Republika e Kosovës
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
UDHËZUES NR. 20 /2018 PËR NDALIMIN E TELEFONAVE CELULAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PARAUNIVERSITARE
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në mbështetje të nenit 5 të Ligjit nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, si dhe duke u bazuar në nenin 8 paragrafi 1.4 dhe shtojcën 6 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive (Gazeta zyrtare nr. 1, 18 prill 2011). nxjerr:
UDHËZUES NR.20 /2018 PËR NDALIMIN E TELEFONAVE CELULAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PARAUNIVERSITARE
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij Udhëzuesi është ndalimi i posedimit të telefonave celular në institucionet edukativo-arsimore para-universitare.
Neni 2
Ndalimi i përdorimit
Në mjediset (ambientet), e institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare është e ndaluar të posedohet telefoni celular nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional dhe punëtorët e tjerë.
Neni3
Masat
- Në rast të konstatimit të posedimit të telefonit celular nga nxënësit, në mjediset e institucioneve edukativo-arsimore para-universitare, drejtori i institucionit:
1.1. Sekuestron telefonin celular, zbaton masën edukative – disiplinore ndaj nxënësit sipas rregulloreve të shkollës dhe legjislacionit në fuqi. Me masën edukative-disiplinore në formë të shkruar njoftohet prindi ose kujdestari ligjor i nxënësit;
1.2. Telefoni celular i sekuestruar, i dorëzohet prindit:
1.3. Në rastet kur nxënësi e përsërit veprimin e ndaluar për posedimin e telefonit celular në ambientet e institucionit edukativ- arsimorë, drejtoria e shkollës e sekuestron të njëjtin dhe e dorëzon (depoziton) sipas procedurës ligjore në policinë e shtetit. Ndërsa ndaj nxënësit përkatës merren masa edukative disiplinore sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 4
Ndalimi i përdorimit të telefonit për personelin e institucionit
- Të gjithë mësimdhënësve, stafit profesional dhe punëtorëve të tjerë të shkollës u ndalohet telefoni celular në të gjitha ambientet e institucionit, përjashtuar nga kjo është salla e arsimtarëve.
- Nëse mësimdhënësi, stafi profesional dhe punëtorët tjerë të shkollës, nuk e respektojnë këtë dispozitë të udhëzuesit bëjnë shkelje të punëve dhe detyrave të punës dhe ndaj tyre do të ndërmerren masa disiplinore sipas dispozitave ligjore.
- MASHT, DKA-të dhe drejtoritë e shkollave të rishikojnë dispozitat ligjore aktuale përkatësisht Rregulloren e brendshme të shkollës duke përcaktuar masat për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit, mësimdhënësit dhe stafit tjetër të shkollës.
Neni 5
Numri zyrtar kontaktues i telefonit
- Të gjithë drejtorët e shkollave duhet ta sigurojnë së paku nga një numër zyrtar të telefonit, i cili do të jetë në shërbimin e nxënësve dhe mësimdhënësve për raste te veçanta. Për numrin zyrtar të telefonit të shkollës duhet të njoftohen edhe prindërit.
- Të gjithë drejtorët e shkollave duhet të njoftojnë prindërit për udhëzuesin në fjalë (në mbledhjen me prindër).
Neni 6
Njoftimi
- Në çdo shkollë, drejtorët obligohen që të vendosin reklama dhe njoftime të tjera për ndalimin e telefonit celular.
- Çdo drejtor shkolle njëherë në muaj duhet ta informoj me shkrim DKA- në për ecurinë dhe zbatimin e këtij udhëzuesi.
- DKA-të. njëherë në muaj obligohen të raportojnë me shkrim në MASHT, në zyrën e Sekretarit të përgjithshëm për ecurinë dhe zbatimin e këtij udhëzuesi.
Neni 7
Zbatimi i Udhëzuesit
- Zbatimi i këtij Udhëzuesi nëpër institucione. fillon me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2018/19.
- Për ecurinë dhe zbatimin e këtij udhëzuesi ngarkohen DKA-të.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky Udhëzues hyn në fuqi me nënshkrimin e tij nga Ministri.
07/12/2018