Nëse do të kishit mbajtur parasysh që shënimet do përdoreshin si material studimi për një provim, duhet të kishit zgjedhur shembullin e dytë. Në këtë shembull, ndoshta vërejtët disa nga elementët e mëposhtëm, që janë tiparet e një grupi të mirë shënimesh leksioni.
1. Shënimet kanë datë. Datimi i shënimeve shërben si referencë. Ju do të jeni në gjendje të krahasoni një grup shënimesh leksioni të një date të caktuar me ato të një studenti tjetër. Për më tepër, nëse shënimet tuaja ngatërrohen për ndonjë arsye, do ta keni të lehtë t’i rregulloni ato sipas radhës nëse kanë datë. Idetë që kanë dalë nga leksionet më të hershme mund të bëhen pengesë për leksionet që vijnë në vazhdim të semestrit.
2. Shënimet janë të organizuara në mënyrë që marrëdhëniet midis ideve të mbeten të qarta. Kjo qartësi rezulton nga qëndrimi sistematik i shkruesit gjatë mbajtjes së shënimeve. Pikat kryesore mund të dallohen lehtësisht nga ato jokryesore sepse janë shkruar veç detajeve dhe marzhi i faqes shërben si vendi ku nisin çështjet kryesore. Çdo çështje e re e rëndësishme shkruhet në një rresht të veçantë. Detajet dhe nëntemat janë shtypur nën pikën kryesore me të cilën lidhen. Detajet kryesore dallohen nga ato më pak të rëndësishmet sepse këto të fundit shkruhen më larg.
3. Termat e rëndësishme dallohen shpejt. Është përdorur sistemi i rrethimit të terminologjisë së re. Kjo do t’ua bëjë të lehtë që kur t’i ktheheni asaj fletoreje shënimesh të gjeni se ku janë paraqitur fjalët e reja.
4. Janë përdorur vetëm pak fjalë për të përcjellë iderë. Meqenëse është e pamundur, madje s’është as ndonjë ide e mirë që të shkruash çdo gjë që thuhet, fjalë për fjalë, mbajtësit e shënimeve mësojnë të përmbledhin fjali të tëra në fraza më të shkurtra që përcjellin të njëjtin kuptim. Kjo kursen kohë dhe jep mundësi për të reflektuar mbi kuptimin. Kjo është pjesë e procesit të dekodimit të materialit.
5. Ka hapësirë për informacion shtesë. Ndonëse keni avantazhin e kohës së pritjes, përsëri ka mundësi që ide të tjera të cilat kanë lidhje me informacionin e mëparshëm të shtohet pasi të keni marrë shënimet tuaja fillestare. Në shembullin e dytë, është lënë hapësirë për shtesa të tilla.
6. Është përdorur një sistem personal shkurtimesh për fjalë të zakonshme dhe të përsëritura. Autori i këtyre shënimeve e di që disa fjalë, si subjekt dhe kujtesë, përsëriten herë pas here në këtë kurs. Duke pasur këtë sistem shkurtimesh (për shembull, subj. dhe kujt.) redukton kohën e të shkruarit.
7. Vihen re zona pasigurie. Duke përdorur një pikëpyetje për të reflektuar mbi zonat që kanë nevojë për hetim të mëtejshëm, autori i këtyre shënimeve ngre pikëpyetje mbi idetë e folësit gjatë leksionit; mbajtësi i shënimeve ka pyetur veten nëse e kupton atë ndërsa po jepet leksioni. Një pikëpyetje bën të mundur që zonat e pasigurisë të gjenden lehtësisht më vonë dhe do të jeni në gjendje të kërkoni ndihmë apo sqarime.
8. Grafiku është vizatuar me kujdes. Ne nuk mund të themi nëse studenti që mbajti këto shënime e vizatoi grafikun pa udhëzimin e instruktorit për ta bërë këtë, apo e kopjoi nga dërrasa apo projektori. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është që të gjitha pjesët janë etiketuar qartë dhe do të jenë një ndihmë e dobishme studimi gjatë semestrit.
9. Janë marrë shënim referencat për faqet në libër dhe dallohen lehtësisht. Por, gjithsesi, ne nuk e dimë nëse kjo referencë në libër është shkruar në mënyrë të pavarur nga studenti apo nëse ishte theksuar nga profesori. Por, është e qartë që studenti do të jetë në gjendje të kthehet tek libri për saktësime të mëtejshme mbi këtë pikë. Nëse profesori do ta kishte dhënë këtë referencë dhe nuk do mbahej shënim, studenti do ta kishte humbur këtë mundësi.
10. Shënimet janë të lexueshme. I gjithë informacioni lexohet lehtë. Disa studentë që përfshijnë shumë nga bazat e mbajtjes së shënimeve në repertorin e aftësive të tyre studimore, kanë ende një problem serioz kur përpiqen të studiojnë nga shënimet sepse nuk mund ta lexojnë atë që kanë shkruar.
Kjo mund të rezultojë nga shkrimi i shpejtë, i cili mund të ndodhë kur përpiqeni ta shkruani leksionin fjalë për fjalë. Zgjedhja e kujdesshme e asaj që do shkruash do të thotë që do të të duhet të shkruash më pak. Për rrjedhojë, kjo do të thotë që mund të merrni kohë për të shkruar qartë në mënyrë që t’i përdorni me sukses shënimet më vonë për përsëritje. Mbani në mendje që shkarravinat e tepërta mund t’i bëjnë po aq të pavlefshme shënime që do të ishin të mira.
Autor: Jill Lewis, “Studimi akademik”
Përgatiti: Prinderimi.com