Disa njohuri bazë mbi ushqyerjen e shëndetshme
Ushqyerja e shëndetshme është e nevojshme gjatë gjithë fazave të jetës, duke filluar
nga fazat më të hershme të zhvillimit të fetusit gjatë shtatzënisë, në lindje, gjatë
foshnjërisë, fëmijërisë, adoleshencës, në moshën e rritur dhe deri në pleqëri.
Ushqyerja e duhur dhe e mirë është thelbësore për të qenë të shëndetshëm dhe
aktivë, për rritjen, për zhvillimin fizik dhe mendor, për të punuar, për të luajtur dhe
për të mësuar.
Një ushqyerje e shëndetshme përmban të gjitha llojet e grupeve ushqimore.
Ushqimet klasifikohen në 5 grupe ushqimore si më poshtë:
1. Drithërat, nënproduktet e tyre dhe patatet e llojeve të ndryshme;
2. Frutat dhe perimet;
3. Qumështi dhe nënproduktet e tij;
4. Mishi, peshku, veza dhe bishtajoret;
5. Yndyrnat, ëmbëlsirat dhe pijet.
Ushqimet e të njëjtit grup mund të jenë zëvendësuese të njëra-tjetrës, por jo të
konsumohet gjithmonë i njëjti ushqim brenda grupit.
Piramida në vijim tregon se sa shpesh duhen ngrënë ushqimet sipas grupeve. Gjatë
një dite nuk duhet të mungojë asnjë grup ushqimor në menunë tonë.
Të gjitha moshat, sidomos fëmijët në rritje, kërkojnë vazhdimisht të marrin energji,
prandaj rekomandohet që ushqyerja ditore të ndahet në pesë vakte: 3 vakte
kryesore (mëngjesi, dreka dhe darka) dhe dy vakte të vogla (paradite dhe pasdite).
Mos harroni, mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe nuk duhet të anashkalohet!
Trupi përbëhet nga po ato lëndë ushqyese që ne marrim nëpërmjet ushqimeve të
ndryshme. Gjithashtu ai ka nevojë për lëndë ushqyese të shumta e të ndryshme, siç
janë: proteinat, yndyrnat, karbohidratet, vitaminat, mineralet dhe uji.
Ne kemi nevojë për sasi të mëdha të proteinave, karbohidrateve, yndyrnave dhe ujit,
ndërkohë që kemi nevojë për sasi shumë të vogla të mineraleve dhe vitaminave. Ja
disa informacione të shkurtra mbi përbërësit ushqimore dhe ku mund t’i gjejmë ato.
Proteinat janë të nevojshme për fëmijën në rritje, për gruan shtatzënë, për prodhimin
e gjakut, shërimin e plagëve, etj. Ushqime të pasura me proteina janë: mishi, shpendët,
peshku, fasulet, bizelet, qumështi, djathi, kosi dhe veza.
Karbohidratet përbëjnë burimin kryesor dhe më të rëndësishëm të energjisë.
Ushqime të pasura me karbohidrate janë: orizi, misri, gruri dhe drithëra të tjera, të
gjitha llojet e zhardhokëve, patatet dhe ëmbëlsirat.
Yndyrnat furnizojnë organizmin me energji për funksionimin e tij. Gjithashtu ato
përmbajnë edhe acide yndyrore esenciale (omega 3), shumë të rëndësishme për
parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Ato japin ndjenjën e ngopjes dhe atë të
shijimit të ushqimeve. Ushqime të pasura me yndyrna janë: vajrat e tavolinës, disa
lloje mishi dhe produkte të tij, sallo, gjalpi, margarina, produktet e qumështit, disa
lloje të peshkut, arrat.
Vitaminat dhe mineralet janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e shëndetit tonë, për
një gjendje ushqyese të mirë dhe për funksionimin e duhur të organizmit. Edhe pse
në sasi shumë të vogël ato janë mbrojtëset tona. Disa kripëra minerale janë pjesë e
shumë indeve të organizmit si për shembull: kalçiumi dhe fluori, të cilat gjenden në
kocka dhe dhëmbë, apo hekuri, i cili është i pranishëm në gjak.
Nëse konsumohen të gjitha llojet e ushqimeve, atëherë marrim edhe sasinë e
nevojshme të vitaminave dhe mineraleve.
Uji është elementi ushqyes më thelbësor për shëndetin dhe jetën. Uji përbën pjesën
më të madhe të peshës sonë trupore dhe është përbërësi kryesor i lëngjeve të trupit
tonë. Ujin e marrim nëpërmjet konsumimit të ujit, lëngjeve të ndryshme (qumështi,
pijet, çaji, kafeja, etj.) dhe ushqimeve të freskëta (frutat dhe zarzavatet) apo të
gatuara (gjellët, supërat, etj.).
Save the Children, ”Ushqyerja e shëndetshme e fëmijëve”
Prinderimi.com