
Hulumtimi që ka të bëjë me tekstet shkollore për fëmijë është porositur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ndërsa është realizuar nga UBO Counsalting.
Në pyetjen: “A i kanë pasur fëmijët tuaj të gjithë librat në javën e parë të shkollës vitin e kaluar (viti shkollor 2024/2025)?”, 36.1% e prindërve kanë deklaruar se fëmijët e tyre nuk i kanë pas të gjitha librat, ndërsa 5.9% të fëmijëve nuk ju kujtohet, nëse fëmijët e tyre i kanë pas të gjitha librat.
Kjo shifër tregon për një problem shumë serioze që prek përgatitjen bazë të nxënësve në fillim të vitit akademik dhe që vë në pikëpyetje funksionalitetin e skemës së subvencionimit të librave.
Mungesa e librave në kohë jo vetëm që pengon procesin mësimor, por edhe rrit pabarazinë mes nxënësve, duke ndikuar negativisht në mundësinë për një fillim të barabartë të vitit shkollor.
Për më tepër, shumica e prindërve (66.9%) raportojnë se pagesën e subvencionit për blerjen e librave e kanë pranuar vetëm në muajin shtator, pra pas fillimit të vitit shkollor, ndërsa të tjerë (14.3%) në muajt që pasuan, duke reflektuar një proces të vonuar dhe jo gjithmonë të përputhur me nevojat reale të familjeve.
Këto gjetje rrisin shqetësimet për mënyrën se si organizohet dhe menaxhohet fillimi i vitit shkollor dhe theksojnë nevojën për përmirësime sistematike, përfshirë një planifikim më të hershëm dhe mekanizma efektivë monitorimi nga MASHTI dhe komunat.
Këtë hulumtim për qendrën Kosovare për Studime Gjinore e ka kryer UBO Counsalting, janë përfshirë 400 prindër të nxënësve të klasave 1–9 nga e gjithë Kosova, të cilët kanë patur fëmijë në shkollë gjatë të dy skemave. Janë intervistuar 50 mësimdhënës dhe është punuar në fokus grupe me drejtues të drejtorive të arsimit nëpër komuna.
Në bazë të këtyre gjetjeve, rezulton se skema e subvencionimit të librave, përkundër qëllimit të saj të mirë, ka hasur në pengesa serioze në zbatim. Mungesa e librave në javën e parë të shkollës për më shumë se një të tretën e nxënësve, së bashku me vonesat në shpërndarjen e pagesave të subvencionit, dëshmojnë për një planifikim dhe menaxhim joefikas nga ana e institucioneve.
Ky problem nuk është thjesht një çështje logjistike, por një sfidë e thellë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e edukimit dhe barazinë në sistemin arsimor. Këto vonesa krijojnë një mjedis fillestar të disavantazhit për shumë nxënës, duke i penguar ata të fillojnë vitin shkollor në mënyrë të barabartë me shokët e tyre. Për më tepër, ato minojnë besimin e prindërve te sistemit, duke treguar se nevojat e familjeve shpesh nuk merren parasysh në kohë reale.
Përballë këtij realiteti, është e qartë se nevojiten reforma thelbësore. Institucionet përgjegjëse, si MASHTI dhe komunat, duhet të zhvillojnë një strategji më të mirë, duke filluar nga planifikimi më i hershëm i prokurimit dhe shpërndarjes së librave deri te efikasiteti i skemave të pagesave.
Ky hulumtim shërben si një thirrje zgjimi për të adresuar këto çështje me seriozitetin e duhur, duke përfshirë edhe mekanizma monitorues të fuqishëm për të garantuar që çdo nxënës në Kosovë të fillojë vitin shkollor me të gjitha mjetet e nevojshme. Duke investuar në një sistem më efikas, ne jo vetëm që përmirësojmë cilësinë e edukimit, por gjithashtu ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë fëmijët tanë.

