, duke lejuar fëmijët më të vegjël të aksesojnë përmbajtje të destinuar për përdorues më të mëdhenj. Edhe pse TikTok pretendon të filtrojë përmbajtjen e papërshtatshme, algoritmet e tij po ofrojnë vazhdimisht materiale sugjestive të papërshtatshme.
Varësia e aplikacionit nga muzika dhe videoja çon në ekspozim të shpeshtë ndaj fjalorit banal, veshjeve sugjestive dhe vallëzimit.
Algoritmi i TikTok mund të të kap edhe pas një rasti të vetëm të shikimit të përmbajtjes së dëmshme dhe të servirë mandej vazhdimisht materiale të ngjashme, duke krijuar një cikël ekspozimi ndaj përmbajtjes gjithnjë e më të papërshtatshme.
Tendencat virale në TikTok gjithashtu kanë ngritur shqetësime, me disa që inkurajojnë sjellje të rrezikshme mes të miturve.
Hulumtimet e fundit tregojnë se TikTok strehon përmbajtje lehtësisht të aksesueshme të dëmshme për fëmijët, duke përfshirë video që promovojnë supremaci racash, dhunë fizike, bullizim, dhunim, terrorizëm dhe sfida të rrezikshme virale që nxisin vetëlëndimin dhe sjellje të rrezikshme.
Bullizmi përmes internetit: Cyberbullying dhe mashtruesit online
Cyberbullying në TikTok shfaqet përmes ngacmimit, kërcënimeve, abuzimit verbal, shantazhit dhe taktikave të inxhinierisë sociale. Grabitësit mund të fitojnë besimin e fëmijës për të nxjerrë informacione personale, duke çuar në shfrytëzim të mëtejshëm.
Ndryshe nga bullizmi tradicional, cyberbullying në TikTok mund të përfshijë si bashkëmoshatarët ashtu edhe të huaj globalisht, duke shfrytëzuar anonimitetin e internetit, por edhe paturpësisht me identitete reale për të shënjestruar fëmijët me komente mizore. Kjo mund të ndikojë rëndë në vetëvlerësimin e adoleshentëve, duke çuar në ankth, depresion, izolim, vetëlëndim etj.
Një formë e përhapur e cyberbullying-ut është përmes komenteve lënduese në video.
Shtrirja globale e platformës do të thotë se bullistët mund të jenë shokë klase ose të huaj nga kudo, duke e bërë të vështirë për viktimat të shpëtojnë. Viktimat e cyberbullying-ut shpesh përjetojnë ndikime të rënda emocionale dhe janë dukshëm më të prirë të lëndojnë veten dhe të shkojnë deri tek mendimet e vetëvrasësjes.
Përveç cyberbullying-ut, përdoruesit e TikTok mund të hasin skema të ndryshme mashtrimi, si mashtrimet romantike, skemat e phishing-ut dhe mundësi investimi mashtruese.
Shqetësimet për privatësinë dhe sigurinë e të dhënave
TikTok mbledh të dhëna të shumta nga përdoruesit e tij, duke përfshirë informacione personale si emrat e përdoruesve, fjalëkalimet, email-et, numrat e telefonit dhe datëlindjet. Aplikacioni ruan fotot e profilit dhe videot, duke ofruar një pasqyrë të pamjes së përdoruesve.
Në prill 2023, Rregullatori Britanik i Privatësisë gjobiti TikTok-un për shkelje të GDPR-së duke mbledhur të dhëna nga fëmijë nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.
Përtej këtyre bazave, TikTok monitoron sjelljen e përdoruesve – gjurmimin e preferencave gjuhësore, ndërveprimet me videot, komentet dhe përmbajtjen e ruajtur për të ndërtuar profile të detajuara për personalizimin e rubrikës “For You”. Platforma gjithashtu mbledh të dhëna teknike nga pajisjet, duke përfshirë adresat IP dhe detajet e sistemit operativ, të cilat e ndihmojnë TikTok të kuptojë modelet e aksesit të përdoruesve dhe vendndodhjet e përafërta. Kjo mbledhje dhe shkëmbim i gjerë i të dhënave ngre shqetësime për privatësinë dhe sigurinë, veçanërisht për përdoruesit më të rinj.
Ndikimi në shëndetin mendor
Shqetësimet rreth ndikimit të mediave sociale në shëndetin mendor janë intensifikuar, veçanërisht për adoleshentët.
