Në moshën 2-3 vjeçare fëmijët shfaçin një lloj agresiviteti me fëmijët e tjerë, u marrin lodrat apo u shkulin flokët apo I shtyjnë.
Këto veprime janë sa të pa fajshme aq me dashje. Në këtë moshë fëmija nuk e di apo nuk e ka bërë të tijën konceptin e “të mirës dhe të keqes”. Edhe pse në pamje është agresive dhe e keqe, në fakt janë hapat e para drejt ndërtimit të komunikimit me tjetrin si moshatar dhe fëmijë.
Dhe natyrisht hapat e para, nuk janë as të lehta dhe as të sigurta. Fëmija nuk kontrollon ende as veten dhe as veprimin. Ai nuk di ende konceptin “e imja e tjetrit”, ai thjeshtë do një gjë apo nuk e do. Pikërisht me çfaqjen e këtyre sjelljeve fillon dhe mësimi i skemës “e imja- e tjetrit” dhe “e mirë –e keqe”.
Ky “mësim” kërkon prezencën e të rriturit dhe durimin e tij. Gjthashtu në këtë moshë, fëmija nuk di ende të luaj vetë me fëmijët e tjerë, duhet patjetër prezenca e të rriturit që të bëjë ndërmjetësin, të ushqejë lojën dhe të evitojë situata të tilla.
Për fat të keq ne i lejmë fëmijët të luajnë vetëm, por kjo është e pamundur në këtë moshë, duhet patjetër prezenca e të rriturit. Kur fëmija shkul flokët e fëmijës tjetër, apo e shtyn apo I merr lodrën, duhet ndaluar me takt, duke cilësuar që “është një veprim I gabuar dhe nuk të lejon ty të bëhesh vajzë e zonja apo djalë I zoti sic dëshiron”.
Të rritur! Në të tilla raste, mos ndërhyni me rrëmbim dhe me fjalën “mos”, por përdorni vetëm një fjalë duke e shqiptuar prerë. Mbase fjala më e saktë për tu përdorur mund të jetë, fjala “jo”.
Duhet përdorur një fjalë e vetme sepse fëmija fjalën e parë nuk e dëgjon, kështu duke u përsëritur dy tre herë të njëjtën fjalë, fëmija do të fillojë ta njohë komandën dhe do të fillojë ta zbatojë.
Dhe mbasi situata qetësohet, tregojini fëmijës pse e ndaloni dhe pse ky veprim nuk duhet bërë.
Dr. Lira Gjika