Njerëzit janë si kuti të mbyllura, çelësat e të cilave janë gjuhët e tyre. Një fjalë e urtë arabe thotë: “Fol dhe trego kush je.”
Kur të bisedojmë ose të bëjmë dialog, ne shprehim ndjenjat, vlerat, edukatën dhe konceptet që u besojmë dhe të cilat formojnë personalitetin tonë. Përkundër avancimit të madh në fushën e teknologjisë, gjejmë shumë mangësi në marrëdhëniet dhe moralin njerëzor në përgjithësi.
“Dialogu i qetë ose dialogu i shtruar është një terminologji e re, që i referohet një lloji të dialogut që përfshin përdorimin e mirësjelljes, butësisë dhe edukatës në diskutimin me anëtarët e një familjeje. Ai është mjaft i ndryshëm nga dialogu që e kemi trashëguar, në të cilën njerëzit shprehen në një formë të pagdhendur, e cila nuk ka hijeshi dhe nuk merren parasysh ndjenjat e palëve të tjera në dialog ose çfarë do të jetë reagimi i tyre.”
E vërteta është se në vendet tona të punës, ose kur i vizitojmë miqtë tanë, ne shtiremi se i kemi cilësitë e sjelljes së mirë si: qetësinë, mirësjelljen dhe të dëgjuarit me vëmendje kur të tjerët bisedojnë vetëm për periudha të shkurtra. Mbajtja e këtyre cilësive edhe në shtëpi do të thotë se personalitetet dhe familjet tona kanë arritur një shkallë të lartë të edukatës, sepse është shumë vështirë që të shtirren ato cilësi për një ditë të plotë në një mjedis familjar.
Për rrjedhim, shpresoj se duke u kujdesur për t’i zbatuar këto elemente të një dialogu të mirë në sjelljen tonë, ne do të kemi mundësi t’i përmirësojmë familjet muslimane dhe anëtarët e tyre. Përdorimi i metodave të duhura në komunikim me njerëz, me kohë do të ndikojë pozitivisht tek ata që i përdorin. Nëpërmjet kësaj, mirësia, butësia dhe mirësjellja do të bëhen pjesë e jona. Ndoshta duhet t’i theksoj dy pika që ndihmojnë në përmirësimin e dialogut në familje:
Para së gjithash, ne duhet të interesohemi t’i ruajmë ndjenjat e mira në mes të njëri-tjetrit. Pa dyshim, vetë ideja e një dialogu sugjeron se palët e involvuara kanë disa dallime. Aty ku nuk ka dallime, asaj më mirë është t’i referohemi si komunikim dhe bisedë normale. Në një dialog të mirë, anëtarët e familjes do të kërkojnë rrugëdalje për ndonjë mospajtim në mes tyre, me qëllim që të arrijnë te një mendim i përbashkët ose te një vendim i unifikuar. Mirëpo, ky nuk duhet të jetë qëllimi primar; së pari duhet të synohet një komunikim i mirë i ndjenjave, integrimit të ideve dhe forcimi i lidhjeve familjare.
Kjo duhet të formojë strehën nën të cilën ata bëjnë dialog, sepse kjo do të prodhojë tolerancën dhe kënaqësinë e ndërsjellë. Me arritjen e kësaj dallimet do të zhduken sikur nuk kanë ekzistuar fare. Ka shumë situata në të cilat ne duhet të fokusojmë vëmendjen e anëtarëve të familjes më tepër në ndërtimin e raporteve të mira, sesa në diçka tjetër. Në mesin e këtyre situatave mund të përmendim:
1. Kush dëshiron një dialog të qetë duhet të kuptojë atë që është e nevojshme për të ngjallë ndenja të mira te pala tjetër. Disa lloj bisedash e lumturojnë zemrën, disa sjellin shqetësim dhe disa shkaktojnë zemërime dhe dyshime. Meqenëse njerëzit janë të natyrave të ndryshme, ne mund t’i kuptojmë ndjenjat e njerëzve me të cilët bëjmë dialog, thjesht duke e vendosur veten në lëkurë të tyre.
Të marrim shembullin e një djali në shkollën e mesme, i cili me gëzim i tregon vëllait të tij: “Kam një lajm të mirë! Kam dalë i treti në klasën time!”
Vëllai i përgjigjet: “MashaAllah, shumë bukur! Si ia dole me gjeografinë?”
Djali shpjegon: “Profesori i gjeografisë më dha një detyrë dhe më premtoi se do ta ngriste notën time, nëse e kryeja me sukses. Unë arrita sukses dhe ai e mbajti premtimin.”
“Është mahnitëse”- përgjigjet vëllai.
