Gratë, gjithashtu mbajnë barrën e qëndrimeve të një shoqërie, që e lidh vlerën e tyre me pamjen e jashtme. Sandra Haber, mjeke psikologe në qytetin e Nju Jorkut, specialiste në trajtimin e çrregullimeve të sjelljeve në të ngrënë, në revistën “Cosmopolitan”, thotë: “Ndoshta shumë konflikte që janë të përhapura dhe të vazhdueshme, janë për shkak të mënyrës se si gratë e shikojnë veten e tyre dhe se si ndihen nga pamja e tyre e jashtme.” Ajo, gjithashtu thotë: “Pamja e jashtme tregon për personin në tërësi.” Ajo që ne shikojmë në pasqyrë, tregon për rolin që kryejmë në jetën tonë. Në fakt, ne e përdorim imazhin e vetvetes si sinonim të vetëvlerësimit.
Gjithë njerëzit ndikohen personalisht nga përvojat e dështimit, dhe zakonisht ata u japin një rëndësi më të madhe atyre përvojave, sesa e meritojnë. Ngaqë çdo përvojë dështimi lë në kujtesë gjurmë që nuk fshihen, ne i lejojmë asaj përvojë që të ndikojë në të tashmen dhe në të ardhmen tonë, më shumë sesa duhet. Pavarësisht përmasave të dështimit, çdo humbje konsiderohet e përkohshme, nëse ne nuk e lejojmë atë të bëhet e përhershme. Nëse ne mësojmë nga përvoja, atëherë kemi bërë një hap të vogël drejt suksesit në të ardhmen, sepse nuk do ta përsëritim më të njëjtin gabim.
Nëse vëren thellë në jetën e njerëzve të suksesshëm, do të zbulosh se ajo është e mbushur me përvoja dështimi mbresëlënëse. Do të shohim për shembull se Abraham Linkoln, dështoi si magazinier, si ushtar dhe si avokat, megjithatë, të gjitha këto përvoja e ndihmuan atë, në veçanti, që t’i udhëhiqte Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krizat e tyre më të vështira, në kohën e luftës civile. Linkoln-i u bë një nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës. Kjo, për arsye të afrimitetit të tij të madh me njerëzit, cilësi që e fitoi si rezultat i vështirësive, me të cilat qe përballur në jetë.
Përpara se kompania FedEx të bëhej një nga kompanitë më të spikatura të transportit ajror, vërejmë se themeluesi i saj, Frederick W. Smith, kaloi kriza të rrezikshme. Kjo kompani ishte në prag të falimentimit për vite me radhë dhe vetë Smith u akuzua personalisht për mashtrim. Megjithatë, ai vazhdoi me këmbëngulje dhe durim, derisa në vitin 1990 kompania FedEx u bë e para kompani shërbimi, që fitoi çmimin e madh “Malcolm Baldrige”, që është vlerësimi më i lartë për cilësi, në vend.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Ibrahim Fekij, “Ngritja e vetëbesimit dhe e dinjitetit”