Çdo minutë e mësimit ka rëndësi. Ja tetë mënyra për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën në klasë, pa nxituar dhe pa anashkaluar përmbajtje të rëndësishme mësimore.
Në fillimet e karrierës së tij si mësimdhënës, Jack Watson përballej vazhdimisht me mungesën e kohës gjatë orës mësimore, pavarësisht përpjekjeve të tij për ta organizuar sa më mirë atë. “Nuk po e teproj”, shkruan mësimdhënësi i arsimit fillor nga Mbretëria e Bashkuar në platformën e tij Substack, “kjo ndodhte pothuajse në çdo orë mësimore”.
Menaxhimi i duhur i kohës në klasë është një sfidë edhe për mësimdhënësit me përvojë. “Çdo mësimdhënës me përvojë do t’ju thotë se planet mësimore rrallëherë zgjasin pikërisht aq sa keni parashikuar”, shkruan Jennifer Gonzalez, kryeredaktore e Cult of Pedagogy dhe ish-mësimdhënëse e shkollës së mesme të ulët.
Nxënësit mund ta përfundojnë një aktivitet shumë më shpejt sesa ishte parashikuar, duke krijuar një periudhë të papritur kohe të lirë. Ose mund të shfaqet një sfidë tjetër: nxënësit punojnë me ritme krejtësisht të ndryshme. Ata që përfundojnë shpejt mërziten, ndërsa të tjerët ende po përpiqen t’i kuptojnë udhëzimet.
Këto vështirësi në menaxhimin e kohës mund ta çrregullojnë edhe planin mësimor më të përgatitur.
“Kur më mbetet shumë kohë e lirë që duhet ta plotësoj, më kap paniku”, thotë Gonzalez. “Ndërsa kur jam në mes të një aktiviteti dhe shoh se po zgjat më shumë sesa duhet, filloj të nxitoj, duke anashkaluar disa nga pjesët më të menduara të mësimit ose duke mos u dhënë nxënësve kohë të mjaftueshme për ta përpunuar informacionin.”
Disa ndryshime të vogla dhe të qëllimshme në mënyrën e planifikimit, së bashku me disa strategji praktike, mund t’i parandalojnë këto probleme ose t’i ndihmojnë mësimdhënësit t’i menaxhojnë ato më mirë kur shfaqen.
1. Ndajeni orën mësimore në pjesë më të vogla
Kur planifikon një orë mësimore, mësimdhënësja Laurie Miller Hornik merr gjithmonë parasysh karakteristikat e nxënësve të saj.Ajo fillon duke vlerësuar sa gjatë mund të përqendrohen nxënësit në një aktivitet të caktuar dhe sa kalime nga një aktivitet në tjetrin mund të përballojnë gjatë një ore mësimore.
Si rregull praktik, ajo i ndan orët prej 45–50 minutash në tri ose katër pjesë, secila me kohëzgjatje prej 10–20 minutash. Për të shmangur mungesën e kohës ose përpjekjen për të përfshirë tepër përmbajtje në një orë, Hornik thekson rëndësinë e vlerësimit realist të kohës që kërkon secila pjesë e mësimit.
Në planifikim duhet të përfshihet edhe koha e nevojshme për kalimin nga një aktivitet në tjetrin, shpërndarjen dhe mbledhjen e materialeve, si dhe shpjegimin e udhëzimeve.
2. Lini disa minuta kohë rezervë
Minutat e fundit të orës mësimore ofrojnë mundësi për të përfunduar çështjet e mbetura, për të përforcuar njohuritë dhe për të përgatitur nxënësit për mësimin e ardhshëm. Në vend që ta mbushni të gjithë orën me aktivitete, Gonzalez sugjeron që planifikimi të bëhet në mënyrë që të mbeten rreth pesë minuta rezervë.
“Kjo krijon një hapësirë të dobishme kohore, në mënyrë që nëse një aktivitet zgjat më shumë sesa është parashikuar, të keni ende pak kohë shtesë”, shpjegon ajo. Kjo qasje ndihmon në shmangien e nxitimit dhe krijon mundësi për një përmbyllje më të qetë të orës.