Pastaj, ai i afrohet dhe duke e përqafuar i premton: “Ne do të kremtojmë këtë mbrëmje me shpenzimet e mia.”
Çdonjëri e pëlqen këtë qasje në dialog dhe ndihet rehat me të. Imagjino se çfarë ndjenja do të kishte ndaj vëllaut të tij nëse do t’i përgjigjej me diçka si kjo “natyrisht se shokët e klasës tënde janë përtacë dhe çdonjëri do të mund të arrinte vendin e tretë në mesin e tyre, madje edhe të parin.” Ose nëse do të thoshte: “Mësuesit tuaj nuk janë mjaft strikt. Me mësuesit sikur tanët do të kishit pasur vështirë edhe të kalonit.”
Ky lloj i dialogut lëndon ndjenjat. Ai madje do të mund të dyshonte në dashurinë e vëllait për të, do ta pyeste veten nëse vëllai ishte xheloz dhe nuk dëshironte ta njihte arritjen e tij. Fatkeqësisht shumë familje e përdorin këtë qasje.
2. Kujdesi për ndjenjat e bën të domosdoshëm të përpiqemi të kuptojmë ndjenjat mbizotëruese në rrethanat e veçanta të dialogut. Të marrim rastin e një vajze tetëmbëdhjetëvjeçare, e cila ka marrë një propozim për martesë nga një i ri, i cili i pëlqen asaj, mirëpo familja nuk e pranon atë. E vendosur ta arrijë atë që i duket e mirë, ajo ia del t’i bindë ta pranojnë propozimin pa dëshirën e tyre, pas një muaji përpjekje. Pastaj një ditë kalon një natë të gjatë në mendime për martesën e saj të ardhshme dhe vendos të ndërrojë mendjen. Kur zgjohet në mëngjes, ulet pranë nënës dhe me lot në sy e njofton për vendimin e saj të ri. Nëna, e cila i dinte shumë mirë elementet e një dialogu të shtruar, e kupton se nuk është momenti i duhur për t’i hedhur fajin të bijës për vendimin e mëhershëm, e as nuk është momenti të njihet me atë që e shtyu të ndërronte mendimin. Ajo di se në atë moment të bijës i nevojitet dhembshuri dhe mbështetje, kështu ajo vetëm e mbështet fort për gjoksin e saj, e ngushëllon dhe ia përkëdhel kokën dhe i thotë: “Mos u brengos bija ime. Kjo është shumë më e mirë sesa të detyrohesh t’i japësh fund martesës pas një viti ose dy. Ti je ende e re, dhe me lejen e Allahut së shpejti do të kërkoj dorën tënde një person që është më i mirë.”
Vini re. Nëna e tha tërë këtë përkundër faktit se ajo nuk ishte pajtuar me zgjedhjen e mëhershme të bijës së saj, mirëpo e kuptoi me mençuri se qëndrimi pranë bijës së saj për ta ngushëlluar ishte më i rëndësishëm sesa fillimi i ndonjë dialogu ose hetimi i asaj që e shtyri ta ndryshonte mendjen. Koha për atë dhe diskutime të tjera do të vinte pasi ajo të kalonte dhimbjen e ndarjes.
“Të kujdesurit për ndjenjat e të tjerëve kur të dialogojnë me ne, kërkon që ne të jemi të ndershëm dhe shpirtmëdhenj në qasje. Kjo do t’i inkurajojë të bisedojnë me ne dhe t’i shprehin mendimet e tyre.”
Kjo shpirtmadhësi duhet të manifestohet duke i bërë të ndihen se jemi shumë të interesuar në atë që na tregojnë, kështu që kur të dëgjomë diçka të mirë nga ta, t’i lavdërojmë. Një djalë ulet me babanë për të diskutuar një ekskursion të gjatë të shkollës me mësuesit dhe shokët e shkollës. Babai i shpreh pikëpamjet e tij për vlerësimin e sjelljes së disa mësuesve nga djali dhe atë që djali kishte parë nga traditat e vendeve që i kishte vizituar. Derisa djali fliste, babai komentonte me fjalët: “Bukur”, “Shkëlqyeshëm”, “Mreku- llueshëm”, “Sa bukur, veç Allahu që ka ditur ta bëjë”. “Interesante”, “Mahnitëse”. Ai nganjëherë lëvizte edhe kokën për t’i treguar se po e ndiqte tregimin e tij me interesim dhe kur dëgjonte diçka të papëlqyeshme, që kishte ndodhur, këtë e tregonte edhe me fytyrë. Nganjëherë, djali pyeste: “Si mendon?”
