Prindi luan rolin kryesor në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, në përshtatje me moshën dhe fazat e zhvillimit.
Rritja dhe zhvillimi janё dy terma qё i referohen rritjes fizike dhe zhvillimit intelektual tё fёmijёs. Vitet e para tё jetёs janё shumё tё rёndёsishme pёr një zhvillim të shёndetshёm, i cili nёnkupton aftёsinё pёr tё plotёsuar si nevojat fizike ashtu edhe zhvillimin social, emocional dhe edukimin e tij. Pёr tё arritur kёtё zhvillim nevojitet njё ambient i ngrohtё dhe i sigurt, dhe shpenzimi i një kohe sa më të gjatë me fёmijёn tuaj (duke luajtur, kёnduar, lexuar dhe folur).
Ushqyerja e duhur, loja dhe njё gjumё i mirё janё elementet kryesore qё ndikojnё nё zhvillimin e mirё të fёmijёs.
Cilat janё fushat e zhvillimit tё fёmijёs suaj
Nё vitet e fёmijёrisё sё hershme, fёmijёt nuk rriten vetёm nё peshё dhe gjatёsi. Zhvillimi i tyre pёrfshin disa fusha si:
- Zhvillimi fizik pёrfshin zhvillimin e lёvizjeve, ekuilibrin, zhvillimin e aftёsive pёr tё pёrdorur muskujt e mёdhej tё trupit (p.sh. muskujt e shpinёs, tё kёmbёve, qё janё tё nevojshёm pёr tё ecur, për të vrapuar, pёr t’u hedhur, pёr tё ngjitur shkallёt) dhe muskujt e vegjёl (p.sh. muskujt e duarve që janё tё nevojshёm pёr tё kapur objekte tё vogla), ose që ndryshe quhet zhvillim i madh motor dhe zhvillim i motorikёs fine.
- Zhvillimi social dhe emocional ёshtё aftёsia e fёmijёs pёr tё krijuar dhe për të mbajtur marrёdhёniet e krijuara me tё tjerёt. Fёmijёt e vegjёl mёsojnё tё bёjnё miq, marrin pjesё nё grupet e lojёs, tregojnё empati pёr tё tjerёt, bashkёpunojnё dhe krijojnё konceptet e dhёnies dhe marrjes, zhvillojnё besim, vetёvlerёsim dhe kontroll tё emocioneve.
- Zhvillimi njohёs (konjitiv) i referohet aftёsisё pёr tё mёsuar dhe menduar nё shumё mёnyra, gjithnjё e mё tё ndёrlikuara. Nё vitet e para fёmijёt zhvillojnё kuriozitetin dhe mёsojnё tё bёjnё pyetjet “pse”, “kur”, dhe “ku”. Ata mёsojnё tё njohin ngjyrat, gёrmat dhe numrat, fokusohen nё bёrjen e detyrave dhe “zgjidhjen e problemeve”.
- Zhvillimi i komunikimit pёrfshin aftёsinё pёr tё kuptuar gjuhёn dhe pёr tё shprehur nevojat, mendimet dhe emocionet nёpёrmjet fjalёve. Pёrgjatё viteve tё para tё fёmijёrisё, fёmijёt kalojnё nga gugatja nё tё folurën e njё apo dy fjalëve, derisa thonё njё fjali tё plotё. Ata kanë interes tё dёgjojnë histori, dhe fillojnё tё lexojnё nёpёrmjet librave me pёrralla.
- Aftёsia pёrshtatёse i referohet aftёsive zhvilluese tё fёmijёs pёr t’u pёrshtatur me ambientin rrethues dhe pёr tё rregulluar rutinёn e pёrditshme. Nё fund tё viteve tё para, shumica e fёmijёve janё nё gjendje tё vishen vetё, tё hanё, tё lajnё dhёmbёt dhe tё shkojnё nё tualet pa ndihmёn e tё rriturve.
Foshnja (0-1 vjeç)
Gurët kilometrikë (etapat e zhvillimit)
Aftёsi tё tilla si hedhja e hapave tё parë, buzёqeshja e parё, pёrshёndetja e parё “paçimpaçim”, janё quajtur gurë kilometrikë, dhe janё veprime qё shumё fёmijё i bёjnё nё njё moshё tё caktuar.
Gurët kilometrikë fёmijёt i arrijnё nga mёnyra sesi luajnё, mёsojnё, flasin, sillen dhe lёvizin (p.sh. zvarritja, ecja, hedhja, vrapimi etj.).
Gjatё vitit tё parё foshnjat mёsojnё tё fokusojnё shikimin, tё eksplorojnё, tё gjejnё dhe tё mёsojnё rreth objekteve qё i rrethojnё. Zhvillimi konjitiv (njohës) nёnkupton procesin e memorizimit, mёsimin e gjuhёs, tё menduarit dhe tё arsyetuarit (apo analizuarit tё gjёrave). Mёsimi i gjuhёs ёshtё njё proces mё i gjerё sesa thjesht artikulimi i disa rrokjeve “bla-bla”, “ma-ma” “da-da”. Dёgjimi, kuptimi dhe njohja e emrave tё njerёzve dhe objekteve ёshtё pjesё e zhvillimit tё gjuhёs. Gjatё kёtyre fazave, fёmijёt krijojnё marrëdhënie dhe besim me tё afёrmit, si pjesё e zhvillimit tё tyre social dhe emocional.
