Bujari ishte mërzitur, se i duhej çdo mëngjes të shkonte në shkollë, kur stina e dimrit dhe bora që binte herë pas here, e ftonin të argëtohej. Shumë herë kishte bërë plane të mos shkonte, por asnjë plan nuk i kishte dhënë rezultat. Nuk kishte ç’të bënte… Ishte i detyruar të shkonte në shkollë.
Një ditë Bujari pa nga dritarja borën që po binte flokë- flokë dhe tha me vete: “Ah, sikur të mos ishte shkolla, se…! Do të luaja, do të shëtisja, do të tregoja gazmore dhe do të shihja gjithë ditën televizor, e nuk do të mërzitesha. Duhet të bëj një plan, që të mos shkoj sot në shkollë. Po si..? Diçka duhet të mendoj e diçka duhet të “shpik”…!”
E ëma e vështronte fshehurazi Bujarin, i cili lëvizte si pa shkak, sikur diç donte të thoshte… Ajo e kuptoi se çfarë kërkonte të bënte i biri. Por në një moment, kur ai s’e priste, ajo i tha:
– Bir, haje shpejt ushqimin, se do të bëhesh vonë për në shkollë.
– Sot nuk do të shkoj në shkollë.
– Përse?! – pyeti i çuditur babai.
– Mësuesi është sëmurë. Nuk do të vijë në shkollë.
– Këtë duhej të na e thoshe më parë, – i tha nëna. Bujari këmbënguli aq shumë, sa më në fund, arriti t’i bindte prindërit.
– Atëherë… sot qëndro në shtëpi. Mund të pushosh sa të duash! – i tha nëna dhe filloi punët e shtëpisë.
Ndërkohë i ati u nis për punë. Tani për Bujarin po fillonte një ditë e rehatshme. U ul në kolltuk, mori pultin në dorë dhe filloi të shihte televizor. Edhe pse nëna i tha disa herë se nuk duhej të kalonte shumë kohë para televizorit, Bujari nuk ia vuri veshin.
Pasi u mërzit duke parë televizor, shkoi te dritarja. Hapi perden dhe pa përjashta. Kur pa borën që binte flokë-flokë, menjëherë shkoi te nëna dhe i kërkoi leje të dilte jashtë dhe të luante me topa bore. Ajo i dha leje, me kusht që të vishej trashë.
Bujari u gëzua aq shumë, saqë i veshi menjëherë dorezat ashtu siç i tha nëna. Vuri kapuçin në kokë, shallin në qafë, vrapoi i gëzuar për të dalë jashtë dhe filloi të rrokullisej në borë.
Bëri disa topa bore. Por shokët me të cilët dëshironte të luante, në atë orë ishin në shkollë. Atëherë topat e borës që kishte bërë, filloi t’i hidhte në një kosh mbeturinash në rrugë, të cilin e merrte në shënjestër.
Në gjuajtjen e parë, nuk e qëlloi dot. Mori shenjë dhe gjuajti përsëri. Brenda koshit të plehrave kishte qenë një kotele e uritur. Ajo u hodh përpjetë e trembur, mjaulliti disa herë dhe u largua me të shpejtë. Bujari qeshi, dhe vazhdoi të gjuante koshin me topa bore.
Edhe kjo lojë iu mërzit. Donte të argëtohej me diçka tjetër. Gjithmonë i kishte bërë përshtypje një gërmadhë që gjendej disa sokakë poshtë shtëpisë. U nis drejt saj. Donte të shuante kurizitetin, se ç’ndodhej aty… Rrugës takoi nënë Asimen, nënën e njërit prej shokëve të lagjes. Ajo e pyeti:
– Pse nuk ke shkuar në shkollë, mor bir?
-Mësuesi ishte sëmurë, – gënjeu për së dyti Bujari dhe vazhdoi rrugën.