3. Shfaqeni orarin e aktiviteteve në tabelë
Sipas Hornik, një veprim i thjeshtë, si shkrimi i agjendës së ditës në tabelë, mund të ndihmojë shumë në ruajtjen e ritmit të mësimit. Orari nuk ka nevojë të jetë i ndërlikuar. Mjafton të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme të rrjedhës së orës.
Për shembull:
10:45 – Aktivitet hyrës / Lexim i lirë
10:55 – Punë në grupe të vogla
11:10 – Diskutim
11:25 – Përmbledhja e njohurive kryesore
11:30 – Përfundimi i orës mësimore
Ky kujtues i thjeshtë e ndihmon mësimdhënësin të mos i kushtojë tepër kohë një aktiviteti të vetëm ose të mos harrojë ndonjë hap të rëndësishëm. Një përfitim tjetër është se disa nxënës ndihen më të sigurt kur e dinë paraprakisht se çfarë do të ndodhë gjatë orës.
4. Planifikoni aktivitete fleksibile
Për t’iu përshtatur ndryshimeve të natyrshme të ritmit të orës mësimore, Gonzalez rekomandon aktivitete që mund të zgjerohen ose të shkurtohen në varësi të kohës së disponueshme. Zakonisht, këto vendime merren gjatë zhvillimit të mësimit.
Për shembull, një diskutim mund të ndërpritet kur koha është e kufizuar, por mund edhe të zgjatet nëse mbeten minuta shtesë. Mësimdhënësi mund t’u kërkojë nxënësve të diskutojnë me shokun pranë tyre gjithçka që mbajnë mend nga mësimi i ditës.
Ky aktivitet mund të zgjasë vetëm një ose dy minuta. Por nëse ka më shumë kohë, nxënësit mund të krahasojnë shënimet e tyre me një grup tjetër dhe të identifikojnë ngjashmëritë dhe dallimet. Në këtë mënyrë, koha shtesë përdoret për përforcimin e njohurive, pa pasur nevojë për një aktivitet krejtësisht të ri.
5. Mbajeni kohëmatësin afër
Kur pjesët më të rëndësishme të mësimit, si ushtrimet individuale, kontrollimi i të kuptuarit ose rishpjegimi i përmbajtjes, janë planifikuar për gjysmën e dytë të orës, mësimdhënësi Henry Seton mbështetet shumë te përdorimi i kohëmatësit.
Ai përdor kohëmatës të dukshëm për t’u dhënë strukturë aktiviteteve të udhëhequra nga nxënësit, si diskutimet në çifte ose puna laboratorike në grupe. Kjo ndihmon në krijimin e një kulture ku nxënësit e kuptojnë se koha e përbashkët në klasë është e rëndësishme dhe e kufizuar.
Kohëmatësit mund t’i ndihmojnë gjithashtu mësimdhënësit të bëjnë ndryshime të vogla dhe të shpejta në planifikim. Për shembull, pesë minutat e parashikuara për një aktivitet hyrës mund të përdoren për të rishikuar një problem matematikor që disa nxënës e kanë zgjidhur gabimisht në një test.
6. Përgatitini nxënësit për ndërprerjen e aktiviteteve
Meqenëse disa mësime zhvillohen gjatë disa orëve, ndonjëherë është e nevojshme që nxënësit ta ndërpresin një aktivitet përpara se ta përfundojnë. Kjo ndihmon në ruajtjen e ritmit të mësimit dhe respektimin e kohës së planifikuar. Megjithatë, një kalim i papritur mund të jetë shqetësues për nxënësit, veçanërisht kur ata sapo kanë filluar të angazhohen plotësisht në aktivitet.
Prandaj, është e dobishme që mësimdhënësi të shpjegojë shkurtimisht arsyen e ndërprerjes.
Për shembull, kur nxënësit zhgënjehen sepse një diskutim i përbashkët ndërpritet ndërkohë që disa prej tyre ende dëshirojnë të flasin, Hornik u kujton se gjatë orës kanë shumë punë të rëndësishme për të përfunduar dhe se duhet të sigurohen që të ketë kohë për gjithçka.