Ndërsa TikTok mund të sigurojë lidhje, përdorimi i tepërt, veçanërisht tek ata me ankth social ose depresion, mund të reduktojë ndërveprimet në botën reale, duke përkeqësuar ndjenjat e izolimit, ankthit dhe depresionit.
Angazhimi me botën në mënyra të shëndetshme është thelbësor për zhvillimin e të rinjve, dhe shumë kohë online mund të theksojë emocionet negative dhe tërheqjen sociale.
Problemet e vetëvlerësimit dhe imazhit trupit
Platformat e mediave sociale si TikTok, por edhe Instagram e Snapchat, nxisin një “kulturë krahasimi”, e cila mund të jetë veçanërisht e dëmshme për të rinjtë.
Adoleshentët shpesh krahasojnë veten me të tjerët bazuar te pëlqimet, ndjekësit ose miqtë, duke çuar në ndjenja inferioriteti dhe rritje të depresionit. Portretizimet jorealiste të pamjes fizike, veçanërisht kur perceptohen si natyrale dhe të paedituara, mund të ndikojnë ndjeshëm në imazhin trupor të vajzave të reja.
Fokusi i TikTok-ut te videot e shkurtra shpesh shfaq versione të përmirësuara dhe të edituara të idealeve të pamjes, duke e bërë atë një platformë veçanërisht të fokusuar te pamja.
Kjo pakënaqësi lidhet me rezultate negative të shëndetit mendor, përfshirë depresionin dhe çrregullimet e të ngrënit. Një studim raporton se TikTok rekomandon përmbajtje për vetëlëndim dhe çrregullime të të ngrënit përdoruesve aq të rinj sa 13 vjeç, brenda pak minutave pasi bashkohen në platformë.
Varësia dhe koha para ekranit
Natyrën problematike të TikTok-ut e nxit kryesisht dizajni dhe algoritmet e tij të avancuara që maksimizojnë angazhimin e përdoruesit. Platforma përdor një algoritëm për të krijuar një rubrikë të personalizuar, duke promovuar video ekstreme ose që tërheqin vëmendjen, çka ushqen angazhimin konstant.
Veçoritë kryesore si lëvizja e pafundme (“infinite scrolling”) dhe shpërblimet e ndryshueshme rrisin cilësinë problematike të TikTok-ut.
Përdoruesit më të pakët, shpenzojnë minimalisht 46 minuta në ditë në aplikacion, dhe vetëm për këtë periudhë ata shohin së paku 180 video të shkurtra.
Rubrika “For You”, e drejtuar nga intelegjenca artificiale, përshtat vazhdimisht përmbajtjen bazuar në ndërveprimet e përdoruesit, duke krijuar një gjendje ku përdoruesit humbasin ndjenjën e kohës.
Në nivel neurologjik, dizajni i TikTok-ut stimulon sistemin e shpërblimit të trurit duke përdorur një model shpërblimi të ndryshueshëm, të ngjashëm me lojërat e fatit.
Çdo zhvendosje dhe video e re ofron shpërblime të paparashikueshme, duke nxitur lëshimin e dopaminës, e cila forcon sjelljen dhe krijon një dëshirë për më shumë.
Masat e sigurisë për prindërit
TikTok ka ndërmarrë disa hapa për të rritur sigurinë për përdoruesit e moshave të reja, por fëmijët tek ne e japin moshën e rrejshme dhe krijojnë llogari sikurse për të rriturit. Andaj nuk përfitojnë nga masat mbrojtëse.
Prindërit nuk janë mjaftueshëm të njohur me konfigurimet e kontrollit prindërorë në TikTok, dhe nuk e shfrytëzojnë mundësinë “Family Pairing Mode”.
Megjithatë, masat e kontrollit prindëror të TikTok nuk janë shumë efektive. Ndërsa këto kufizime frenojnë përdorimin e tepërt, ato funksionojnë më shumë si sugjerime sesa kontrolle të rrepta, pasi adoleshentët lehtësisht mund t’i anashkalojnë.
Përtej masave teknike, thelbësore është mbajtja e komunikimit të hapur rreth sigurisë në internet. Prindërit duhet të diskutojnë me fëmijët e tyre rëndësinë e mbajtjes së llogarive private, kujdesit rreth shpërndarjes së përmbajtjes dhe të kuptuarit se përmbajtja që duket e përkohshme mund të ketë pasoja afatgjata.
Prindërit duhet të përpiqen që fëmijët të mos jen përdorues të platformës TikTok. Dhe në rastet kur fëmijët kanë qasje në telefon duhet të përdoren aplikacionet për kontroll prindëror dhe veçoritë për kontroll prindëror në aplikacione.