Ushqyerja e fëmijës 6-9 muajsh
Rreth moshës gjashtë muajsh fëmija është i gatshëm për të ngrënë edhe ushqime të
tjera të cilat quhen ushqime plotësuese dhe jepen së bashku me dhënien e gjirit.
Ushqyerja me qumështin e gjirit mbetet e rëndësishme sepse vazhdon ta furnizojë
fëmijën me elementet mbrojtëse, që vetëm ai i përmban.
Mosha gjashtë muajshe rekomandohet si mosha kur duhen filluar ushqimet plotësuese
në një foshnje që ushqehet me qumësht gjiri, as më parë dhe as më vonë. Në këtë
moshë fëmija është gati nga aspekti i zhvillimit për të filluar ushqimin plotësues.
Nëse nëna nuk arrin të plotësojë nevojat e fëmijës nën 6 muajsh vetëm me qumësht
gjiri, atëherë mund të zëvendësohet me qumësht lope të holluar me ujë në raportin
2 njësi qumësht dhe 1 njësi ujë. Gradualisht në një nga vaktet qumështit i shtohen
edhe biskota (për fëmijë) që shkrihen në biberon.
Si të kuptoni nëse fëmija është gati për të ngrënë ushqime plotësuese?
Fëmija është gati për të ngrënë ushqime plotësuese kur:
• Është gjashtë muajsh;
• Mban kokën drejt;
• Hap gojën kur i ofrojnë ushqim me një lugë;
• Mbyll buzët e tij kur futet luga;
• Mban ushqimin në gojë dhe e gëlltit pa e flakur jashtë
Përpara se të filloni futjen e ushqimeve plotësuese, sigurohuni që fëmija juaj i ka të
gjitha këto shenja, të cilat tregojnë se fëmija është gati.
Ushqime plotësuese të mira për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës janë
ushqimet që:
• përmbajnë të gjitha lëndët ushqyese;
• janë të pastra dhe të sigurta;
• pa kimikate;
• nuk kanë kocka apo copa që mund të mbysin fëmijën;
• janë të lehta për t’u ngrënë nga fëmija;
• pëlqehen nga fëmija;
• gjenden dhe mund të përballohen lehtë financiarisht;
• janë të lehta për t’u përgatitur.
Gjatë gjithë ushqyerjes me ushqime të reja plotësuese duhet të keni parasysh: Nevojat për ushqim plotësues në moshën 6 muajshe janë më të pakta, por nevojat për hekur janë të mëdha, pasi fillon të pakësohet prezenca e hekurit në qumështin e gjirit
Save the Children, ”Ushqyerja e shëndetshme e fëmijëve”
Prinderimi.com