Në këtë rast, nxënësit mund t’i shkruajnë mendimet e tyre në fletore dhe t’i ndajnë gjatë orës së ardhshme.Kjo u mundëson atyre të ruajnë idetë pa e çrregulluar rrjedhën e mësimit.
7. Jini të përgatitur për të papriturat
Nga ndërprerja e papritur e internetit deri te një ushtrim evakuimi që zgjat më shumë sesa pritej, shumë faktorë të jashtëm mund ta prishin ritmin e orës mësimore.Në vend që të përpiqeni me nxitim ta shpëtoni një mësim që nuk po zhvillohet sipas planit, është e dobishme të keni gjithmonë disa aktivitete akademike të thjeshta dhe të gatshme për përdorim.
Edukatorja Madeline Hunter i quan këto aktivitete *sfungjerë*, sepse ato e shfrytëzojnë kohën e vlefshme që përndryshe do të humbiste. Aktivitete të tilla janë veçanërisht të dobishme kur mbetet kohë e lirë në fund të orës. Po ashtu, për nxënësit që i përfundojnë detyrat më shpejt, është mirë të përgatiten aktivitete shtesë që kërkojnë pak ose aspak përgatitje.
Kështu, këta nxënës vazhdojnë të angazhohen në të nxënë, në vend që të presin pa bërë asgjë derisa shokët e tyre të përfundojnë punën.
8. Vlerësoni mënyrën se si e menaxhoni kohën
Për të kuptuar më mirë sa kohë keni në dispozicion, si është e organizuar ajo dhe si shfrytëzohet gjatë mësimit, pedagogia Jen Manly sugjeron kryerjen e një analize të përdorimit të kohës.Regjistrimi me video i një ore të zakonshme mësimore mund të ofrojë të dhëna të vlefshme për analizë më të thelluar.
Hulumtimet sugjerojnë se mësimdhënësit që shikojnë regjistrimet e orëve të tyre dhe vlerësojnë punën së bashku me kolegë ose mentorë të besuar janë më të aftë të identifikojnë çështje të rëndësishme pedagogjike dhe ta mbajnë vëmendjen te të nxënit e nxënësve.
Këshilltarja pedagogjike Donna Spangler rekomandon që, përpara shikimit të videos, mësimdhënësit të përcaktojnë disa fusha konkrete ku dëshirojnë të përqendrohen.
Për shembull:
– A po marrin shumë kohë kalimet nga një aktivitet në tjetrin?
– A po u jepet nxënësve kohë e mjaftueshme për të menduar përpara se të përgjigjen?
– A po e ngadalësojnë ritmin udhëzimet e paqarta?
– A po shpenzohet shumë kohë për organizimin e materialeve?
Një mënyrë tjetër është reflektimi me laps dhe letër. Në një fletore, mësimdhënësi mund të shënojë se si janë shfrytëzuar minutat e orës: Sa zgjati aktiviteti hyrës? Sa kohë humbi gjatë kalimit nga një aktivitet në tjetrin? Kur analizonte menaxhimin e kohës së tij, zëvendësdrejtori Nick Davies vendoste një alarm të përsëritur në orën e dorës.
“Çdo 15 minuta, ora dridhej dhe unë mund të shënoja shpejt atë që po bëja në atë moment”, shpjegon ai. Pavarësisht nëse analiza bëhet përmes shënimeve apo regjistrimeve me video, mësimdhënësit duhet t’u kushtojnë vëmendje aktiviteteve dhe praktikave që shkaktojnë humbje të panevojshme të kohës mësimore.
Sipas edukatorit dhe administratorit me përvojë Ben Johnson, këto janë veprime që mësimdhënësit mund t’i bëjnë pa e kuptuar dhe që ua marrin kohën e vlefshme nxënësve. Shumica e tyre mund të shmangen lehtësisht përmes planifikimit paraprak dhe praktikës së vazhdueshme.
Autore: Paige Tutt
Përkthim: Prinderimi.com
