Mosha: 12+
Vazhdim epik, i udhëhequr nga gratë është pjesërisht nderim e pjesërisht betejë intensive.
Vlerësimi nga: Sandie Angulo Chen, recensuese pranë Common Sense Media
Formati: Film | 2022 | 161 Minuta
Klasifikimi i Common Sense Media: Film për fëmijë
Rreziqet: Filmi ka përmbajtje të lehtë të gjuhës vulgare, fillon me vdekje dhe vazhdon tutje me një tjetër vdekje emocionale. Përfshinë gjithashtu shumë dhunë intensive aksioni, ndjekje dhe luftime trupore më dorë dhe me armë, duke përfshirë shtiza, bomba uji dhe armë tjera. Njerëzit mbyten, pushkatohen dhe u hidhen shtizat.
Shumë apo pak?
Çfarë do të gjeni dhe çfarë nuk do të gjeni në këtë film.
Mesazhe pozitive
Promovon bashkëpunimin, diplomacinë dhe partneritetin, veçanërisht midis njerëzve të shtypur historikisht. Eksploron se si pikëllimi dhe humbja mund të jenë dërrmuese dhe kërkojnë reflektim për t’u përpunuar. Ashtu si në filmin e parë, inkurajohet puna në grup, komunikimi, besnikëria, integriteti, guximi dhe miqësia. Theksohet aftësia e grave dhe njerëzve me ngjyrë në pozitat e pushtetit (ose rolet drejtuese). Filmi eksploron idenë e grumbullimit të burimeve, se çfarë ndodhë kur një komunitet i shtypur bëhet shtypës. Detyra, rituali, drejtësia dhe tradita janë shumë të rëndësishme për ‘Wakandanët’. Ideja se hakmarrja është përkohësisht e kënaqshme, por përfundimisht shkatërruese është tema kryesore.
Modele të roleve pozitive
Mbretëreshat Ramonda, Okoye, Nakia dhe Shuri janë të forta, të zgjuara, të afta dhe të guximshme. Shuri me ngurrim merr primatin e udhëheqjes. Gjenialiteti i saj krijues e ‘teknologjik’ e ndihmon Wakandën të mbrohet. Edhe zuzari kryesor që u shkakton problem është i ndërlikuar dhe nxitës për të menduar rreth bashkëpunimit dhe aleances mes tyre.
Përfaqësime të ndryshme
Aktorët janë kryesisht me ngjyrë, siç është edhe shkrimtari-regjisori Ryan Coogler. Gratë drejtojnë Wakanda-n, ato kanë liri, tregohen të forta, të zgjuara, të afta e të guximshme. Një grup tjetër njerëzish janë pasardhës nënujorë të Mayanëve-mesoamerikanë, të cilët ruajnë gjuhën e tyre ‘jucatec’ dhe aspekte të kulturës Mayane, të tilla si veshja e tyre dhe loja me top ‘’pok-a-tok’’. Edhe pse ata përshkruhen si antagonistë, Talokanilët zakonisht janë njerëz paqeruajtës . Kolona zanore përfshin këngë nga artistë dhe indigjenë meksikanë.
Dhuna dhe frika
Fillon me vdekjen jashtë kamerave të mbretit T’Challa. Një tjetër vdekje është veçanërisht emocionale më vonë përgjatë filmit. Filmi përmbanë shumë dhunë intensive aksioni, ndjekje dhe luftime me duar dhe armë, duke përfshirë shtiza, bomba uji dhe armë tjera. Njerëzit mbyten, pushkatohen, hidhen shtizat drejt tyre. Një grup njerëzish ‘nënujor’ këndojnë një këngë sirenash që i joshë njerëzit të hidhen në det. Ata kanë fuqinë të shkatërrojnë nëndetëset dhe të fundosin helikopterët dhe anijet.
Seks, romancë dhe lakuriqësi
Referenca për marrëdhënien romantike të T’Challa me Nakian.
Gjuha
Përdorimi i rrallë i fjalëve “m**”, “gjepura”, “tradhtar”, “biri i Satanait” dhe “demon” (me nëntitull).
Produkte dhe blerje
Apple iPhone, MacBook, Lexus, Louis Vuitton. Pjesë e ekskluzivitetit të MCU (Marvel Cinematic Universe).
