Në një studim të publikuar në gazetën Nature Communications është zbuluar se alergjitë më të zakonshme të fëmijërisë, si ekzema, astma, alergjitë ndaj ushqimeve kanë lidhje me mikroorganizmat që gjenden në zorrë, te të cilat ekspozimi ndaj antibiotikëve mund të shkaktojë çrregullime, shkruan Euronews
Dr. Charisse Petersen, një nga autoret publikimit, tha se edhe pse alergjitë janë diagnoza teknikisht të ndryshme, në nivel qelizor ato “në fakt kanë shumë të përbashkëta”.
Studiuesit analizuan vlerësimet klinike nga 1.115 fëmijë nga lindja deri në moshën pesë vjeç. 592 prej tyre, raportet mjeksore të të cilëve në moshën 1 vjeçare treguan çrregullim në numrin dhe jetëgjatësinë e baktereve në zorrë, në moshën 5 vjeçare ishin diagnostifikuar me alergji të ndryshme.
“Zakonisht, trupat tanë tolerojnë miliona baktere që jetojnë në zorrët tona, sepse ato bëjnë shumë gjëra të mira për shëndetin. Disa nga mënyrat se si i tolerojmë ato janë duke mbajtur një barrierë të fortë midis tyre dhe qelizave tona imune dhe duke kufizuar sinjalet inflamatore që do t’i thërrisnin ato qeliza imune në veprim” tha Courtney Hoskinson, autorja e parë e publikimit.
Nga fëmijët e studiuar, raportet e atyre që janë diagnostiikuar me alergji kanë treguar se kanë çrregullime të ngjashme në izolimin e baktereve të zorrëve. Këto çrregullime mund të ndodhin për disa arsye, ndër të cilat janë dieta, si është lindur fëmija, ku jeton fëmija dhe ekspozimi i tyre ndaj antibiotikëve. Dyshohet se antibiotikët i asgjësojnë bakteret sensitive, kurse qumështi i gjirit i ushqen ato.
“Nga këto të dhëna mund të shohim se faktorë të tillë si përdorimi i antibiotikëve në vitin e parë të jetës kanë më shumë gjasa të rezultojnë në çrregullime alergjike të mëvonshme, ndërsa ushqyerja me gji për gjashtë muajt e parë është mbrojtëse. Kjo ishte universale për të gjitha çrregullimet alergjike që kemi studiuar”, thotë Dr Stuart Turvey, profesor në UBC dhe gjithashtu autor i publikimit.