Pasi eci gjatë, më në fund arriti përpara gërmadhës. Kur pa se po dilte tym, e kuptoi se dikush ishte brenda. Kurioziteti iu shtua. Hyri aty pa bërë zë. Nuk kishte bërë as dy hapa, kur pa dy djem rreth pesëmbëdhjetë-gjashtëmbëdhjetë vjeç, që ishin mbledhur rreth zjarrit të ndezur dhe përpiqeshin të ngroheshin. Befas Bujari teshtiu me zë, ngaqë kishte mërdhirë. Njëri prej të rinjve e thirri Bujarin me zë të lartë:
-Çfarë do ti këtu?!..
Bujarin e kapi frika dhe i tha:
-…ëëë, thjesht u bëra kureshtar, prandaj erdha.
Po iki menjëherë.
Tjetri e pyeti menjëherë:
-A hyn në çdo vend për të cilin bëhesh kureshtar?..
-… Më pas e thirrën. Bujari u afrua ngadalë.
-Si të quajnë?
-Unë?.. Ëëë… Shtatë!.. – u përgjigj duke u dridhur Bujari.
-Nuk të pyetëm për moshën, more hutaq, por për emrin…, – dhe filluan të qeshnin me të madhe të dy të rinjtë.
-Hmm… Po… Agro… Bujar…
Bujari u qetësua, kur të rinjtë i thanë se, nuk duhej të kishte frikë.
-Edhe ne jemi si gjithë njerëzit e tjerë…, – tha miqësisht i pari.
-Nuk i bëjmë askujt ndonjë gjë të keqe…, – pasoi i dyti.
Dy të rinjtë i treguan Bujarit për jetën e tyre se si e kalonin. I thanë se jetonin gjysmë të ngopur e gjysmë të uritur në këtë gërmadhë, nuk kishin familje, shtëpi të ngrohtë, ushqime të mira dhe shkollë për të shkuar…
-Bujar, je shumë me fat, që ke shtëpi dhe ke prindër, – i thanë dy djemtë, teksa ndaheshin me Bujarin.
Kur po kthehej në shtëpi, Bujari rikujtonte bisedat me dy djemtë e rinj dhe për fjalët e fundit që ata i thanë. Nisi të mendojë për gabimin e tij dhe i premtoi vetes se nuk do të vepronte më kështu.
Nisi të skuqej në fytyrë, kur kujtoi se i kishte gënjyer prindërit dhe menjëherë i erdhën në mendje fjalët e gjyshit, i cili i thoshte: “Nipçe, mos harro, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra.” Tashmë nuk po e kuptonte pse i ishte mërzitur shkolla, ndërkohë që, shumë gjëra i kishte mësuar prej saj. Për shembull: shkrimin e leximin ia pati mësuar mësuesi, ai mësues që për të kishte thënë: “… mungon sot … se është i sëmurë”.
Kur erdhi përpara shtëpisë, koha kishte kaluar shumë dhe kishte ardhur mbrëmja. I ra ziles. Sapo nëna e tij e hapi derën, i tha: “Kemi një mik. E gjen dot kush është?..”
Kur hyri brenda, pa mësuesin duke pirë çaj. Fytyra iu skuq nga turpi. U hutua dhe nuk dinte çfarë të thoshte. Po ashtu, nuk e kuptonte se pse kishte ardhur mësuesi. Edhe më parë nuk kishte shkuar në shkollë dhe nuk kishte lajmëruar, por ai nuk kishte ardhur në shtëpinë e tij. Po ç’kishte ndodhur vallë?!..
Nënë Asimja, kur kishte shkuar për të marrë nipin në shkollë, papritur kishte takuar mësuesin. Ishte çuditur. Ishte afruar dhe e kishte pyetur: – Si jeni me shëndet, mësues? – Mirë jam, – u përgjigj ai. – Pse po më pyesni? – Se… aty, nga mesdita takova Bujarin e më tha se nuk kishte shkuar në shkollë, për shkak se mësuesi është sëmurë. Ja, për këtë të pyeta.
-Unë… erdha… Bujar… se takova nënë Asimen..
-Më fal, mësues!… Më fal!.. – dhe mbi faqe i shndritën ca pika loti.
I pari që ia fshiu lotët në faqe ishte dora e mësuesit. Më pas ndjeu ngrohtësinë e përqafimit të tij!
Autore: Hale Xhanat, ”Më fal, mësues!”
Nga seria: ”Historitë e Bujar çamarrokut”