Prindërit shqiptarë duhet të dinë se Black Panther: Wakanda Forever është vazhdimi i Black Panther, film i popullarizuar i Marvel-it. Pas vdekjes së mbretit të dashur T’Challa (luajtur nga tashmë i ndjeri Chadwick Boseman), mbretëria e Wakanda duhet të rigrupohet për të mbrojtur veten kundër atyre që shpresojnë të destabilizojnë vendin dhe t’i vjedhin vibraniumin e tij. Ekziston gjithashtu një kërcënim i ri në formën e një populli mbinjerëzor, që banon nën ujë, me prejardhje nga mesoamerikanët. Prisni skena luftimesh të mbushura me aksion, moszbatim të ligjit, luftime trupore, përdorim armësh dhe skena potencialisht shqetësuese të njerëzve që hidhen në oqean gjersa hipnotizohen. Njerëzit vdesin nga plagët fatale gjatë betejave dhe nga mbytja. Një vdekje është veçanërisht shqetësuese, pasi lë një personazh pa familje. Gjuha përfshin vetëm disa përdorime të fjalëve “m**” dhe “gjepura”, dhe nuk ka asnjë romancë. Shikuesit që kërkojnë aplikime në botën reale mund të diskutojnë rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit, si dhe idenë e mirëkuptimit ndërgrupor mes njerëzve me ngjyrë. Filmi i kushtohet Boseman-it dhe trajton në mënyrë të përshtatshme pikëllimin dhe humbjen, më shumë se në filmin e parë. Yjet Letitia Wright, Angela Bassett, Lupita Nyong’o dhe Danai Gurira ripërsërisin të gjithë rolet e tyre nga filmi i parë.
Cili është tregimi?
BLACK PANTERA: WAKANDA FOREVER fillon me vdekjen jashtë kamerave të mbretit T’Challa (tashmë i ndjeri Chadwick Boseman) pas një sëmundjeje të pazbuluar që as motra e tij e vogël gjeniale, Shuri (Letitia Wright), nuk mund ta zgjidhë apo të gjejë shërim. Dhe, meqenëse me Erik Killmonger (Michael B. Jordan) u shkatërrua i gjithë bari i shenjtë në formë zemre në Black Panther, një Panter i Zi i ri nuk mund të emërohet pas vdekjes së T’Challa-s. Një vit më vonë, Mbretëresha Ramonda (Angela Bassett) bën një deklaratë për komunitetin ndërkombëtar duke pohuar se mungesa e T’Challa-s nuk do të thotë se Wakanda mund të dobësohet ose destabilizohet nga mercenarët mashtrues ose superfuqitë xhelozë që duan të vjedhin vibranium. Pra, kur një operacion ushtarak amerikan për minimin e vibraniumit nën ujë përfundon me të gjithë të përfshirët duke u vrarë, CIA supozon se Wakandanët janë vrasësit. Por, fajtori në të vërtetë është Talokanil, një grup mutantësh nënujorë misterioz, me lëkurë blu, të ardhur nga mesoamerikanët. Udhëheqësi i tyre, Namor (Tenoch Huerta Mejia), mund të fluturojë, ka veshë të mprehtë dhe mund, ndryshe nga njerëzit e tij, të marrë frymë jashtë ujit. Ai përpiqet të bindë mbretëreshën që të bashkojë forcat me të, të kundërshtojë ndarjen e vibraniumit dhe të kthejë fshehurazi shkencëtarin amerikan përgjegjës për një makinë që mund të zbulojë vibranium nën ujë. Por, rezulton se, kur Shuri dhe gjenerali Okoye (Danai Gurira) e gjurmojnë shkencëtaren, ajo është thjesht një 19-vjeçare universitare në MIT me emrin Riri (Dominique Thorne) që i kujton Shurit vetveten. Duke mos dashur t’ia japin Ririn Namorit, Wakandanët duhet të përgatiten për të luftuar Talokanil – me ose pa një Panterë të ri të Zi.
A është i mirë?
Vazhdimi i shkrimtarit-regjisorit Ryan Coogler, i udhëhequr nga një ansambël i shkëlqyer femrash, i kushton ‘haraç’ humbjes së rëndë të Boseman/T’Challa duke eksploruar se si pikëllimi (dhe hakmarrja) mund të jetë gjithëpërfshirëse. Duket sikur Shuri po flet për fansat kur qanë dhe pyet veten se si mund të vazhdojë jeta pa vëllain e saj. Por, hap pas hapi, gratë me ndikim të Wakanda (me mbështetje nga M’Baku i Winston Duke dhe agjenti Ross i Martin Freeman) arrijnë të mbrojnë atdheun e tyre dhe të përgatiten për një betejë tjetër, jo për udhëheqjen e mbretërisë, por për vetë atë të ekzistencës. Bassett dhe Wright bëjnë një punë të bukur me skenat e tyre emocionale si nënë e bijë, respektivisht si mbretëreshë dhe princeshë. Ka një butësi autentike në ndërveprimet e tyre që pasqyrohet në të gjitha marrëdhëniet mes grave, madje edhe Nakia (Lupita Nyong’o), e cila tani është drejtoreshë e një shkolle në Haiti, pranon të ndihmojë Wakandën të mposhtë Namorin. Megjithëse mungesa e W’Kabi (Daniel Kaluuya) ndihet pothuajse aq e fortë sa ajo e T’Challa-s, dhe të paktën kthimi i tij i mundshëm në ekskluzivitet është lënë i hapur. Ndërkohë, ylli televiziv dhe komediania e vlerësuar me Çmimin Michaela Coel i bashkohet kastit si një tjetër anëtare e ashpër dhe komike e Dora Milaje-s.
