Lista kontrolluese e prindërve
Prezentimi
Si prind ose kujdestar, ju keni një rol kyç në edukimin e fëmijës suaj. Ju mund të ndihmoni në ndërtimin e urës së kalimit për fëmijën tuaj nga shtëpia në shkollë dhe t’i jepni atij/asaj shansin më të mirë për sukses në mësim dhe përgjithësisht në jetë. Edukimi i fëmijës suaj fillon në shtëpi, por ju keni një sërë pyetjesh për të bërë dhe çështje të rëndësishme për të marrë parasysh kur t’u drejtoheni mësuesve, drejtorëve dhe këshilltarëve të fëmijës tuaj për zhvillimin e tij ose të saj. Si prind ose kujdestar, mund të jetë e vështirë të dini se si të mbështesni mësimin e fëmijës suaj, por t’u bëni edukatorëve të fëmijës tuaj pyetjet e duhura është një mënyrë e mirë për të filluar.
Pyetjet kryesore për të bërë në shkollën e fëmijës suaj
Për të zbuluar nëse fëmija juaj po merr një arsim që do ta përgatisë atë për sukses, merrni parasysh të bëni pyetjet e mëposhtme në lidhje me pesë fusha të performancës shkollore:
- Cilësia: A po merr fëmija im një arsimim të mirë?
- Si do të më mbani të informuar për gjendjen e fëmijës tim rregullisht? Si mund të punojmë së bashku nëse fëmija im mbetet prapa?
- A është fëmija im në nivelin e klasës (pra, nxënësve të tjerë) dhe në rrugën e duhur për të qenë gati për kolegj dhe karrierë? Si mund ta di një gjë të tillë?
- Gati për sukses: A do të jetë fëmija im i përgatitur të ketë sukses në çdo gjë që vjen më pas shkollimit?
- Si do ta matni përparimin dhe aftësinë e fëmijës tim në lëndë duke përfshirë leximin, matematikën, shkencën, artet, zhvillimin social dhe emocional si dhe aktivitetet e tjera?
- Sa kohë do të shpenzojë fëmija im duke u përgatitur dhe marrë testet shtetërore dhe lokale? Si do të dimë unë dhe mësuesi i fëmijës tim se si t’i përdorim rezultatet e tij/saj për ta ndihmuar të përparojë?
- I sigurt dhe i shëndetshëm: A është fëmija im i sigurt dhe i kujdesshëm në shkollë?
- Çfarë programesh ekzistojnë për të siguruar që shkolla të jetë një mjedis i sigurt, edukues dhe pozitiv? Cilat janë politikat e disiplinës dhe bullizmit në shkollë?
- A janë të shëndetshme vaktet dhe ushqimet e ofruara? Sa kohë ka për pushim dhe/ose stërvitje?
- Mësues të mëdhenj: A është fëmija im i angazhuar dhe duke mësuar çdo ditë?
- Si mund ta di që mësuesit e fëmijës tim janë efektivë?
- Sa kohë kanë mësuesit për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin?
- Çfarë zhvillimi profesional realizojnë mësuesit këtu?
- Barazi dhe drejtësi:
- A ka fëmija im, dhe çdo fëmijë në shkollën ose programin e fëmijës tim, mundësinë që të ketë sukses dhe të trajtohet në mënyrë të drejtë?
- Si sigurohet shkolla që të gjithë nxënësit të trajtohen në mënyrë të drejtë? (Për shembull, a ka ndonjë ndryshim në normat e pezullimit/dëbimit sipas racës ose gjinisë?) A u ofron shkolla të gjithë nxënësve akses në klasat që u nevojiten për t’i përgatitur për sukses, duke përfshirë nxënësit e gjuhës angleze dhe studentët me nevoja të veçanta (për shembull, Algjebra I dhe II, fëmijët e talentuar, laboratorë shkencorë, po arti e muzika)?
Ç’pritet më tej?
Çfarë duhet të bëj nëse fëmija im nuk po arsimohet sipas standardeve të larta të njohura për nivelin e klasës dhe në funksion të së ardhmes së tij/saj?
✔ Vazhdoni t’i bëni pyetje mësuesit, drejtorit, prindërve të tjerë dhe ekspertëve të arsimit, duke përfshirë pyetje rreth zgjedhjeve tuaja në shkollë.
✔ Gjeni prindër të tjerë që kanë të njëjtat shqetësime dhe punoni së bashku drejt përmirësimit të kushteve.
✔ Bisedoni me këshilltarin, grupin këshillues të shkollës, ndërlidhësin e prindërve ose stafin tjetër të shkollës/programit. Ata mund të ndajnë shqetësimet tuaja ose të jenë në gjendje t’ju ndihmojnë.
✔ Ngritni shqetësimet tuaja në zyrën e rrethit/distriktit të shkollës, udhëheqësit ose mbikëqyrësit.
✔ Merrni pjesë në mbledhjet publike dhe mbledhjet e bordit të shkollës dhe tregoni historinë tuaj.
✔ Konsultohuni me kontaktet e dhëna në fund të këtij udhëzuesi.
Këshilla nga mësuesit: Këtu janë disa mënyra se si mësuesit sugjerojnë që prindërit mund të ndihmojnë në mbështetjen e suksesit të fëmijës së tyre në shkollë.*
✔ Vendosni pritshmëri të larta për fëmijën tuaj.
✔ Sigurohuni që fëmija juaj të jetë në shkollë çdo ditë dhe në kohë të saktë. Pjesëmarrja ka shumë rëndësi!
✔ Punoni në bashkëpunim me mësuesit e fëmijës tuaj dhe bisedoni me ta për qëllimet dhe pritshmëritë për fëmijën tuaj.
✔ Flisni me fëmijën tuaj çdo ditë për atë që ai ose ajo po bën në shkollë dhe diskutoni atë që mëson.
✔ Inkurajoni fëmijën tuaj të kryejë detyrat dhe monitoroni që t’i mbarojë ato saktë dhe mirë.
✔ Merrni pjesë në konferencat ‘prindër-mësues’.
✔ Merrni pjesë në angazhimin e familjes dhe mundësitë vullnetare.
Burime për t’ju ndihmuar të ndihmoni fëmijën tuaj.
✔ Për udhëzues të përshtatshëm për edukimin dhe informacione shtesë mbi prindërimin vizitoni faqen tonë në internet: http://www.prindërimi.com
✔ Për të takuar prindër dhe kujdestarë të tjerë në shkollën tuaj dhe për informacion mbi standardet dhe vlerësimet akademike, bashkohuni me organizatën tuaj të prindërve: PRINDËRIMI, me bazë në komunitet. Për më shumë informata na gjeni në zyret tona: Lokacioni Rr. Shaip Spahia, Mahalla e Muhaxherëve, Prishtinë.
✔ Nëse fëmija juaj është prapa ose ka nevojë për ndihmë shtesë, kërkoni lexim dhe ndihma të tjera akademike.
✔ Nëse fëmija juaj po ngacmohet ose ka probleme me disiplinën, vizitoni › http://www.stopbullying.gov dhe http://www2.ed.gov/Policy/gen/guid/school-discipline/index.html
✔ Për informacion rreth ushtrimeve dhe të ushqyerit, vizitoni › www.nutrition.gov
✔ Për informacion rreth edukimit në fëmijërinë e hershme dhe të gjitha fazave të tjera, vizitoni gjithashtu › www.prinderimi.com
Dapartamenti Amerikan i Edukimit
Solli në shqip: Prinderimi.com