Ekzistojnë disa fraza që prindërit ndonjëherë ua thonë fëmijëve të tyre që mund tju bëjnë më shumë dëm sesa mirë. Këto janë fjalë që shpesh ata ua thonë pa u menduar shumë, kryesisht kur janë të mërzitur, të lodhur apo të frustruar. Përveçse ndikojnë negativisht në zhvillimin fizik dhe psikologjik të fëmijëve, ato mund të sjellin edhe marrëdhënie të këqija midis prindërve dhe fëmijëve, shkruan Pancea.
Psikologët paralajmërojnë se këto fjali duhen shmangur plotësisht për të mos dëmtuar fëmijët. Një nga ato frazat e zakonshme është: “Nuk të besoj.” Kjo fjali mund të çojë në pasoja negative, sepse tregon se prindi nuk i beson fëmijës së tij dhe është besimi ai që është jashtëzakonisht i rëndësishëm në marrëdhënien prind-fëmijë.
Besimi, shpjegojnë ekspertët, është mënyra më e mirë për komunikim cilësor me një fëmijë që i ndihmon atij, që në të ardhmen kur të rritet të jetë më i qëndrueshëm dhe të ketë më shumë vetëbesim.
Është edhe një frazë tjetër që shumë prindër e përdorin dhe që nuk duhet: “Ti sillesh si fëmijë”. Kjo fjali shpesh shqiptohet nga prindërit kur fëmija i tyre është i acaruar, nuk bindet apo qan. Por në fakt, mund të bëjë shumë më tepër dëm sesa dobi, sepse fëmijës i krijohet përshtypja se nuk duhet të humbasë kurrë kontrollin e ndjenjave apo të shfaqë emocione, gjë që është e pamundur.