Sigurisht se ky nivel i dialogut dhe ndërveprimit me shprehje të interesimit ndihmon dialogun të vazhdojë. Ai ndihmon bashkë- biseduesin të nxjerrë edhe më shumë nga mendja e tij. Disa njerëz kanë një pamje të zymtë dhe të errët kur flet me ta. Kjo të bën të ndihesh se po bisedon me një statujë ose shurdhmemecë. Kjo është brengosëse, pasi folësi parandien se një befasi e pakëndshme e pret nga dëgjuesi.
“Ndoshta duhet të mësojmë se 70% deri 80% e ndjenjave dhe emocioneve shprehen pa përdorim të fjalëve. Kjo bëhet me lëvizje të kokës dhe duarve, me shprehje të fytyrës dhe me mënyrën se si qëndron personi që po flet.”
Për këtë arsye, kur të bëjmë dialog, një pozitë ballë për ballë është më e preferuar dhe përcjell më tepër kuptime sesa vet fjalët. Për të theksuar rëndësinë e kontaktit me sy në një dialog kemi fjalën e urtë: “Sytë janë komunikuesit kur ne bisedojmë.”
E vërteta është se kontakti me sy lidh nënvetëdijen e dy personave kur bisedojnë, edhe pse kësaj shpesh nuk i kushtohet vëmendje. Babai fillon një debat me të birin për hapin e tij të radhës në studime në universitet, mirëpo në vend që të shikojë djaloshin, ai e përqendron shikimin te nëna, sikur po kërkon mbështetje prej saj. Në këtë veprim ka një lloj shpërfillje të të birit.
Shumë adoleshentë ankohen se prindërit e tyre nuk i vlerësojnë mendimet dhe mençurinë e tyre, prandaj një dialog me babanë do t’i ngjajë më tepër një sesioni për të marrë udhëzime, qortime, urdhra lidhur me studimet, shokët dhe menaxhimin e kohës së lirë. Edhe pse adoleshentët nuk e dinë urtësinë e shumë gjërave, sepse siç shohim ata kanë prirje për ekzagjerim në shumë çështje, nuk është që gjithmonë ata janë larg realitetit.
Një zotërues i dialogut të shtruar pakëson qortimet dhe udhëzimet strikte në masën më të madhe të mundshme, meqë i ka parasysh ndjenjat e partnerit, qoftë ai bashkëshort, bashkëshorte ose fëmijë. Në vend të kësaj ai përpiqet t’i udhëzojë duke folur për përvojat e tij personale dhe të të tjerëve, duke i lidhur ato me realitetin e perso- nave që i edukon. Për shembull, nëse i duhet t’i edukojë për nevojën e kujdesit ndaj kohës së tyre, ai mund të zgjedhë kohën e duhur dhe t’i kërkojë njërit prej fëmijëve të bisedojë lidhur me njërin prej njerëzve më të mëdhenj të historisë. Nëna pastaj mund të shtojë në fund të atij tregimi: “Unë mendoj se merita për të arriturat e kënj njeriu të madh i takojnë vendosmërisë dhe shfrytëzimit të kohës Sipas mendimit tim modest, nuk ka njeri të madh që e kam njohur ose kam lexuar për të ndonjëherë, që nuk e ka menaxhuar kohën mirë.”
Babai ose vëllai më i madh mund të kontribuojnë pastaj në këtë pikë duke pyetur: “Çfarë mendoni dhe kush mund të sugjeroj tri mënyra të mira të menaxhimit të kohës?” Kjo do të thotë se anëtarët e pjekur të familjes duhet të dinë çfarë duhet të thuhet dhe pastaj të kërkojnë kohën e duhur për të vepruar atë.
3. Kujdesi për ndjenjat nuk duhet të kuptohet thjesht si tolerim i tyre, por ai duhet të kuptohet gjithashtu si gjallërim i tyre. Pa marrë parasysh se kush është pjesëmarrës në takim, dy prindërit, ose ata dhe fëmijët, ose vetëm fëmijët, një fakt mbetet i njëjtë se ai duhet të karakterizohet me hare dhe lumturi, sepse ashtu siç e ushqen dituria trurin, humori i mirë e ushqen shpirtin. Në fakt, studimet kanë treguar se një hormon i veçantë i quajtur dopamine, të cilin trupi e sekreton në kohë të gëzimit dhe gjatë të qeshurit është përgjegjës edhe për ruajtjen e prishjes së disa pjesëve të trurit. Ai e mbron trurin nga plakja dhe e bën aktiv. Sa më shumë të sekretohet, aq më tepër aktiv është truri.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Ndërveprimet në familje”
Përgatiti: Prinderimi.com