Interpretimi i Coogler-it për personazhet kanonikë mund të mos jetë tërheqës për puristët e linjës së librave komik, por shikuesit që njohin Marvel-in përmes filmave, do të vlerësojnë përfshirjen e regjisorit të antagonistëve të ndërlikuar e të këqij, por që shpesh bëjnë kthesa që të bëjnë të mendosh rreth moralit të tyre. Kur Namor sugjeron një aleancë midis kombeve zezake dhe ‘ngjyrëkafe’ kundër kërcënimit të forcave lakmitare, kolonizuese, sinqerisht kjo thirrje ka kuptim. Bëj miq, jo armiq, i thotë Ramondës, edhe pse e shantazhon me ultimatum. Kostumografija fituese e Oscarit, Ruth Carter dhe kompozitori Ludwig Göransson, bëjnë një punë fenomenale për të shtuar kostume dhe muzikë të frymëzuara nga Majat në punime (kolona zanore përfshin këngë në spanjisht dhe gjuhë majane, si dhe këngën “Lift Me Up”, një baladë e bukur nga Rihanna). Aktori meksikan Huerta jep një interpretim të nuancuar si Namori intensiv, por në fund të fundit ky film i përket grave të Wakanda-s, të cilat bëjnë një arritje pothuajse të paimagjinueshme për të provuar se historia mund të vazhdojë.
Flisni me fëmijët tuaj rreth…
- Familjet mund të flasin sesi regjisorët e trajtuan vazhdimin e serialit Black Panther pa Boseman si T’Challa. A jeni dakord me vendimin për të mos riformuluar rolin në Wakanda Forever?
- Pse është i rëndësishëm përfaqësimi në filma, shfaqje dhe libra? Çfarë përparimi kanë bërë filmat me superhero, kur bëhet fjalë për personazhe të ndryshëm? Çfarë mendoni për përfaqësimin racor dhe gjinor në këtë film në krahasim me atë të filmave të tjerë me superhero?
- Si i shqyrton filmi çështjet që lidhen me racën? Çfarë mendoni për historinë që vë kundër njëri-tjetrit afrikanët me ngjyrë dhe meksikanët indigjenë? Cili është mesazhi për atë që ndodh kur njerëzit zezakë dhe ata ‘ngjyrëkafe’ grinden në vend që të bashkëpunojnë?
- Diskutoni rolin e gruas në film. Si janë personalitet unike Ramonda, Shuri, Okoye, Nakia dhe Dora Milaje, në Universin Kinematik Marvel? Pse është ende e pazakontë që gratë të mbajnë pozita pushteti në filma (jo vetëm në filma me superhero)?
- Flisni për temën e pikëllimit dhe humbjes në tregim. A ishte e nevojshme? Mendoni se duhet të ketë një film tjetër Black Panther?
Detajet e filmit
Në kinema: 11 Nëntor 2022;
Në DVD ose transmetim: 1 Shkurt 2023;
Luajnë: Angela Bassett, Letitia Wright, Tenoch Huerta, Danai Gurira;
Regjisori: Ryan Coogler;
Informacione për përfshirjen: Regjisorët me ngjyrë, aktoret femra, aktorët me ngjyrë dhe shkrimtarët me ngjyrë;
Studio: Disney/Marvel;
Zhanri: Aksion/Aventurë;
Temat: Magjia dhe fantasia; Superheronjtë;
Pikat e forta të karakterit: Guximi, këmbëngulja dhe puna ekipore;
Kohëzgjatja: 161 minuta;
Vlerësimi MPAA: PG-13;
Shpjegimi i MPAA: Sekuenca të dhunës së fortë, veprim dhe pak gjuhë të vrazhdë;
Çmimet: Çmimi i Akademisë, Common Sense Selection, Globi i Artë;
Përditësimi i fundit: 14 Mars 2023;
Solli në shqip: Prinderimi.com