Disa kёshilla pёr tё nxitur zhvillimin e fёmijёs suaj
Fёmijёt mёsojnё dhe zhvillohen nёpёrmjet asaj qё dёgjojnё, shikojnё, prekin, luajnё, ndjejnё, memorizojnё etj., ndaj ne duhet t’i ndihmojnё ata pёr t’u zhvilluar.
- Flisni me fёmijёn tuaj qё nё ditёt e para tё jetёs, ai e dёgjon zёrin tuaj dhe kjo e qetёson.
- Tregoni interes pёr tё (shikojeni nё sy, qeshini dhe drejtojuni nё emёr). Kjo do ta ndihmojё tё krijojё marrëdhënie me ju, t’ju besojё dhe tё ndihet i sigurt nё shoqёrinё tuaj.
- Lexojini, kjo do ta ndihmojё atё qё tё kuptojë sa mё shumё fjalё. Kёndojini, muzika do ta ndihmojё trurin e tij/saj tё zhvillohet.
- Mbajeni nё krahё dhe mbёshteteni mbi kraharorin tuaj, kjo gjё do t’i japё siguri dhe qetёsi.
- Luani me tё, nё momentet qё ai/ajo ёshtё i qetё, dhe vrojtoni me kujdes ndonjё shenjё qё tregon se ai ёshtё i lodhur dhe kёrkon tё flejё.
- Kujdesuni gjithashtu pёr shёndetin tuaj fizik, mendor dhe emocional. Prindёrimi ёshtё njё detyrё e vёshtirё, prandaj sa më të përgatitur të jeni aq më mirë do t’u përgjigjeni nevojave të fëmijës.
Sigurimi i njё mjedisi tё sigurt
Me ardhjen nё jetё tё njё pjesёtari tё ri nё familje, ёshtё shumё i rёndёsishёm krijimi i njё mjedisi tё pastёr, tё qetё dhe pa objekte tё dёmshme qё mund tё lёndojnё fёmijёn tuaj.
Ja disa kёshilla pёr tё mbajtur tё sigurt fёmijёn tuaj:
- Mos e tundni fёmijёn tuaj KURRË! Fёmijёt kanё muskuj tё dobёt tё qafёs, tё cilёt nuk arrijnё tё mbajnё kokёn, dhe tundja mund të shkaktojë dёmtim tё trurit (Sindroma e bebes sё tundur) qё mund tё çojё deri nё vdekje.
- Sigurohuni qё gjithnjё fёmijёn tuaj ta vendosni pёr tё fjetur nё shpinё, nё kёtё mёnyrё parandaloni Sindromën e Vdekjes sё Papritur, e njohur ndryshe si SIDS.
- Krijoni njё mjedis tё pastёr dhe mos lejoni konsumin e duhanit nё ambientet e shtёpisё ku qёndron foshnja.
- Gjatё lёvizjeve me makinё, vendosni fёmijёn nё sediljen e tij, nё sediljen e pasme tё makinёs.
- Tregoni kujdes me lodrat qё i vendosni pranё pёr tё luajtur, pasi lodrat shumё tё vogla apo tё forta mund tё bёhen shkak pёr dёmtimin e fёmijёs apo mbytjen e tij.
- Mos lejoni fёmijёn tё luajё me sende qё mund tё mbulojnё fytyrёn e tij.
- Mbani larg fёmijёve lёngje tё nxehta, solucione apo kimikate tё dёmshme pёr tё cilat fёmija mund tё tregojё interes pёr t’i eksploruar.
- Vaksinat janё shumё tё rёndёsishme pёr parandalimin e disa sёmundjeve qё mund tё bёhen serioze pёr jetёn e fёmijёs. Flisni me mjekun tuaj pёr kalendarin e vaksinimit, kohёn dhe kёshillat pёr t’i bёrё ato.
- Mos e mbani fёmijёn nё krevatin tuaj gjatё natёs. Vendoseni pёr tё fjetur gjithnjё nё krevatin e tij/saj, tё pozicionuar pranё krevatit tuaj.
Mirёqenia fizike
Mirёqenia fizike i referohet ndjekjes sё rritjes dhe maturimit fizik tё fёmijёs, pra ndjekjes sё peshёs, gjatёsisё apo BMI-së (indeksit tё masёs trupore). Mjeku juaj gjatё vizitave tё kontrollit tё fёmijёs do t’ju informojё rreth rritjes qё ka patur fёmija duke interpretuar kurbat e rritjes.
Pёr tё arritur njё rritje fizike optimale të përshtatshme për moshёn e fёmijёs, kёrkohet njё ushqyerje e shёndetshme.
Ushqyerja mё e mirё pёr fёmijёn tuaj nё 6 muajt e parё tё jetёs ёshtё ushqyerja vetëm me gji. Qumёshti i gjirit ёshtё ushqimi mё i mirё pёr fёmijёn tuaj.
Pёr mё tepёr rreth ushqyerjes sё fёmijёs me gji, mёnyrёs sё vendosjes nё gji, sasinё, shpeshtёsinё dhe rёndёsinё qё kjo ushqyerje ka, kёrkoni ndihmёn e mjekut apo infermierit tuaj.