Pjesëmarrja në një grup të moshatarëve
“Adoleshenti ka ndjenjën se ai/ajo i përket një gjenerate tjetër prej gjeneratës së prindërve.”
Ky është një fakt themelor për shumicën e adoleshentëve, ndonëse ai shprehet në mënyra të ndryshme nga adoleshentë të ndryshëm. Disa do të thonë se prindërit e tyre janë tepër tradicional, konservativ dhe të thjeshtë. Me këtë përpiqen të argumentojnë se prindërit e tyre nuk mund të çmojnë ndryshimin e kohës dhe shpirtin modern. Se ata nuk e perceptojnë çfarë kërkohet për të qenë një hap me kohën. Kjo ndjenjë e adoleshentëve mund të marrë formën e ngritjes së zërit të radios shumë lartë ose qëndrimin me një grup në këndin e rrugës duke biseduar dhe qeshur me zhurmë. Sikur dikush të vendoste t’u tregojë se kjo nuk është prej edukatës së mirë, ata do t’i pëshpëritnin njëri-tjetrit: “Më mirë të mos ua vëmë veshin, sepse tradicionalizmi i ka verbëruar ndaj ndryshimeve që po ndodhin në botë.”
“Prindërit duhet të kenë parasysh se ndjenja e adoleshentëve se i përkasin një gjenerate tjetër prej gjeneratës së prindërve në asnjë mënyrë nuk do të thotë se kanë humbur respektin për prindërit dhe se nuk i çmojnë më prindërit e tyre.”
Adoleshenti e pranon dallimin midis vetes dhe babait të tij ose nënës, sidomos nëse ndërmjet tij dhe atyre janë katërdhjetë ose pesëdhjetë vjet diferencë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, kur të kuptojnë se midis adoleshentëve dhe prindërve të tyre është një trend i pakapërcyeshëm, të parët kanë gjasë të shtyhen të kërkojnë një grup moshatarësh, një grup shokësh, të cilët ndajnë së bashku botë- kuptimin e tyre dhe përgjigjet ndaj kërkesave të jetës moderne. Andaj nuk çuditem kur gjejmë adoleshentë duke kërkuar një grup të moshatarëve që t’i bashkohen në shkollë, fqinjësi dhe në mjedise të tjera. Ata kanë nevojë për këtë ndjenjë të përkatësisë në një grup, të të afërmve ose shokëve, të cilët janë më të afërtit me ta. Le të elaborojmë pak këtë lidhje midis adoleshentëve dhe shokëve të tyre:
– Në takimin me shokun ose shokët e tij, adoleshenti ndien se ata janë njerëz që i kuptojnë dhe i çmojnë hallet e tyre, sepse edhe ata kalojnë nëpër të njëjtin problem. Adoleshenti pastaj mund t’i hapë zemrën shokut, duke zbuluar sekretet më të thella që janë të fshehura nga familja. Në raste të tilla, adoleshentët mund t’i kritikojnë prindërit ose familjen e tyre në audiencë të shokut ose shokëve. Ka shumë gjasë që gjuha e tyre të jetë më pak e sjellshme dhe më pak e kujdesshme në krahasim me situatat e tjera.
Adoleshentët do të vazhdojnë të dalin me shkaqe të reja për të takuar njëri-tjetrin. Ata do të flasin për nevojën për të marrë pjesë në një gosti ku do të kremtojnë suksesin e një shoku dhe ofrimin e disa dhuratave për ta; për një takim mësimi me një grup, ose për pritjen e një shoku që po kthehet nga një udhëtim jashtë vendi së bashku me shokët e tjerë. Këtu synohet të gjendet një rast, por ai nuk ka rëndësi. Me rëndësi është të gjendet një shkak për t’u takuar me shokët. Takimi mund të bëhet i rrezikshëm kur adoleshentët vendosin të kalojnë natën së bashku ose të qëndrojnë larg shtëpisë për disa ditë.
– Adoleshentët rëndom ngrehin zërin për të mbrojtur njëri-tjetrin, i sheh se si i mbrojnë shokët e tyre pa dallim, me egërsi.
“Edhe nëse adoleshenti është qartë në gabim, ata do të gjejnë në mesin e shokëve të tillë që i arsyetojnë dhe e bëjnë sjelljen e keqe të tyre të duket e lehtë ose madje insistojnë se ajo që shoku e ka bërë nuk është fare gabim.”
Këtu sheh një lloj besatimi ose lidhjeje të heshtur, por të fuqishme. Ky është faktori që forcon miqësinë e tyre dhe justifikon takimet e tyre. Të gjesh një shok në rrugë të gabuar, në mënyrë të natyrshme i jep arsye familjes të përpiqet të mbajë atë larg atij shoku, ndërsa kjo është e pamundur për adoleshentin. Një aspekt i përkrahjes së adoleshentëve për njëri-tjetrin shihet në heshtjen e tyre për problemet dhe lajmet për shokët e tyre. Ata madje nuk pëlqejnë të përmendin para familjes emrat e shokëve dhe vendbanimin e tyre.
Adoleshenti nuk dëshiron që ndonjë anëtar i familjes të pyesë shokun për ta, sepse një gjë e tillë nënkupton se ata do të kontro- llohen dhe nuk do t’u besohet. Kjo nënkupton se ata janë të varur. Këtë adoleshentët e rezistojnë në mënyrën më të egër.
– Është një shprehi e patolerueshme për familjen: bisedat shumë të gjata telefonike të adoleshentëve me njëri-tjetrin. Për ta kjo është alternativë e natyrshme për takime më të shpeshta. Prindërit dhe pjesa tjetër e familjes do të ankohen se telefoni i shtëpisë kurrë nuk pushon dhe ky problem bëhet më i rëndë me përhapjen e telefonave mobil.
“Në një bashkëbisedim telefonik, adoleshenti përpiqet të sigurohet se miqësia e tij e saj është mjaft stabile se nuk ka plane misterioze për ta dëbuar nga grupi.”
– Te shumë çifte adoleshentësh mund të vërehet një admirim i ndërsjellë. Ka gjasë që ai të jetë një admirim i padjallëzuar, për shembull nuk përfshin një dëshirë seksuale. Mirëpo, kur ai i bashkon ata, ata shfaqin tërheqjen e tyre për njëri-tjetrin duke imituar sjelljen dhe dukjen e njëri-tjetrit. Ky lloj i tërheqjes, ndonëse në shumicën e rasteve është i padjallëzuar, mund të ketë anën e dhimbshme për adoleshentin. Ata shpesh ndihen të shqetësuar kur ndiejnë se pala tjetër nuk brengoset më për ta ose është tërhequr nga dikush tjetër.
– Tek adoleshentët ka vullnet të fortë për të sakrifikuar për hir të shokëve të tyre. Ata madje janë krenarë me këtë. Kjo madje mund të shkojë aq larg saqë të pranojnë t’i bartin pasojat e gabimeve të shokut, duke thënë për shembull se ata i kanë bërë ato.
Lajm i mirë është se atë që e përmendëm më lartë është e përkohshme. Ajo do të zbehet derisa adoleshentët të jenë më afër moshës së rritur.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)